Instat: Në fund të 2015 numërohen 152.288 ndërmarrje aktive

Ekonomi

Instat: Në fund të 2015 numërohen 152.288 ndërmarrje aktive

Më: 2 qershor 2016 Në ora: 09:32
Instat

Regjistri i ndërmarrjeve në fund të vitit 2015 numëron 152.288 ndërmarrje aktive. Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi regjistrin e ndërmarrjeve për vitin 2015. Sipas INSTAT-it, krahasuar me 112.537 ndërmarrje aktive në fund të vitit 2014, shënohet një rritje prej 26 %.

Ndërmarrjet me aktivitet ekonomik tregti, akomodim dhe shërbim ushqimor janë mbizotëruese në ekonominë e vendit, me 50 % të ndërmarrjeve gjithsej. Në grupin e prodhuesve të të mirave ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar janë të përqendruara në aktivitetin “Industri përpunuese”.

Grupi i prodhuesve të shërbimeve vazhdon të jetë mbizotërues në ekonominë shqiptare, e kryesisht aktiviteti tregtar. Aktiviteti ekonomik “tregti” është i preferuar edhe në vendimmarrje për një aktivitet të ri dhe përfaqëson 27,3 % të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë vitit 2015.

Rreth 90 % e ndërmarrjeve aktive janë ndërmarrje të vogla me 1-4 të punësuar. Pjesa më e madhe e tyre, 61,8 % janë ndërmarrje me një të punësuar.

Në qarqet Tiranë, Fier e Durrës janë përqendruar rreth 66,8 % e ndërmarrjeve aktive. Numri më i madh i ndërmarrjeve shënohet në qarkun e Tiranës me 54.237 ndërmarrje, ndërsa numri më i vogël në qarkun e Kukësit me 1.543 ndërmarrje.

Mbizotërimi i grupit të prodhuesve të shërbimeve është dukuri në të gjitha qarqet ku pjesën më të madhe e zë aktiviteti ekonomik “Tregti”.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat