Akuzat, Rama sfidon Blushin

Shqipëria

Akuzat, Rama sfidon Blushin

Më: 8 mars 2016 Në ora: 07:54

Mbledhja e radhës e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ashtu siç pritej, nuk kaloi pa debate dhe kjo për shkak të ngjarjes së pak ditëve më parë në qytetin e Elbasanit. Si shpesh herë në këto kohët e fundit “strumbullari” ishte sërish deputeti “rebel” i PS-së, Ben Blushi.

Akuzat e drejtpërdrejta të Blushit se grupi parlamentar i PS-së në mesin e tij ka kriminelë, sollën një përplasje të ashpër me kreun e PS-së Edi Rama. Mbledhja dhe përplasja Rama - Blushi Pak ditë më parë, Partia Socialiste zhvilloi një takim në qytetin e Elbasanit, nga ku iu urua mirëseardhja në parti 4 mijë të rinjve.

Ndonëse nuk ishte ftuar të merrte pjesë, deputeti i Elbasanit, Ben Blushi, iu bashkua PS-së, fakt ky që solli edhe acarimin e të pranishmëve në pallatin e sportit, duke kërkuar largimin e tij mes britmave dhe fishkëllimave. Ditën e diel, deputetet e PS-së, Arta Dade dhe Mimoza Hafizi, me anën e një letre, i kërkuan kreut të grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, që incidenti i Elbasanit të diskutohej gjatë mbledhjes së ditës së hënë.

Rreth orës 13:00 nisi mbledhja e grupit parlamentar të PS-së. Kreu i kësaj force, Edi Rama, iu bashkua mbledhjes sapo u kthye nga qyteti i Shkodrës, ndërsa pjesë e saj u bënë edhe Blushi, Dade dhe Hafizi. Fillimisht minutat e para të mbledhjes i zuri diskutimi mbi projektligjet që pritet të kalohen gjatë ditës së enjte, ndërsa më pas pjesën tjetër e zuri debati mbi ngjarjen e Elbasanit.

Ishte fillimisht kreu i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, që e hapi si çështje duke u shprehur se nuk ka pse të diskutohet në grupin parlamentar, duke qenë se kjo çështje duhet të diskutohet në Asamblenë Socialiste të Elbasanit. Por duket se nuk ndau të njëjtin mendim me Ruçin, deputetja e Shkodrës, Mimoza Hafizi, e cila citohet të ketë thënë: “Blushi është edhe deputet i këtij grupi parlamentar, nuk është i ngarkuari i PSsë së Elbasanit, ndaj kjo çështje duhet diskutuar në grup”.

E këtij mendimi ka qenë edhe deputetja tjetër Arta Dade, e cila është shprehur se këto gjëra PS-së i kanë ndodhur gjatë qeverisjes së Sali Berishës, pasi njerëz të dërguar prej tij shkonin dhe i prishnin takimet PS-së. Dade është shprehur se i vinte keq për incidentin, duke u shprehur: “më vjen keq se organizatorë kanë qenë edhe shokë me eksperiencë si Musai (Ulqini) dhe Anastasi (Angjeli) dhe e lejuan që të ndodhte një gjë e tillë.

Deklarata e Dades ka sjellë nervozizëm tek deputeti Anastas Angjeli. Ndërsa deputetja Dade përfundoi duke thënë: “Nëse është kështu i bie që ta mbyllim edhe ne gojën, por kjo gjë sikur nuk shkon në partinë tonë”. Debati do të zhvillohej me tonë të ashpra dhe me fyerje në momentin kur deputeti Blushi mori fjalën duke akuzuar drejtpërdrejt Ramën, se ngjarja e Elbasanit ishte e inskenuar nga Tirana dhe se ata njerëz kishin marrë urdhër për të bërë ato veprime.

“Nuk ishte faji i sallës përderisa unë ka kohë që jam abandonuar nga ministra dhe nga vetë kryeministri”, citohet të ketë thënë Blushi. Deputeti “rebel” nuk është mjaftuar me kaq, duke u shprehur se ai e ngre zërin pasi si ata të Elbasanit, ka edhe brenda grupit parlamentar të PSsë. Këto fjalë sollën një gjendje tensioni në sallë, ndërsa kreu i PS-së, Rama kaloi në “sulm” ndaj Blushit. Kreu i ekzekutivit iu drejtua Blushit duke i thënë se po iu drejtohet socialistëve me gjuhën e Saliut dhe se ka dy vite që shpif kundër partisë.

“Të të vijë turp me këto që thua. Janë shpifje. Na i thuaj me emra këtu se kush janë kriminelë’, citohet të ketë thënë Rama. Në debat e sipër, derdhja e një gote uji, do të sillte edhe batuta dhe të qeshura. “Ti gjuan me ujë”, i ka thënë Blushi- Ramës. Ndërsa përgjigja e këtij të fundit ishte: “Nëse do të bënte punë të kisha hedhur një kovë me ujë, por kam frikë se nuk ka shanse që të kthjellohesh”. Ndonëse nuk përmendi emra, Blushi është shprehur se para disa vitesh deputetë nga ky grup kanë nxjerrë pistoletën në Kuvend dhe këtë e ka thënë edhe ambasada amerikane. Në fund ndërhyri kreu i grupit, Ruçi duke i dhënë fund mbledhjes. Kreu i PS-së e la selinë rozë rreth 30 minuta pas deputetëve, për shkak të një mbledhjeje me koordinatorët. Interesit të medias rreth mbledhjes Rama iu përgjigj buzagaz: “Ka gjithmonë debate, prandaj quhet Partia Socialiste”.

Rama: Nëse të kthjellon, të kisha hedhur një kovë me ujë

Ruçi: Më ka ardhur një letër nga dy deputet lidhur me atë të ashtuquajturin incident në Elbasan. Por duhet të kemi parasysh që ai ishte një aktivitet për anëtarësimet e reja në parti në qarkun e Elbasanit. Pra ne si grup parlamentar nuk kemi tagrin që të bëjmë gjykatësin për aq kohë që janë strukturat e partisë Elbasan që duhet ta analizojnë këtë rast.

Hafizi: Blushi është edhe deputet i këtij grupi parlamentar, nuk është i ngarkuari i PS-së së Elbasanit, ndaj kjo çështje duhet diskutuar në grup. Prandaj edhe ne e kemi bërë këtë kërkesë

Dade: Këta gjëra na kanë ndodhur dikur, kur vinin njerëzit e Saliut dhe na prishnin takimet. Më vjen keq se organizatorë kanë qenë edhe shokë me eksperiencë si Musai (Ulqini) dhe Anastasi (Angjeli) dhe e lejuan që të ndodhte një gjë e tillë. Nëse është kështu i bie që ta mbyllim edhe ne gojën, por kjo gjë sikur nuk shkon në partinë tonë

Blushi: Ajo që ndodhi në Elbasan është frymëzuar nga kjo seli. Nuk ishte faji i sallës përderisa unë ka kohë që jam abandonuar nga ministra dhe nga vetë kryeministri. Ata 15 banditë që bërtisnin, se nuk ishin më shumë, ishin të urdhëruar ta bënin një gjë të tillë. Por unë i kam falur ata. Ka një frymë urrejtje. Unë kam ngritur zërin se ka elementë të tillë kudo, edhe në këtë grup parlamentar.

Rama: Të të vijë turp me këto që thua. Janë shpifje. Ti ke dy vite e gjysmë që shpif kundër partisë tënde. Ke dy vite e gjysmë që përdor gjuhën e Saliut. Sot është dita që t’i tregosh këtij grupi kush janë kriminelët sipas teje. Por para se ta bësh një gjë të tillë po të deklaroj me përgjegjësi që asnjë deputet i PS nuk ka në veprimtarinë e tij asnjë vepër apo çështje që lidhet me ligjin e dekriminalizimit. Tani meqenëse ligji u miratua ti duhet t’i kërkosh falje grupit parlamentar.

Blushi: Ti mbron një deputet që ka plagosur 4 njerëz. Nga ky grup ka njerëz që kanë nxjerrë pistoletën në Kuvend. Ndërsa më janë lutur që individë të veçantë mos t’i kandidonim në zgjedhjet e 2013-ës. (

Në nxehje e sipër Rama rrëzon një gotë më ujë)

Blushi: Ti gjuan dhe me ujë

Rama: Nëse do të bënte punë të kisha hedhur një kovë me ujë, por kam frikë se nuk ka shanse që të kthjellohesh.

PS mbledh Asamblenë ditën e mërkurë

Ditën e mërkurë në orën 12:00, Partia Socialiste mbledh Asamblenë Kombëtare. Në rendin e ditës Asambleja do të ketë 6 pika. Fillimisht do të bëhet një relacion nga grupi i punës së organizmit dhe koordinimit, mbi zgjedhjet në parti dhe anëtarësimet e reja. Pika e dytë që pritet të ketë diskutime ka të bëjë me projekt- statutin e ri të partisë, i hartuar nga grupi i punës, i kryesuar nga deputeti Fatmir Xhafaj.

Drafti i ri me ndryshimet statutore, i përshtatur me modelin e laburistëve britanikë, më pas do t’i kalojë Kongresit për votim. Pika e tretë e parashikuar i takon propozimeve për përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Pika e 4 lidhet me një projekt vendim për propozimin dhe përzgjedhjen e kandidaturave të Këshillit të Gruas Socialiste.

Çështja e parafundit lidhet me projekt vendimin për përzgjedhjen e anëtarëve të përfaqësisë të komisionit të verifikimit të mandateve dhe të komisioneve të votimit dhe të numërimit të votave. Ndërsa pika e fundit është projekt vendimi për zgjedhjet në strukturat e partisë në emigracion dhe udhëzimi përkatës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat