PD-ja mbledh ekspertët, Halimi: Jemi me Komisionin e Venecias

Shqipëria

PD-ja mbledh ekspertët, Halimi: Jemi me Komisionin e Venecias

Më: 15 janar 2016 Në ora: 00:49

Partia Demokratike mbledh ekspertët për të diskutuar rreth qëndrimit në lidhje me reformën në drejtësi. Një ditë para mbledhjes së Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, PD-ja ka thirrur në një mbledhje ekspertët e saj.

Takimi u zhvillua në selinë blu.

Në përfundim të takimit, deputeti demokrat, Eduart Halimi, tha se opozita mbështet rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe do të ngulë këmbë që ato të pasqyrohen në draftin për reformën në drejtësi.

“Ne jemi me “Venecian”, drafti për reformën në drejtësi duhet të përmbajë një më një të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias”, tha Halimi në përfundim të takimit të ekspertëve në selinë blu.

“Për PD-në, reforma është jetike. Një reformë në drejtësi, e cila duhet të bëjë të mundur largimin e gjyqtareve dhe prokurorëve të korruptuar, por ta mbajë sistemin e drejtësisë të pavarur. Të implementojë një e nga një të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias. Çdo devijim nga këto rekomandime ka për qëllim kapjen e sistemit të drejtësisë”, tha Halimi.

Të premten pritet të mblidhet Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi, i cili do të njihet me draftin e përgatitur nga ekspertët e nivelit të lartë. Në mbledhje mësohet se do të jenë të pranishëm edhe deputetët e opozitës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat