Lulzim Basha: Rama synon kapjen e sistemit

Shqipëria

Lulzim Basha: Rama synon kapjen e sistemit

Më: 7 qershor 2016 Në ora: 09:41
Lulzim Basha

Mungesa e kompromisit për reformën në drejtësi lidhet me një pikë të vetme, që Lulzim Basha thotë se është propozim i ekspertëve të OPDAT dhe Euralius, e që ka të bëjë me vendet e rezervuara në institucionet e reja.

Kjo, sipas Lulzim Bashës, që doli para mediave pas fjalës së Kryeministrit Rama, është e sanksionuar edhe në rekomandimet e Venecias.

“Erdha sot në këtë takim me përfaqësuesit më të lartë të maxhorancës me vullnetin për të kërkuar dhe ofruar zgjidhje, që do t’u japim shqiptarëve një drejtësi që lufton dhe nuk mbron korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kapja politike është korrupsioni i korrupsionëve, baza e çdo të keqeje. Prej muajit shkurt pd ka pranuar versionin e vendeve të rezervuara, të propozuar nga OPDAT dhe Euralius dhe të sanksionuar nga Venecia, që vështirëson në ekstrem kapjen politike të institucioneve të reja të drejtësisë”, ka thënë ai.

PD ka hedhur në tryezë dy shqetësimet e veta, arkitekturën e sistemti dhe vendimarrjen. Sa i takon pyetjes se kush po e pengon reformën, opozita ka një tjetër qëndrim nga ai i Kryeministrit.

“Me siguri kryeministri ka shprehur këtu që është PD ajo që pengon reformën. Faktet tregojnë të kundërtën. Sot detajuam para kryeministrit propozimin tonë bazuar mbi rrugëzgjidhjen që vendet e rezervuara. Kryeministri nuk pati asnjë argument kundër kësaj, thjesht nuk i pëlqen. Kjo është kapriço dhe mungesë vullneti që t’i japësh vendit reformën në drejtësi së bashku me opozitën”, është shprehur ai.

Basha pati edhe një mesazh për deklaratën e Edi Ramës që tha se pas këtij takimi ka përfunduar edhe koha për Partinë Demokratike dhe se drafti do të dërgohet për votim në Kuvend.

“Çdo dërgim do të takohet atje me dështimin e sigurtë dhe çdo dështim do të thotë shtyrje e reformës në drejtësi. Ky ka qenë qëllimi i maxhorancës prej fillimit. Kemi dyshime që qeverisja aktuale e zhytur në korrupsion dhe krim është e interesuar në krijimin e një drejtësie të pakontrolluar”, thotë Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat