Reforma në drejtësi, Komisioni Ad-Hoc diskuton nesër draftin e ekspertëve/PD letër në Venecia, Vlahutin në zyrën e Metës

Shqipëria

Reforma në drejtësi, Komisioni Ad-Hoc diskuton nesër draftin e ekspertëve/PD letër në Venecia, Vlahutin në zyrën e Metës

Më: 14 janar 2016 Në ora: 14:48

Një ditë përpara se komisioni parlamentar Ad-Hoc për Reformën në Drejtësi të marrë në shqyrtim draftin e ekspertëve të nivelit të lartë, politika shqiptare është angazhuar në takime intensive. Kryeministri Edi Rama dhe Kreu i Kuvendit Ilir Meta zhvilluan gjatë 24 orëve të fundit dy takime të cilat zgjatën për rreth 4 orë, ndërsa Ambasadorja e BE-së në Tiranë Romana Vlahutin pas Kreut të Qeverisë takoi edhe Kryeparlamentarin. Në anën tjetër Kreu demokrat Lulzim Bash aka thirrur në një takim ekspertët që përfaqësojnë PD-në në tryezën e nivelit të lartë për të diskutuar edhe njëherë mbi propozimet e bëra nga Komisioni i Venecias dhe për të bërë një ballafaqim mes tyre dhe draftit të hartuar nga ekspertët, pa praninë e opozitës. Palët duken larg arritjes së një konsensusi për tu përfaqësuar vetëm me një draft mbi reformën në drejtësi para Komisionit të Venecias, por qëndrimi i PD-së përafrohet më shumë me atë të ekspertëve të Ministrisë së Drejtësisë, sesa i këtyre të fundit me ekspertët e nivelit të lartë të mazhorancës.

Po kështu edhe qëndrimi politik i PD-së në lidhje me reformën në drejtësi është më i përafërt me atë të shfaqur nga LSI, e cila në dallim nga aleatët e PS-së mbështet konsensusin politik në lidhje me një nga reformat më të rëndësishme në vend.

Në takimin e zhvilluar në selinë e PD-së mes Bashës dhe ekspertëve të opozitës, burimet konfirmojnë se demokratët do t’I qëndrojnë deri në fund rekomandimeve të dhëna nga Komisioni i Venecias. Kjo do të thotë se edhe në mbledhjen e Komisionit Ad-Hoc, deputetët demokratë do të mbështesin këto rekomandime dhe jo draftin e ekspertëve të mazhorancës.

Burime nga PD theksojnë se paralelisht me këtë qëndrim, opozita do ti drejtohet Komisionit të Venecias me një letër sqaruese mbi qëndrimin e saj ndaj draftit të ekspertëve të nivelit të lartë, duke vënë theksin në 11 amendamentet që propozon PD, por të cilat bashkë me amendamentet e ekspertëve të Ministrisë së Drejtësisë, nuk janë përfshirë në draftin e ekspertëve të lartë, mbi ndryshimet kushtetuese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat