Hetime për ish-kryebashkiakun, abuzoi me detyrë

Shqipëria

Hetime për ish-kryebashkiakun, abuzoi me detyrë

Më: 14 maj 2016 Në ora: 10:26

Pas videoskandalit të publikuar mbrëmjen e së enjtes, në emisionin “Të Paekspozuarit” ku shfaqej kryetari i bashkisë së Dibrës, duke i kërkuar favore seksuale një vajze 20- vjeçare, organet hetimore kanë reaguar, ndërsa qeveria ka bërë menjëherë shkarkimin e Shukri Xhelilit.

Policia dhe prokuroria e Dibrës kanë nisur hetimet në lidhje me ngjarjen për të vërtetuar nëse qëndrojnë akuzat e 20-vjeçares. Fillimisht janë sekuestruar pamjet filmike të videoskandalit dhe më pas kanë nisur verifikimet.

Prokuroria e Dibrës ngriti që në momentin e publikimit të skandalit dy akuza, atë të marrëdhënieve seksuale, duke shpërdorur detyrën, e mbetur në tentativë, dhe shpërdorim detyre. Më pas mësohet se është ngritur edhe akuza e tretë “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar në Kodin Penal. Grupi hetimor ka marrë në pyetje 20-vjeçaren, e cila mësohet se i ka qëndruar deklarimeve të dhëna në emisionin televiziv.

Vajza ka deklaruar se ishte vënë nën presion nga kryebashkiaku për t’i afruar favore seksuale në këmbim të një vendi pune. Më pas, në policinë e Dibrës është shoqëruar në prani edhe të avokatit edhe vetë kryebashkiaku. Ai mësohet se u ka thënë hetuesve se njihej me vajzën prej një viti dhe ajo ishte punësuar prej tij prej tre muajsh.

Në lidhje me skandalin seksual, Xhelilaj ka pretenduar se ishte inskenim, pa pranuar të japë më shumë detaje. Një deklaratë të ngjashme, ndonëse të shkurtër, ai ka përsëritur edhe për mediat, duke pretenduar se bëhej fjalë për një skenar të pastër politik dhe kurth të administratës së bashkisë.

“Familja ime është sot më e bashkuar se kurrë”, është shprehur Shukri Xhelili. Më pas grupi hetimor ka mbërritur në zyrat e bashkisë së Dibrës, ku ka sekuestruar gjithë praktikën që është ndjekur në punësimin e 20-vjeçares. Për kryebashkiakun e shkarkuar është regjistruar procedimi penal në gjendje të lirë, ndërsa po hetohet edhe lidhur me një shpërthim në automjetin e djalit të kreut të bashkisë, ndodhur në muajin mars 2016.

Profili vajzës 20-vjeçare

Vajza 20-vjeçare, e cila regjistroi bisedat dhe takimet me ish-kryebashkiakun e Dibrës, është identifikuar vetëm nëpërmjet inicialeve A.A. Identiteti i saj i vërtetë është zbuluar nëpërmjet profilit në rrjetet sociale, pasi vajza posedonte një llogari në “Facebook”.

Ajo quhet Anisa A. dhe është me origjinë nga Bulqiza. Vajza 20-vjeçare, siç duket dhe pas vëzhgimit të profilit të saj, nuk jep shumë të dhëna publike. Për publikun, ajo lejon të shikohet vetëm një foto e saj dhe ndërkohë foto profili mban një fotografi tjetër, ndoshta për të treguar ngjashmërinë me të.

Ndër të paktat gjëra të bëra publike nga vetë vajza është dhe statusi për punësimin në Pallatin e Kulturës të Peshkopisë. Punën në Pallatin e Kulturës, ashtu siç shikohet dhe në videon e denoncuar prej saj në emisionin “Të Paekspozuarit”, ia kishte ofruar ish-kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili, në këmbim të favoreve seksuale. Në foton e “cover”-it të adresës në rrjetin “Facebook”, ajo mban dhe një foto me shprehjen “Ki qef me kon si un, po tmungon aftësia;) Tjetër sen o qefi, e tjetër osht mundësia”.

Ajo gjithashtu ka publikuar dhe datën e fillimit të punës si menaxhere në Pallatin e Kulturës në Peshkopi, më 26 shkurt të vitit 2016.

Fillimi i punës së re nga ana e 20-vjeçares siç duket nuk është pritur mirë nga miqtë e saj në rrjetin social. Këtë e tregon dhe mospëlqimi nga ana e miqve dhe mosreagimi me anë të komenteve.

Shkarkimi

Qeveria shkarkoi mëngjesin e djeshëm kryetarin e Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili. Shkarkimi ka ardhur vetëm pak orë pas publikimit të një video-skandali, në të cilën Xhelili shfaqej duke kërkuar favore seksuale në këmbim të një vendi pune në institucioni që drejton.

Shkarkimi i tij nga Këshilli i Ministrave u bë për “shkelje të rënda”, ndërsa ishte lajmëruar vetëm pak minuta pas transmetimit të regjistrimit të bisedave dhe takimeve të Xhelili me një vajzë 20-vjeçare.

Videoskandali në të cilin përfshihet Xhelili është publikuar mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Të Paekspozuarit”. Në video, kryebashkiaku i Dibrës i kërkonte favore seksuale një vajze 20-vjeçare, e cila kërkonte të punësohej në bashkinë që ai drejtonte.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat