Kriza - Save the Children: Klandestinët në Idomeni thonë se do hyjnë në Shqipëri

Shqipëria

Kriza - Save the Children: Klandestinët në Idomeni thonë se do hyjnë në Shqipëri

Më: 13 mars 2016 Në ora: 00:15

Përveç mediave italiane dhe greke edhe Organizata të të drejtave të njeriut dhe ekspertë ligjorë po shprehin shqetësimin për mundësinë e kalimit të refugjatëve sirianë dhe irakianë nga Greqia në Shqipëri, tani që rruga kryesore e Ballkanit për në Evropë, është bllokuar nga mbyllja e kufijve.
Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Iman Aoun i organizatës “Save the Children” u shpreh: “Ne po dëgjojmë që refugjatët në Idomeni dhe zona të tjera në Greqi po flasin për të kaluar përmes Shqipërisë, megjithëse e kuptojnë që është një rrugë më e vështirë. Përveç krimit të organizuar, rreziku shtohet pasi ka më pak agjenci nderkombëtare për të ndihmuar me strehim, ushqime apo shërbime”.
Ai ka nënvizuar se “Save the Children” por edhe organizata të tjera po diskutojnë për vendosjen e ekipeve në Shqipëri.
Kjo lëvizje do të bënte që refugjatët të përdoreshin nga trafikantë të qënieve njerëzore të lidhur me grupe shqiptare të krimit të organizuar.
Matteo Albertini, një ekspert i grupeve kriminale italiane dhe shqiptare bie dakort me shqetësimet e grupeve të të drejtave se “ka rreziqe për abuzim”.
Ai beson se shumë do të varet nga fakti në se do të ketë mbyllje të mëtejshme të kufijve.
“Kjo do ta bënte situatën edhe më të vështirë dhe mbërritja e imigrantëve në Shqipëri mund të rigjallëronte rrugën e kontrabandës” përgjatë Adriatikut duke lidhur grupet italiane dhe shqiptare të krimit të organizuar.
Ndërkohë Ministri i Brendshëm Italian, Angelino Alfano, ka shprehur shqetësimin për rikthimin e këtij trafiku dhe ka paralajmëruar një vizitë në Tiranë.
Një grup karabinierësh italianë pritet sakaq të vendosen në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë për të ndihmuar policinë shqiptare në parandalimin e ndonjë fluksi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat