Nisma në Vlorë: Qeverisja vendore, nën monitorimin e qytetarëve

Shqipëria

Nisma në Vlorë: Qeverisja vendore, nën monitorimin e qytetarëve

Më: 12 qershor 2016 Në ora: 18:35
Nisma në Vlorë

Përmirësimi i shërbimeve të ofruara nga administrata e Bashkisë së Vlorës për qytetarët, përmes rritjes së aktivizimit të tyre në identifikimin e problematikave, është në qendër të nismës “Për një rritje të transparencës së qeverisjes vendore”, mbështetur nga Ambasada e Zvicrës në Tiranë. Ky projekt u aplikua nga gazetari Harilla Koçi, i cili u shpall fitues në një konkurrim të hapur të ndarë në tre faza. Gjithashtu, nisma synon trajtimin mediatik të problemeve me pjesëmarrjen e ekspertëve në fushat respektive, instalimin e një dialogu konstruktiv mes qytetarëve, administratës bashkiake, përfaqësuesve të jetës akademike, biznesit, medias, sistemit juridik dhe shoqërisë civile.

Gjatë prezantimit publik të nismës, në një nga sallat e Pallatit të Kulturës “Labëria”, u theksua se, qytetarët do të nxiten të denoncojnë rastet e shkeljes së të drejtave të tyre, të abuzimit dhe korrupsionit nga administrata e Bashkisë, përmes denoncimit të portalin “TI FLET”, i cili do të jetë i aksesueshëm në rrjetet sociale. Problemet e identifikuara do të jenë subjekt i investigimit dhe trajtimit të tyre në një format televiziv. Në këtë kuadër, në takimin prezantues të këtij projekti, ku ishin të pranishëm mjaft qytetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, të jetës akademike, si dhe drejtues të qeverisjes vendore, e institucioneve, mes të cilëve kryetari i Bashkisë, Dritan Leli, u veçua se, problemet e identifikuara nga qytetarët do të jenë subjekt i investigimit dhe trajtimit të tyre, prandaj kërkohet përfshirja qytetare e grupeve më të spikatura shoqërore.

Gjithashtu, në këtë takim u theksua se, vetëm kështu do të konkretizohet një nga synimet e kësaj nisme për të përmirësuar shërbimet e ofruara nga administrata e bashkisë dhe instalimin dhe zhvillimin e një dialogu konstruktiv midis qytetarëve, administratës, përfaqësuesve të jetës akademike, biznesit, medias, sistemit juridik dhe shoqërisë civile. Në thelb, kjo nismë bazohet në gjetjen e fakteve përmes ushtrimit të gazetarisë investigative, ballafaqimin e këndvështrimit të palëve të përfshira në proces, trajtimin e tyre me profesionalizëm përmes pjesëmarrjes së ekspertëve, gjetjen e zgjidhjeve dhe dhënien e rekomandimeve përkatëse për administratën bashkiake.

Duke vlerësuar këtë nismë, kryebashkiaku Dritan Leli, u shpreh se, është i gatshëm të monitorohet në çdo moment, ai dhe administrata që drejton prej pothuajse një viti. “Jam i gatshëm të monitorohem në të gjithë aktivitetin tim dhe të Bashkisë, që drejtoj prej pothuajse një viti. Ky është një parim, nga i cili udhëhiqem në punën e përditshme dhe një standard që ngulmoj të bëhet referencë e administratës bashkiake”, u shpreh Leli. Sipas tij, kjo nismë që u aplikua dhe u fitua përmes një konkurrimi në tre faza nga gazetari i njohur vlonjat, Harilla Koçi, në aplikimin e tij si individ, është një vlerë e shtuar për komunitetin qytetar, në funksion të nxitjes së pjesëmarrjes së komunitetit në vendimmarrje. Drejtore e Drejtorisë së Shërbimit Social Shtetëror, Ines Stasa, theksoi se, nisma është me mjaft vlerë në drejtim të problematikës që ajo mbulon, ndërkohë që përfaqësues të organizatave mjedisore, të jetës akademike, u ndalën në problematikat respektive, duke nënvizuar faktin se, ky takim ishte një mundësi për ballafaqimin e tyre në funksion të përfshirjes në fazat e mëvonshme të zbatimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat