Blushi- Ramës: Pas dekriminalizimit, më shumë kasapë sesa na duhen

Shqipëria

Blushi- Ramës: Pas dekriminalizimit, më shumë kasapë sesa na duhen

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 16:06

Deputeti socialist Ben Blushi, i cili ka intensifikuar kritikat në drejtim të kryeministrit Edi Rama, të cilin e ka sfiduar për garën e kryetarit të partisë, ka ironizuar me të pas një deklarate dhënë nga kreu i mazhorancës për punësimin.

“Doli kryeministri që u thoshte shqiptarëve ju harxhoni kohën kot duke ndejtur në kafe e bilardo, ka vende sa të doni pse nuk shkoni të punoni. Ka më shumë vende pune se shqiptarë e se qytetarë, e tha kryeministri, më habiti.

Në Korçë tha, është një fabrikë që kërkon kasapë, por në Korçë ka më shumë juristë se kasapë. Të presin ligjin për dekriminalizimin se do gjejnë kasapë më shumë se u duhen. Shqiptarët që na shohin në televizion kujtojnë se ne tallemi me ata.

Se ne akuzojmë shqiptarët se ne u japim punë por ata nuk dinë të punojnë, se ne u japim punë, por ata janë të pakualifikuar”.

Më tej, ai komentoi nga foltorja e parlamentit edhe procesin e Reformës në Drejtësi dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.

Blushi tha se, këto nisma janë shtyrë duke krijuar idenë se kemi pakt mes palëve për të mos hetuar zyrtarët. Byroja sipas tij nuk duhet të jetë një pakt mes të korruptuarve.

“Parlamenti jonë e ka këtë tipar, nevojën për të shtyrë emergjencat. Kështu ndodhi edhe me ligjin për dekriminalizimin, u miratua në limite. Kush është perceptimi që kanë njerëzit, që ne bëjmë ligje dhe nuk i zbatojmë ligjet.

Ne bëjme pakte dhe gjejmë konsensus që të mos ndëshkohemi reciprokisht. Kjo që po ndodh me ligjiN e dekriminalizimit do të ndodhë edhe me byronë dhe reformën në drejtësi. Ligj për dekriminalizimin pati, por dekriminalizim nuk pati, reformë në drejtësi do ketë por drejtësi nuk do ketë”,- deklaroi deputeti.

“Shtyrja e miratimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe reformës në drejtësi, i dobëson deri në nul të gjitha pretendimet e qeverisë se ka reforma në Shqipëri. Të krahasosh reformat e pretenduara me reformat e vërteta si koncept është njëlloj si të krahasosh 21 janarin me lagjen 21 dhjetori”,- deklaroi Blushi.

“Për fat të keq, duke shtyrë reformën në drejtësi, hetimin për ne, byronë e hetimit po i bindim shqiptarë se ekziston një pakt që mos të ketë ndëshkim dhe hetim për zyrtaret”,- vijoi Blushi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat