Hoffmann: Nuk ka integrim në BE pa reformën në drejtësi - Bota Sot
Hoffmann: Nuk ka integrim në BE pa reformën në drejtësi

Shqipëria

E mërkurë, 22 nëntor 2017

Hoffmann: Nuk ka integrim në BE pa reformën në drejtësi

Më: 12 qershor 2016 Në ora: 07:59
Ambasadori gjerman, Helmut Hoffmann

Ambasadori gjerman, Helmut Hoffmann, para largimit nga Tirana thekson, rrëfen vitet e tij në Shqipëri, ardhjen pa entuziazëm dhe ikjen me lot në sy. Mesazhi që jep për klasën politike ka të bëjë përmbylljen e reformës në drejtësi. Në një intervistë të gjatë për DW, ai rrëfen momentet që ka kaluar në vendin tonë, përshtypjet që ka për shqiptarët, për klasën politike, tani që i ka njohur.

Cilat ishin reagimet e para nga ju dhe znj. Hoffmann kur mësuat se ishit emëruar në Shqipëri?

Ne dinim shumë pak për Shqipërinë çfarë dinim nuk ishte e ndikuar domosdoshmërish nga stereotipe pozitiviste, sikurse arritëm të kuptonim pak kohë pas mbërritjes sonë këtu. Po përmend vetëm një shembull: ne e kishim përfytyruar Tiranën si një ndër qytetet më të trishtuara të shteteve ish-komuniste, kështu që, të flasim hapur, fillimisht nuk ishim aq të entuziazmuar për faktin se duhej të vinim në Shqipëri, ndaj edhe mbetëm plotë- sisht të befasuar nga imazhi modern i qytetit, gjallëria e tij, ofertat kulturore dhe numri i shumtë i kafeneve dhe restoranteve, thënë shkurt, nga cilësia urbane e qytetit. Pastaj këtu duhet shtuar se në një deri dy vitet e fundit në Tiranë, ashtu sikurse në të gjithë vendin, është përmirësuar shumëçka: vende të shëmtuara të krijuara në kaosin e dekadave të fundit janë eliminuar dhe u është dhënë një formë e re. Kjo do ta ndryshojë pozitivisht përshtypjen, që vizitorët marrin nga Shqipëria drejt vendeve të tyre dhe do të kontribuojë në rrëzimin e klisheve negative. Unë dhe bashkëshortja ime bëjmë pjesë tani në atë rreth personash për të cilët thuhet, që kanë ardhur me lot në sy dhe po largohen me lot në sy.

Cilat janë ndryshimet më të mëdha që pësoi perceptimi juaj për Shqipërinë?

Krahas asaj që përmenda më sipër, dëshiroj të shtoj dy pika të tjera të rëndësishme për mua: unë gjithnjë e kam promovuar Shqipërinë lidhur me faktin që ajo na sjell të gjithëve në vëmendje me vetëdije dhe krenari, se në çfarë raportesh harmonie dhe tolerance bashkëjetojnë kë- tu të krishterët e myslimanët, të organizuar në komunitetet përkatëse fetare dhe mua më gëzon fakti, që ky element është duke u perceptuar gjithnjë e më shumë në vendin tim. Po kaq i rëndësishëm është për mua roli i moderuar dhe ekuilibrues që Shqipëria luan në rajon, ku ajo angazhohet për bashkëpunimin në mënyrë mjaft të vlerësuar ndër të tjera edhe në kuadër të Procesit të Berlinit. Që të dy këto aspekte do të ndikojnë në një perceptim më pozitiv të Shqipërisë.

Çfarë do kujtoni si sfidën dhe arritjen tuaj më të madhe gjatë tri viteve të detyrës suaj si Ambasadori gjerman në Tiranë?

Së pari, do të doja të përmendja reformën në drejtësi. Pak kohë pas nisjes së detyrës në verën e vitit 2013 kisha dalë në përfundimin se një reformë rrënjësore në drejtësi, dhe me këtë nënkuptoj para së gjithash dhënien fund të korrupsionit, për fat të keq aq shumë të përhapur dhe jashtëzakonisht të dëmshëm për vendin, nuk do të ishte kurrsesi e një rëndësie të mbivlerësuar për Shqipërinë, për zhvillimin ekonomik dhe përafrimin e saj me BE-në. Ndaj është kënaqësi e madhe të shoh se me sa energji është çuar përpara kjo reformë, që, të shpresojmë, do të miratohet shumë shpejt. Së dyti, një temë me të cilën jemi marrë intensivisht prej fillimit të vitit 2014 ka qenë emigrimi për qëllime azilkërkimi drejt Gjermanisë, një fenomen që i tejkaloi të gjitha masat.

A ju vjen keq që përfunduat detyrën si Ambasador në Tiranë pa parë miratimin e Reformës në Drejtësi, e mbështetur fort nga Gjermania dhe BE-ja?

Unë jam angazhuar me forcë në mbështetje të reformës në drejtësi si dhe për faktin, që forcat politike relevante të gjejnë kompromise objektivisht të arsyeshme për një numër mjaft të vogël çështjesh të mbetura hapur. Propozimi i shtruar në tryezë nga Komisioni Ad Hoc i Reformës në Drejtësi është një produkt i punës së juristëve evropianë dhe amerikanë, bashkarisht me ekspertët shqiptarë, i cili ka marrë edhe miratimin e Komisionit të shumëvlerësuar të Venecias. Në Parlament dhe në komisionin parlamentar përkatës ka pasur raste të ndryshme për diskutime të hollë- sishme. Më shumë se kaq, vështirë se mund të bëhet në një proces të tillë kaq kompleks reformash, ndaj shpresoj shumë që të gjithë të njohin përgjegjësitë e tyre dhe të miratojnë këtë propozim në parlament, sepse vetëm me miratimin e reformës në drejtësi Shqipëria ruan mundësitë e saj për të marrë një rekomandim nga Komisioni Evropian për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE-në. E sigurtë është që përmbylljen, shpresoj të suksesshme, të këtij projekti të rëndësishëm do të kisha dashur ta përjetoja këtu në vend, por natyrisht që edhe nga Berlini do të ndjek me të njëjtën vëmendje mënyrën se si do të vijojnë gjërat.

 

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test