Flet Anisa që përgjoi Shukriun: Ja SMS-të e kryetarit në Facebook

Shqipëria

Flet Anisa që përgjoi Shukriun: Ja SMS-të e kryetarit në Facebook

Më: 18 maj 2016 Në ora: 08:46

Flet për herë të parë Anisa, vajza që filmoi kryebashkiakun e Dibrës, Shukri Xhelilin teksa i kërkonte favore seksuale në këmbim të punës. Vajza rrëfen në një intervistë për gazetën Panorama, si e ngacmonte Xhelili në Facebook, si e filmoi dhe kush e kërcënon pas publikimit të videos.

Çfarë shkolle keni mbaruar?

Kam mbaruar gjimnazin në Peshkopi.

Vendosa të kërkoj punë në bashki. Që në momentin e parë mendova t’i shkruaja në Facebook Shukri Xhelilit. Kjo sepse nuk mund t’i shkoja direkt në zyrë pa më lënë një takim me të. Ai ishte kryetar bashkie dhe normal që nuk do më priste.

Ju ktheu përgjigje?

Po më ktheu, më la takim te zyra.

Përgjigjia ishte zyrtare, formale apo që aty pati ndonjë ngacmim nga ana e tij?

Jo, jo. Ishte një përgjigje zyrtare.

Në çfarë periudhe ka ndodhur kjo. Kur i keni shkruar për herë të parë?

Në muajin shkurt të këtij viti.

Më pas e takuat te zyra. Çfarë ndodhi?

Po, e takova te zyra . I thashë çfarë problemi kisha pra që kërkoja punë. Më tha që do më njoftonte vetë, ose në Facebook, ose në telefon.

Kur ishte komunikimi i rradhës me të?

Kaluan dy tre ditë dhe i shkrova prapë unë. I thashë se çfarë po vendoste për atë që më tha “Hajdemi takohemi te zyra. Flasim te zyra”, më tha.

Shkuat?

Po, shkova dhe në ato momente…

Çfarë bëri?

Ngrihet, më takon, më buzëqesh… Pastaj më thotë “Do rregullojmë gjithçka”.

Ju ngacmoi në këtë takim?

Jo.

Po më pas?

Pastaj vazhdoi në Facebook.

Vetëm në Facook, jo në telefon?

Edhe në telefon, por më shumë në Facebook.

Çfarë ju thoshte në këto biseda?

Më garantoi që do më gjente punë.

Ju tha se çfarë pune do t’ju gjente?

Jo nuk më tha, por më tha që do më gjente punë.

Ngacmimet kur filluan?

Pasi më tha që do më gjente punë, filloi të më ngacmonte në Facebook. Më thoshte fjalë të ndryshme.

Çfarë fjalësh ju thoshte?

Më tha: “Qenke shumë vajzë e bukur dhe e zgjuar. Kush nuk do të fuste ty në punë?” Më pas, pasi më kërkonte vazhdimisht takime dhe unë i thosha që nuk e takoja, më tha : “Unë do të të gjej punën dhe atëhere do të takohemi”

Sa zgjati koha që vazhdoi t’ju ngacmojë?

Pothuajse 2-3 javë ka zgjatur …

Çfarë ndodhi në momentin që u shfaq videoja në televizor?

Nuk jam identifikuar që atë natë.

Por ju keni thënë që keni shqetësime, presione, kërcënime, kur kanë ndodhur këto?

Të nesërmen. Që kur shkova në punë atë ditë. Filluan ngacmimet që në rrugë. Më pas nisën edhe kërcënimet. Njerëz që na vinin në shtëpi, na ndiqnin me makina, mua dhe familjarët e mi. Na vinin fuoristradat poshtë pallatit, kishim frikë të dilnim.

Si ju kanë kërcënuar?

Do t’ju vrasim, do t’ju djegim. Këto lloj kërcënimesh.

Në shtëpi ju ka ardhur njeri që ju kanë kërcënuar?

Po më kanë bërë presion që të ndryshoj deklaratën e parë.

Kush ishin këta persona?

Përveç të tjerëve, që janë mbështetësit dhe bodigardët e Shukri Xhelilit, në shtëpi na erdhën edhe dy gra, që janë te afërmet e Teftës, bashkëshortes së Shukri Xhelilit…

Vazhdojnë edhe sot me këto kërcënime? A ndiheni të rrezikuar?

Po, shumë të rrezikuar. Ndihemi shumë të pasigurtë, unë dhe familja ime. Pasi ndodhi kjo, atje nuk jetohet më. Por as këtu në Tiranë. Askund në Shqipëri. Ai ka mbështetës dhe njerëz në çdo vend.

Aktualisht a jeni në punë?

Po jam, pavarësisht se nuk kam shkuar këto ditë pasi nuk mundem të shkoj nga shikimet e njerëzve, nga fyerje, nga kërcënimet.

Ku jeni e punësuar?

Te Pallati i Kulturës, magaziniere.

Ju emëroi Shukri Xhelili aty?

Po, ai. Por ai si shpërblim për atë që bëri, pra që më futi në punë donte favore seksuale.

Sa kohë keni që punoni?

Tre muaj.

Do ta lini punën?

Nuk shkoj dot se aty më dalin ata të Bashkisë.

Nga mbrojtja që kemi kërkuar na ka ardhur vetëm një ditë, një makinë civile dhe një punonjës civil që ka ndenjur deri në 12 të natës dhe pastaj është larguar. Nuk ka ardhur më.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat