Debatet në Grupin e PS, Rama-Blushit: Vagabond, shpifës racional. Thuaj emrat e deputetëve të inkriminuar. Reagimet pas mbledhjes me dyer të mbyllura

Shqipëria

Debatet në Grupin e PS, Rama-Blushit: Vagabond, shpifës racional. Thuaj emrat e deputetëve të inkriminuar. Reagimet pas mbledhjes me dyer të mbyllura

Nga: Gjergj Koja Më: 7 mars 2016 Në ora: 15:18

Grupi Parlamentar socialist është përfshirë nga debatet e forta, që kanë shkuar deri në fyerje, në lidhje me incidentin e Elbasanit ndaj deputetit Ben Blushi, por edhe mbi deklarimet e këtij të fundit në drejtim të kolegëve të tij socialistë dhe akuzat se Grupi Parlamentar i PS-së është i mbushur me kriminelë.

Burime nga PS theksojnë se deputetit Blushi i janë kërkuar emra mbi akuzat e tij se në grupin e PS-së ka persona të inkriminuar, ndërsa mësohet se ligjvënësi socialist nuk ka dhënë asnjë emër.

Burimet shprehen se Blushi ka akuzuar lidershipin e PS-së si frymëzuesit e incidenteve dhe ngjarjeve të tilla si ajo e Elbasanit.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar, e cila është zhvilluar me dyer të mbyllura, deputeti Blushi në një prononcim për mediat ka konfirmuar debatet në mbledhjen e grupit, duke theksuar se ngjarje si ajo e Elbasanit e kanë burimin në këtë seli.

“Ata 15 apo 20 persona unë i kam falur, i kam falur se kjo më takon mua, por i kam falur edhe se ato persona janë nën ndikimin e një presioni psikologjik nga kjo seli. Shkova për të kërkuar zgjedhje të lira në këtë parti. Por në një seli ku flitet për karvane, për armiq, etj etj, priten edhe probleme të tilla. Ky nuk është problemi i Ben Blushit, ky është problemi i PS-së. PS duhet të mbajë një qëndrim dhe të distancohet nga probleme të tilla. Njerëzit po nxiten për të kundërshtuar me dhunë ata që smendojnë njëlloj si ata”, u shpreh Blushi.

Reagimi Balla

Por, Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas mbledhjes së grupit parlamentar ka thënë se secili prej deputetëve e ka në dorë fatin e vet politik, duke nënkuptuar se Ben Blushi nëse vijon të sillet në të njëjtën mënyrë siç po sillet aktualisht, mund të përjashtohet, ndonëse nuk e ka artikuluar një gjë të tillë. Balla akuzoi Blushin se ka tensionuar jo vetëm takimin në Elbasan, por edhe grupin parlamentar socalist, duke hedhur baltë mbi grupin.

“Keqardhje për ngjarjen në Elbasan. Nuk duhet të fyejmë sallat prej të cilave jemi zgjedhur. Duhet të respektojmë anëtarët e PS. Ps është parti shumë demokratike. Duhet të zgjedhim mes halleve që kanë sallat dhe karriges që duam të kemi”, theksoi Balla.

Grupi i PS, sipas Ballës trajtoi kërkesën nga deputetet Mimoza Hafizi e Arta Dade, por tha se kjo është cështje e kompetencë e Asamblesë Socialiste të Elbasanit.

Debatet

Rama- Blushit: Vagabond, i paturp, shpifës racional. Më thuaj me emra kush janë kriminelët?
Blushi: Ke futur Tom Doshin. Kodheli në 2013 më tha mos e fusni në listë Arben Ndokën, ka precedent

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat