Reforma në Drejtësi, 3 orë debate mes pozitës dhe opozitës/Venecias i dërgohet drafti i ekspertëve dhe propozimet e PD-LSI

Shqipëria

Reforma në Drejtësi, 3 orë debate mes pozitës dhe opozitës/Venecias i dërgohet drafti i ekspertëve dhe propozimet e PD-LSI

Nga: Gjergj Koja Më: 15 janar 2016 Në ora: 14:55

Drafti i hartuar nga ekspertët e nivelit të lartë, si dhe opinionet dhe rekomandimet e Partisë Demokratike dhe LSI do të përcillen drejt Komisionit të Venecias. Është ky vendimi i marrë në mbledhjen e Komisionit Ad Hoc mbi Reformën në Drejtësi pas 3 orë diskutimesh dhe debatesh mes anëtarëve të komisionit, ku të pranishëm ishin edhe deputetët e opozitës.

Mbledhja e Komisionit nisi me prezantimin e draftit nga eksperti Sokol Sadushi, i cili tha se në zbatim të udhëzimeve të Komisionit të Venecias, është synuar një thjeshtim në mënyrën e bashkëpunimit institucional, thjeshtim në përbërje dhe në kompetenca.

"Drafti për amendamentet kushtetuese është pregatitur mbi bazën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Lidhur me skemën institucionale ne kemi shkuar drejt asaj që Venecia thotë përe thjeshtim skeme që duhet kuptuar jo si fshirje institucionale por thjeshtim që ka të bëjë me bashkëpunimin institucional, qoftë në përbërje dhe kompetenca. Kemi ndryshuar çështjen e inspektorit nga Inspektoriat i Lartë në inspektor. Kemi ndryshuar disa çështje që kanë të bëjnë me tribunalin, kompetencat e tribunalit dhe të përbërjes së Këshillit të Emërimeve. Ashtu si kemi shtyrë edhe hyrjen në fuqi të gjykatës së lartë administrative.

Lidhur me gjykatën Kushtetuese janë evidentuar të gjitha rekomandimet e Venecias, është evidentuar dhe ajo që ka qenë debat lidhur me mundësinë apo pamundësinë e Gjykatës Kushtetuese për të kontrolluar amendamentet kushtetuese.Ashtu si kemi evidentuar edhe çështjen e përgjegjësisë disiplinore që duhet të kenë gjyqtarët kushtetues që do kontrollohet apo shqyrtohet nga vetë gjykata Kushtetuese. Lidhur mbi rolin e Ministrit të Drejtësisë ka qenë pika më kritike që opinion i Venecias ka sugjeruar, ne kemi shmangur atë që Venecia thotë sa i përket konfliktit të interesave lidhur me pjesmarrjen e Ministrit në tribunal apo Këshillin për emërimet por kemi mbetur tek ajo që duhet ta ketë, procedimin disiplinor por jo ekskluzivitet të tij.Do ta ketë procedimin nëpërmjet inspektorit. Lidhur me pozicionin e prokurorit të përgjithshëm dhe strukturës së posaçme për veprat antikorrupsion kemi përcaktuar një marrëdhënie më të qartë. Ndërkohë edhe mekanizmi i zgjedhjes së prokurorit të përgjithshëm ka gjetur vend në Kushtetutë. Sa i përket çështjes së vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve mendoj se kemi gjetur një zgjidhje që kënaq Venecian në atë çfarë ka rekomanduar", tha Sadushi

Kryetari i Komisionit Ad Hoc, deputeti socialist Fatmir Xhafaj tha se reforma është e bazuar gjerësisht mbi ekspertizën vendase dhe të huaj. Sipas tij, drafti i hartuar nga ekspertët është baza për të vijuar dialogun për konsensus më të gjerë.

“Dy gjëra janë të dallueshme këtu, që reforma është themelore për integrimin dhe mbi të gjitha për demokracinë dhe së dyti biem dakort që produkti që kemi është një projekt që ka një bazament të shëndetshëm me të cilin të gjithë ndajmë shumë pika të përbashkëta, por me rezervën që kemi kendvështrime të ndryshime për çështje të vecanta nga pikëpamja e leximit që u është bërë udhëzimeve të venecias. Këto dyja janë një bazament i rëndësishëm për të vazhduar një dialog për të vazhduar një konsensus më të gjerë se ky që kemi sot. Tre çështje janë në bazamentin e këtij projekti, lufta kundër korrupsionit të sistemit, efikasiteti i saj dhe roli i politikës. Dy të parat janë trajtuar, sa i takon çështjes së tretë, mund të gjejmë një emërues të përbashkët”, tha Xhafaj.

Ndërkohë deputeti socialist Pandeli Majko ashtu si edhe kryeministri Rama u shpreh se nëse nuk gjendet një zgjidhje konsensuale mes palëve, atëherë zgjidhja e vetme mbetet publiku.

“Edhe nëse do biem dakort të mos biem dakort, ne kemi dhe një rrugë të fundit, shkuarja te publiku, referendumi. Kjo është e natyrshme për t’i dhënë fund çdo lloj skenari që diku po gatuhet një grusht shtetit për të marrë në dorë sistemin e drejtësisë. Një parti me 62 vota nuk mund të bëjë grusht shteti. Kolegët e opozitës kanë të drejtën si opozitë të shprehin mosbesim. Dua të nënvizoj, se ne kemi ardhur me një qëndrim shumë të qartë për të ndryshuar kushtetutën, ligj që nuk është pronë e asnjë partie, dhe konsensusi politik do jetë kryefjala e diskutime të përbashkëta. Ne do t’i qëndrojmë asaj që kemi thënë në fillim të procesit, që këtë do ta bëjmë me ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë. E ritheksoj që konsensusi politik është shumë i rëndësishëm, por besoj dhe jam i bindur që do kem mirëkuptimin se prevalenca përballë konsensusit politik, ka të bëjë me integrimin e Shqipërisë në BE. Integrimi lidhet shumë me këtë reformë. Ne nuk kemi të drejtë të bëhemi ekspertë dhe përfaqësues të Venecias. Në këtë pikë edhe unë së bashku me kolegët, do t’i drejtohemi edhe asaj që foli Braho, në një reflektim në lidhje me shumicën e 2/3 apo 3/5. Ne duam sistem funksional, jo i cili të diskutohet nga marrja ose jo nga politika. Nëse diskutojmë pavarësinë e drejtësisë, është mirë që të shohim si është drejtësia sot. U detyrohemi ndjesë atyre prokurorëve që sot me ndershmëri ushtrojnë detyrën. Parlamenti nuk po tregohet i një anshëm, ligji i dekriminalizimit në thelb ka të bëjë me ndërprerje mandatesh. Parlamenti e ka filluar nga vetja, për të vazhduar me reformën në drejtësi.

Edhe nëse do biem dakort të mos biem dakort, ne kemi dhe një rrugë të fundit, shkuarja te publiku, referendumi. Kjo është e natyrshme për t’i dhënë fund çdo lloj skenari që diku po gatuhet një grusht shtetit për të marrë në dorë sistemin e drejtësisë. Një parti me 62 vota nuk mund të bëjë grusht shteti," tha Majko.

Por deputeti demokrat Arben Ristani ka shprehur kundërshtitë e opozitës në lidhje me idenë e hedhur nga Kryeministri Edi Rama dhe mbështetur nga deputeti Majko për zhvillimin e një referendumi për reformën në drejtësi dhe ndryshimet kushtetuese. Ristani tha se referendumi nuk është një zgjidhje, ndryshe nga krahu i maxhorancës e cila nga vetë kryeministri u cilësua si ide e mirë.

Duke iu drejtuar deputetit socialist, Pandeli Majko, Arben Ristani tha se ligji aktual i referendumeve nuk mundëson zhvillimin e tyre. “Me ligjin aktual nuk mund të bëhet referendum për reformën në drejtësi. Nëse keni ndërmend të ndryshoni ligjin për referendumet atëherë po, por me këtë ligj ekzistues nuk mund të shkoni sepse ligji kërkon 1/3 e listës zgjedhore, pra 1.3 milionë, që të jetë pro dhe pjesëmarrjen e dyfishit të tyre në votime, pra 2.6 milionë votues. Ju e dini që kjo është e pamundur sepse në Shqipëri numri i votuesve pjesëmarrës është 1 milionë e gjysmë”, deklaroi Ristani.

Anëtari i Komisionit të posaçëm për reformën në Drejtësi, Fatmir Mediu tha se baza në gjykimin e opozitës për një konsensus të plotë politik e në përputje me kushtetutën janë rekomandimet e Komisionit të Venecias. “Pajtohem me Halimin se nga pikëpamja thelbësore, do ishte e e rëndësishme që Rekomandimet e Venecias të ishin pjesë e debatit, në mënyrë që të arrijmë në produkt konsensual. Për t’i lexuar drejt rekomandimet. Shqetësimi ynë është që në draftin e paraqitur ka elementë që nuk respektojnë rekomandimet dhe nuk garantojnë pavarësinë e gjyqësorit,” u shpreh Mediu.

Ai shtoi më tej se nevoja për konsensusin mes dy palëve ka të bëjë edhe me miratimin e draftit, i cili kërkon 2/3 e votave. “Jemi ulur për të realizuar një konsensus sepse nuk mund të miratohet as drafti pa 2/3. Nëqoftëse ju na kërkoni konsensusin për 2/3 për ta votuar draftin. Shkruani në një pikë që nuk kemi nevojë, se kemi 3/5. Unë ngre shqetësimin që me 3/5 jo vetëm që nuk garantohet pavarësia por çimentohet një lloj kontrolli politik i institucioneve gjyqësore,” deklaroi ai.

Deputeti i LSI-së Spartak Braho ka shprehur disa nga vërejtjet dhe mendimet e LSI-së lidhur me draftin e ekspertëve. Spaho tha se LSI ka disa rezerva që do t'ia paraqesë kryetarit të Komsiionit ndër të cilat, mandati i institucioneve, oragniziimi i Gjykatës së lartë, i Prokurorisë dhe roli i ministrit të Drejtësisë. “Ne ndahemi me draftin tek sistemi i karrierës. Duam të dominojë sistemi i karrierës. Kemi mendim ndryshe për mandatin e institucioneve. Kemi riformulim tjetër për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, sipas modelit gjerman. Opsion tjeter lidhur me organizimin e Gjykatës së Lartë e vetme dhe e ndarë në seksione. Kemi gjykim tjeter në lidhje me oragnizimin e Prokurorisë. Jemi për formulime që rrisin rolin e ministrit Drejtësisë", janë disa nga pikat që LSI ka kontestimet e saj në lidhje me draftin e paraqitur.

Deputeti demokrat Eduart Halimi tha se Komisioni duhej të ishte mbledhur fill pas mbërritjes së raportit me udhëzimet e Venecias.

“Duhej të ishte mbledhur komisioni atë ditë. Të ishim ne si Komision që t’i jepnim detyrën ekspertëve që të uleshin bashkë dhe t’u kërkonim implementimin ne si komision udhëzimet e Venecias”, tha Halimi. Sipas tij, kjo ishte rruga e duhur që duhej ndjekur që në fillim dhe palët të lexonin raportin e Venecias, ku 15 nga pikat e draftit të mëparshëm bien me standardet e demokracisë. “Mes këtyre pikave, Venecia thekson omniprezencën e ministrit të Drejtësisë, kapjen e Komisionit të Kualifikimeve, kapjen e drejtësisë, çimentimin e kapjes së saj. Sot ekspertët mund të marrin detyrat nga Parlamenti dhe të ulen bashkë me ekspertët e opozitës dhe të implementojnë të gjitha udhëzimet e Venecias. Kjo është kërksa jonë e parë që duhet të shkojë në të njëjtën linjë me rekomandimet e Venecias”, u shpreh Halimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat