Blushi: Reforma në drejtësi, pranë dështimit

Shqipëria

Blushi: Reforma në drejtësi, pranë dështimit

Më: 14 korrik 2016 Në ora: 13:10
Ben Blushi

Duke folur nga foltorja e Kuvendit, Ben Blushi tha se reforma në drejtësi është shumë pranë dështimit. “Nëse reforma në drejtësi nuk kalon, në Kuvend nuk ndodh asgjë. Nëse reforma nuk kalon, është kosto për drejtësinë në vend”, tha Blushi.

Sipas tij, mungesa e drejtësisë në vend përbën rrezik për qytetarët e vendit dhe sigurinë e tyre. Duke u ndalur tek ngjarja e djeshme, ku një makinë shtypi për vdekje një nënë, e cila po kalonte rrugën me dy fëmijët e saj, Blushi tha se kjo ndodhi për shkak të mungesës së drejtësisë.

“Unë s’dua të bëj profetin e së keqes, por reforma në drejtësi është shumë afër dështimit. Sa aftësi ka kjo klasë politike për të zgjidhur çështje jetike për vendin. Nëse reforma në drejtësi nuk kalon në këtë sallë, ndoshta nuk ka për të ndodhur asgjë. çështja është cilat janë kostot. Mungesa e drejtësisë në Shqipëri është e dhimbshme. Një grua u vra dje në mes të Tiranës. A ka lidhje kjo me reformën në drejtësi? Ka, se ky i çmenduri që e vrau është liruar nga gjykata. Para 2 muajsh në autostradë një grua tjetër me 3 fëmijë, po shkonte të takonte burrin në burg. Trafikndarësja në rrugë me vendim gjykate duhet të ishte në vend, po ja që nuk ishte. Kjo është mizori, mënyra sesi shteti vret qytetarët e vet, duke shmangur drejtësinë. Këtu nuk ka drejtësi. Kavaja qeveriset sot nga një njeri, që nuk është kryetar bashkie, por qeveris nga shtëpia, se ka marrë “Arrest shtëpie”. A mund të funksionojë kështu drejtësia. Edhe në Dibër po të shkojmë, Shukriu po kërkon kthimin në detyrë”, shtoi ai.

“Një deputet këtu ka qenë, përdori armën për një punë të vetën personale. Po edhe Ballist Morina kishte një pistoletë pa leje, është në burg akoma. As europianin nuk pati mundësinë ta shihte, edhe pse ai pati kontribut që na çoi atje”, vijoi Blushi.

Sipas deputetit, kjo është kosto e mungesës së drejtësisë. “Pse nuk po ndodh reforma në drejtësi. Arsyeja e Lulit dhe Edit dihet, se është një drejtësi e munguar për 25 vite. Mungesa e drejtësisë ka larguar investitorët e huaj, mungesa e drejtësisë largoi 1 milion shqiptarë nga vendi, mungesa e drejtësisë vrau dje një grua në rrugë”, tha Blushi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat