Blushi: Propozimi për referendum në PS, marrëzia e Edi Ramës

Shqipëria

Blushi: Propozimi për referendum në PS, marrëzia e Edi Ramës

Nga: Gjergj Koja Më: 9 mars 2016 Në ora: 16:40

Marrëzi e ka cilësuar deputeti Ben Blushi, propozimin e kreut socialist Edi Rama, për të shkuar në një referendum të anëtarësisë së PS-së, për tu shprehur nëse në këtë parti duhet të ketë zgjedhje për kreun e kësaj partie apo jo. Në një prononcim për mediat, Blushi tha se përmes këtij propozimi Rama kërkon të hyjë në një proces zgjedhor brenda partisë pa pasur kandidatë rivalë, ose e thënë që Edi Rama të kandidojë përballë Edi Ramës.

“Referendumet si parim nuk bëhen për njerëz por për çështje. Cila është çështja që Rama kërkon të bëjë refernendum? Për të marrë mandat të përhershëm? Kjo është absurde. Kjo do të kthehet në një barcaletë. Nuk duhet të respektojmë një statut që është votuar ndërsa duhet të respektojmë një statut. Jam pro erferendumit nëse ky statut hidhet për referendum jam dakord. Por Rama duhet të thotë pyetjen. Cila është kjo: Ti jepet Edi Ramës mandat të përherhshëm? Të mos kete zgjedhje për kryetar? Është e parasyeshme , është marrëzia e një njeriu që do të shkojë në zgjedhje pa kandidat. Edi Rama kërkon të konkurojë përballë Edi Ramës”, u shpreh Blushi për mediat, pas përfundimit të fjalës në Asamblenë Kombëtare të PS-së.

Deputeti socialist shprehu kritika gjithashtu për faktin se fjala e Kryeministrit Edi Rama u transmetua direkt, ndërsa për fjalimet e anëtarëve të tjerë të Asamblesë, u hoqën spinat e televizioneve. Blushi e konsideroi të paprecedentë situatën ku ndodhet Partia Socialiste, duke theksuar se nga njëra anë thuhet se statute është shkelur dhe nga ana tjetër thuhet hajde të respektojmë një statut që s’ka hyrë ende në fuqi.

Blushi ripërsëriti akuzat përsa i takon qeverisjes së vendit, duke theksuar se cmimi i energjisë elektrike është rritur, papunësia është rritur, nuk ka rritje pagash dhe pensionesh, ekonomia shqiptare është në deflacion, gjë që e pohon INSTAT. “Sot ekonomia është në deflacion, që do të thotë se s’ka fuqi blerëse, s’ka më para në qarkullim. Kjo do të cojë në uljen e prodhimit, do të cojë në rritjen e papunësisë. Ndaj nëse unë jam i gatshëm të debatoj me këdo janë cështjet ekonomike, është mënyra sesi po qeverisemi, pasi për mendimin tim, Rilindja ashtu si edhe PD janë dy forca të djathta, rilindja nuk ka lidhje fare me Partinë Socialiste që është një forcë e majtë. Por c’po ndodh? Ajo që po ndodh në këto vite është që shtresat në nevojë dhe të varfërit nuk mbrohen”, theksoi Blushi.
Referuar deklaratave se akuzat e tij janë të njëllojta me ato të ish-Kryeministrit Berisha, Blushi tha se kritikat e tij synojnë forcimin e PS-së, ndërsa Berisha do që PS të vazhdojë kështu sikundër po shkon deri tani. “Në Partinë Socialiste kanë mbetur shumë pak njerëz që e dinë se unë që nga 1991 deri më tani nuk kam menduar asnjëherë si Berisha, qoftë kur kam qene gazetar, qoftë tani që jam politikan”, tha Blushi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat