Takimet me Greqinë do të shoqërohen me hapa konkrete

Shqipëria

Takimet me Greqinë do të shoqërohen me hapa konkrete

Më: 2 dhjetor 2015 Në ora: 09:31

Gjatë ministerialit të NATO-s që është duke u mbajtur këto ditë në Bruksel, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati zhvilloi një takim me homologun e tij grek Nikos Kocias. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, nga Brukseli, ministri Bushati u shpreh se niveli i marrëdhënieve Shqipëri- Greqi është përmirësuar, por ende nuk është ende aty ku do të dëshironim të ishte. Ndaj sipas tij u panë me rëndësi çështje si riaktivizimi i komisioneve të përbashkëta, së dyti çështje që kanë të bëjnë me rregullime të brendshme, të rendit ligjor dhe së treti ka edhe çështje për të cilat nevojiten diskutime të mëtejshme. Në lidhje me anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, Bushati theksoi se ka qenë përgjegjësi e madhe e Shqipërisë për të mbështetur aspiratën e Malit të Zi, për t’iu bashkangjitur familjes euroatlantike. Për sa i përket anëtarësimit të Kosovës, Bushati u shpreh se Kosova si një nga vendet më të reja të Evropës dhe siguria e saj, si dhe e të gjitha vendeve të tjera të rajonit është shqetësim për NATO-n, ndaj Shqipëria kërkon një raport të institucionalizuar të NATO-s me Kosovën.

Zoti Bushati sapo dolët nga takimi me homologun grek, ku u fokusua diskutimi me të?

Me homologun grek kemi diskutuar edhe njëherë çështje të cilat janë objekt diskutimi dhe që synojmë një zgjidhje, dihet që tematika është e listuar tashmë nga të dyja palët, çështje të trashëguara, çështje të aktualitetit. Kemi diskutuar dhe për një afat kohor brenda të cilit ne mund të jemi të gatshëm, të dyja palët, për të filluar dhe për t’i adresuar këto çështje një e nga një. Niveli i marrëdhënieve tona është përmirësuar, por ne besojmë që nuk është ende aty ku do të dëshironim të ishim, kështu që në këtë kontekst takimet e zyrtarëve të lartë shqiptarë dhe atyre greke është koha që të shoqërohen edhe me hapa konkret siç është hapi që kemi arritur vjet, siç ishte rasti i zgjidhjes së çështjes së toponimeve. Për sa i përket kuadrit ligjor dhe institucional, ai është i qartë për të dyja palët. Kur flas për kuadër ligjor dhe institucional kam parasysh të drejtën ndërkombëtare, angazhimin në të drejtën ndërkombëtare, kam parasysh edhe detyrimet kushtetuese që kanë palët në këtë proces.

Ju thatë se keni diskutuar dhe për një afat kohor për të adresuar çështjet konkrete, kur është ky afat dhe cila do të jetë çështja e parë në diskutim për t’i dhënë një zgjidhje konkrete?

Së pari kemi riaktivizimin e komisioneve të përbashkëta, të cilat kanë një tematikë të caktuar dhe ne dëshirojmë që të intensifikojmë punën në mënyrë që të kemi produkte sa më solide në këtë proces. Së dyti ka çështje të cilat janë kryesisht të një natyre më unilaterale, pra që kanë të bëjnë me rregullime të brendshme, të rendit ligjor dhe së treti ka edhe çështje për të cilat nevojiten diskutime të mëtejshme në mënyrë që ne të arrijmë një zgjidhje të pranuar nga të dyja palët. Për sa i përket afatit kohor, kolegu grek ishte në Shqipëri gjatë verës dhe unë do të vizitoj gjithashtu Greqinë në fillim të vitit të ardhshëm për të intensifikuar pikërisht këtë proces i cili ka kohë që ka nisur ndërmjet dy vendeve tona.

Ministeriali i Ministrave të Jashtëm pritet të zyrtarizojë ftesën për anëtarësimin e Malit të Zi. Si e konsideroni këtë vendim?

Shqipëria ka qenë që në krye të herës në mbështetje të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe këtë proces e kemi mbështetur politikisht dhe e kemi avokuar në të njëjtën kohë si një garanci për një prani më të madhe të NATO-s në rajonin tonë për të kyçur gjithë pjesën e Evropës Adriatike brenda radhëve të NATO-s, për të reduktuar sa më shumë të jetë e mundur influencën e aktorëve të tretë në rajon dhe natyrisht për të zgjeruar rrezen e veprimit demokratik të familjes euroatlantike në rajonin tonë si një garanci edhe për një zhvillim ekonomiko-social më të qëndrueshëm të rajonit. Shqipëria është konsideruar edhe nga partneri kryesorë strategjikë siç është SHBA, si një mentor në Ballkan për sa i përket procesit të anëtarësimit në NATO. Në këtë kontekst ka qenë përgjegjësi e jona edhe më e madhe për të mbështetur aspiratën e Malit të Zi për t’iu bashkangjitur familjes sonë euroatlantike.

Ishte Kosova pjesë e diskutimeve në tryezat e Ministerialit?

Nuk mund të them që zhvillimet në Kosovë kanë qenë pjesë specifikisht e diskutimeve këtu, por në një sens Kosova si një nga vendet më të reja të Evropës, si edhe siguria e saj dhe e të gjitha vendeve të tjera të rajonit është shqetësim për NATO-n. Qëndrimi i Shqipërisë për sa i përket Kosovës dhe për sa i përket afrimit të Kosovës me NATO-n ka qenë i qartë, ne avokojmë një marrëdhënie të institucionalizuar pavarësisht faktit që një pjesë e vendeve anëtare të NATO-s nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës apo shtetin e Kosovës, ne kërkojmë qëndrim në një raport të institucionalizuar të NATO-s me Kosovën, pra një politikë më kreative në këtë drejtim pavarësisht çështjes së statusit që do t’i krijonte mundësi jo thjesht reformimit të forcave të sigurisë në Kosovë dhe krijimit të ushtrisë Kosovare, por do të krijonte gjithashtu një projektim të qartë afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë të një angazhimi strategjik të Kosovës me strukturat euroatlantike. Besoj se në këtë drejtim ngjarjet e fundit në Kosovë, eksperimentimi apo polarizimi i tejskajshëm në retorikë e në veprime nuk i shërben nevojës që ka Kosova për një frymë emergjente mirëkuptimi mes aktorëve kryesorë politike dhe për një frymë të plotë konsensuale në caktimin e prioriteteve strategjikë të Kosovës si për sa i përket BE-së ashtu edhe NATO-s. Çdo ditë që humbet në këtë drejtim është një periudhë e cila me shumë vështirësi mund të rikuperohet nga ana e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat