Ilir Meta: “Panama Papers”, të hetohet çdo rast

Shqipëria

Ilir Meta: “Panama Papers”, të hetohet çdo rast

Më: 11 prill 2016 Në ora: 09:41

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, u shpreh mbrëmë për televizionin “RTK” të Kosovës se autoritetet shqiptare duhet të hetojnë çdo rast të përfshirjes së Shqipërisë në parajsat fiskale, siç ishte rasti i një kompanie shqiptare në “Panama Papers”. Z.Meta komentoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe bëri thirrje që ato të jenë shumë më të ngushta se deri më sot.

Z. Meta, së fundmi u zbulua një skandal i madh, ku shumë liderë janë përfshirë në atë që quhet “Panama Papers”. Në to bënte pjesë edhe një kompani nga Shqipëria. A duhet të presim që të shohim edhe emrat e politikanëve shqiptarë në rrjedhjen e këtyre dokumenteve?

Fakti që ka dalë, mendoj se është një gjë pozitive, si e lexoj unë këtë çështje ose si duhet ta lexojmë ne, sepse ne asnjëherë nuk duhet të merremi me hallet e të tjerëve, duhet të merremi me hallet tona. Rasti konkret që ka dalë për një kompani shqiptare ose që ka aktivitet në Shqipëri, ka marrë këtë koncesionin për markimin e karburanteve, na tregon sesa të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm duhet të jemi në zhvillimin e praktikave koncesionare, sidomos të shërbimeve publike. Për mua patjetër çdo rast duhet të hetohet, dhe ne e kemi kërkuar këtë gjë. Dhe çdo rast tjetër që do të dalë jo vetëm nga “Panama Papers”, por edhe nga çdo lloj parajse fiskale, ku ka të përfshirë politikanë shqiptarë. Nuk po themi botërorë se nuk po përgjigjemi për të gjithë botën. Sepse kjo është një çështje që ka të bëjë me transparencën, por ka të bëjë edhe me integritetin, ka të bëjë në fund fare edhe me taksat e qytetarëve shqiptare. Sepse në qoftë se një qytetar i thjeshtë paguan atëherë pse dikush tjetër, qoftë ky një politikan apo një i afërm i një politikani apo edhe një biznesmen, duhet të gjejë mënyra dhe forma për të bërë manipulime të tilla dhe të shpëtojë nga këto detyrime. Pra janë arsye të shumta. Ajo që unë mendoj për ne, nga rasti në fjalë, është që ne duhet të forcojmë transparencën për sa i takon praktikës së dhënies së koncesioneve në të ardhmen dhe të përmirësojmë legjislacionin në këtë drejtim, sepse ato mund të kthehen në një barrë shumë të madhe për buxhetin e shtetit dhe në një pengesë për zhvillimin e vendit, dhe njëkohësisht, për fat të keq, në një kosto të rritur për qytetarët tanë dhe në një cilësi të parealizuar të shërbimeve ndaj tyre. Siç edhe ka ndodhur me shumë koncesione deri tani.

A mund të dalin edhe të tjera? A keni informacione?

Ne jemi për transparencë të plotë. I takon Prokurorisë shqiptare të bashkëpunojë më të gjithë institucionet e vendeve të tjera, ku ka parajsa të tilla. Të bashkëpunojë me partnerët tanë kryesorë, agjencitë e tyre, me SHBA-të, me vendet evropiane dhe të hetojë në çdo rast.

Z. Meta, si po ju shkojnë punët me partnerin e koalicionit në Shqipëri? Në pjesën e parë të bashkëpunimit keni prodhuar shumë lajme me partnerin tuaj, Partinë Socialiste, por tani keni dalë paksa në ujëra të qeta. Çfarë ndodhi realisht?

Lëvizja Socialiste për Integrim përpiqet gjithmonë të jetë në raporte mjaft konstruktive dhe luajale edhe me Partinë Socialiste, me të cilën jemi në koalicion që prej vitit 2013. Por kemi qenë edhe më përpara me PS-në, në periudhën 2006-2007. Ne përpiqemi t’i qëndrojmë marrëveshjeve, parimeve të marrëveshjeve. Kjo është kryesore për ne. Sigurisht që është shumë e rëndësishme që edhe marrëveshjet t’i shërbejnë vendit.

Kryeministrin Rama nuk e keni lënë në gjumë të qetë. Vazhdimisht keni dërguar sinjale që ju e mbroni me fanatizëm partinë tuaj dhe nuk jeni me çdo kusht partner besnik nëse pala tjetër nuk e tregon të njëjtin luajalitet ndaj jush...

Ne i qëndrojmë parimeve të marrëveshjes dhe për ne qëndrime fanatike apo vija të kuqe janë: stabiliteti i Shqipërisë; Shqipëria si faktor stabiliteti në rajon, sepse as e para nuk mund të funksionojë pa të dytën dhe janë shumë të ndërlidhura; integrimi evropian i Shqipërisë. Nuk ka asnjë iniciativë apo reformë që i shërben kësaj çështjeje që LSI-ja të mos jetë promotore apo mbështetëse e padiskutueshme. Që kur është krijuar LSI, në vitin 2004, nuk ka qenë asnjëherë një pengesë apo një vonesë për një çështje për raportet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, apo marrëdhëniet tona me NATO-n e kështu me radhë. Natyrisht që ka shumë çështje të tjera, shumë prioritete të tjera por kuptohet që në koalicion duhet të jesh edhe fleksibël.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat