Tahiri zbulon “pajisjen përgjuese”

Shqipëria

Tahiri zbulon “pajisjen përgjuese”

Më: 17 maj 2016 Në ora: 09:19

Pajisja për të cilën është diskutuar gjithë ditën e djeshme nuk mund të përgjojë. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në një intervistë për Top Channel deklaroi se bëhet fjalë për një pajisjeje, që tregon se cilët janë numrat e telefonave që funksionojnë në një zonë të caktuar. Tahiri tha se pajisja erdhi në bazë të marrëveshjes që kishte firmosur ish-ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, në vitin 2007..

Ka apo s’ka një pajisje përgjuese, apo që kryen edhe këtë funksion, në disponueshmëri të Ministrisë së Brendshme?

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk kanë pasur kurrë, sa jam unë në detyrë, nuk ka dhe nuk mund të ketë me ligj në përdorim një pajisje përgjimi. Nuk kemi përgjuar telefonata, biseda, mesazhe apo komunikime mes qytetarëve. E them me përgjegjësi të plotë dhe nuk shquhem të them fjalë që më pas të më dalin të pavërteta. Mbaj përgjegjësi për atë që them para publikut dhe para institucioneve. Ka një të vërtetë, që Policia e Shtetit me partnerët kryejnë trajnime që ndihmojnë këtë të fundit të zhvillojnë më mirë punën dhe luftën kundër krimit.

Çfarë është kjo?

Në bazë të një marrëveshje të vitit 2007, që është firmosur nga Bujar Nishani, Policia e Shtetit me atë italiane firmosin atë për të dhënë ndihmë për policinë tonë. Jo vetëm ajo italiane, por edhe ato amerikane, po përpiqen të na ndihmojnë për ta bërë punën sa më mirë. Ne kemi kërkuar vazhdimisht që agjencitë ligjzbatuese më të shquara në botë, FBI dhe DEA, të vijnë dhe të kenë prani fizike në Shqipëri, të punojnë në zyra me punonjësit tanë të policisë, ka qenë kërkesë e jona. Trajnimi duhet të jetë duke mësuar gjatë punës, e jo të ishte didaktik. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, hyn në punim edhe përdorimi i një pajisjeje, që tregon se cilat janë numrat e telefonave që funksionojnë në një zonë të caktuar. Pajisja është si të marrësh numëratorin e telefonave fiks. Duke qenë se numrat celularë janë të tepërt, duhet që policia të shohë se kush ka një numër telefoni në një zonë të caktuar. Ju e keni dëgjuar shpesh që Policia e Shtetit bllokon ndonjëherë valët e telefonave, siç ndodh nëpër burgje, ku bllokohen thirrjet. Kjo pajisje gjendet në përdorim në çdo polici të botës, por ne nuk e kemi sepse na mungon buxheti. Shpresoj shumë që ta kemi një ditë dhe do luftoj për këtë, por fatkeqësisht nuk e kemi. Partnerët italianë kanë ardhur dhe po u mësojnë policëve shqiptarë sesi ta përdorin në të ardhmen kur ta kemi. Ajo nuk ta ofron mundësinë teknike për të përgjuar mesazhe apo komunikimet. Ajo pasqyron vetëm numrat në një zonë të caktuar dhe është përdorur edhe përpara se të bëhesha unë ministër.

Domethënë është firmosur nga ish-ministri i Brendshëm, Bujar Nishani?

Po, është marrëveshje kuadër me Italinë dhe policinë italiane, që ne po shohim ta bëjmë më funksionale. Sot që flasim, Policia e Shtetit nuk ka një pajisje që e mundëson qoftë edhe teknikisht përgjimin. Pajisja që kanë sjellë misioni italian për trajnim, që do të largohen kur të mbarojë trajnimi dhe teknikisht nuk e ofron mundësinë e përgjimit.

Qoftë edhe për qëllime trajnuese, kjo pajisje nga pikëpamja kushtetuese dhe ligjore, nuk e ka nevojën e lejes nga Prokuroria?

Jo, fare. Aspak, kjo vetëm sa gjen se cilët numra janë në funksionim. Nuk ka asgjë nëse dalin numrat e politikanëve që kanë numra në përdorim në një zonë të caktuar. Këtë mund ta bëja edhe manualisht, të gjeja numrin e Nishanit apo të kujtdo tjetër. Unë numrin tim personal e kam publikuar në çdo komisariat dhe marr me qindra mesazhe çdo ditë.

Kur vjen një pajisje e tillë, qoftë për trajnim, normalisht duhet të ketë një shpjegim se ku mund të përdoret dhe si mund të përdoret. Edhe trajnimi nuk mund të bëhet pa leje. Dikush duhet ta thotë nëse diçka e tillë është e ligjshme të përdoret. Edhe armët që dalin për qitje apo stërvitje, edhe ato regjistrohen. A ka një fletë shoqëruese që është futur diku dhe është regjistruar diku? Nishani thotë që ajo ekziston, por nuk dihet nëse është e ligjshme apo jo? Është tërësisht e ligjshme, sepse është pajisje nën natyrën e Policisë dhe në funksion të përmbushjes së detyrës. Me të dhënat përkatëse dhe të gjitha informacionet shoqëruese. Pra është e regjistruar si pajisje?

Fatmirësisht të gjitha detajet e kësaj çështjeje do të sqarohen nga një hetim i Prokurorisë. Unë e quaj një lapsus të rëndë, por është mundësi e jona për të parë të vërtetën. Shpresoj që Prokuroria të thotë të vërtetën për qytetarët shqiptarë, edhe pse nuk e di nëse do ta bëjë. Ndoshta Bashës apo Presidentit qytetarët do t’i kërkojnë se përse gënjyen gjatë gjithë kësaj kohe. Unë kam simpati për ata që merren me lodra, por jo kur ky është President i Republikës. Ai nuk do të gjejë lodër në Policinë e Shtetit. Habitem se me çfarë sigurie ka dalë të flasë për atë pajisje. Pres të mësoj se cilat janë institucionet që i kanë thënë për ekzistencën e asaj pajisjeje. Shpresoj që t’i mbledhë sërish ata që doli në konferencë dhe t’u kërkojë edhe atyre të falur. Po Presidenti deklaroi se i përgjonim shtëpinë etj. Ky që nuk pati guximin të shkonte të denonconte në cilindo institucion. Merre me mend shembullin që jemi Presidenti, sepse s’ka besim te policia. Ky e drejton drejtësinë dhe s’ka besim. Presidenti thotë se po e përgjojnë në shtëpi, në zyrë apo ndaj familjarëve, por nuk e denoncoi. Ka merak se drejtësia është e pabesueshme...

Në fakt i është përgjuar i vëllai në një aktivitet totalisht privat.

Për të qenë i sinqertë, unë ndiej vetëm keqardhje për katandisjen e institucionit të Presidentit të Republikës. E dija që do të sillej si patericë e SHQUP-it, por nuk e dija që do të kthehej në lodër e asaj selie.

Kur ka ardhur kjo pajisje? Akuzat janë prej më shumë se 6 muajsh dhe ka pasur pretendime se është përgjuar edhe Ilir Meta. Tani flasim për akuza konkrete.

Për çfarë ke nevojë të përgjosh Presidentin e Republikës? Më gjeni një motiv se kujt i duhet ta bëjë diçka të tillë. Nuk them që e ka të shkruar në ballë, por ai e thotë vet që është lodër e Partisë Demokratike. Për çfarë duhet ta përgjosh Lulzim Bashën, që fundjavave shkon me pushime në Holandë? Ai e thotë vet dhe nuk ke pse ta përgjosh. Kurse Sali Berisha i thotë në Parlament ato që ka për të thënë, bëri një thirrje antikushtetuese për armët dhe sërish nuk doli asnjë prokuror ta merrte nën hetim.

Sa kohë ka kjo pajisje në Shqipëri?

Këto janë të dhëna që nuk mund t’i marr përsipër sepse mund të gaboj. Duhet të ketë vetëm pak javë dhe çdo detaj teknik sqarohet nga Prokuroria. Them vetëm që identifikon numrat e telefonave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat