Rama: Propozimi i Bashës s’ka mbështetjen e SHBA-BE

Shqipëria

Rama: Propozimi i Bashës s’ka mbështetjen e SHBA-BE

Më: 15 korrik 2016 Në ora: 18:34
Edi Rama

Në një takim diskutues me studentë të Magjistratutës, gjatë pasdites së kësaj të premteje, kryeministri i vendit Edi Rama ka folur gjerësisht mbi reformën në drejtësi, për nevojën urgjente të miratimit të saj pavarësisht situatës absurde ku kemi përfunduar, siç tha ai, si dhe i ka dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë kreut të opozitës Basha mbi propozimin që ky i fundit ka thënë se kryeministri e ka në tavolinë dhe duhet vetëm ta pranojë për ta votuar.

“Ne nuk kemi një formulë që qetëson lepurin e frikës që fle në barkun e opozitës. Opozitës i kam thënë përmes një propozimi që ndoshta e gjejmë, ne jemi gati dhe nuk e kemi ne lepurin që u shkakton atyre një tension të brendshëm, por mbase nga përgjegjësia e madhe që ka opozita për reformën gjendet një zgjidhje. Ne thjesht presim miratimin e SHBA-ve dhe BE-së për një propozim të përbashkët, sepse këtu te ne janë bërë reforma drejtësie që kanë pasur vetëm emrin të tillë, por ja ku jemi me këtë drejtësi si sot. Unë e mirëkuptoj shumë mirë deklaratën e ambasadorit Lu mbi këtë moment të pakuptueshëm dhe tepër absurd. Sot mora një telefonatë nga Holanda, duke më thënë që e kam në tryezë propozimin. Unë e marr atë pa problem, por a e pranojnë SHBA-të dhe BE-ja propozimin e Bashës?”, deklaroi Rama.

Sa i përket procesit të “Vetting”-ut, që duket se është bërë pika kyçe e ngërçit në prag të datës së miratimit të reformës në drejtësi, Rama tha se për këtë çështje është diskutuar që në fillim të rrugës dhe “vetting”-u ka qenë një koncept i pranuar si nga qeveria, ashtu dhe nga opozita, e cila madje ka këmbëngulur vazhdimisht për përfshirjen sa më të madhe të ndërkombëtarëve në këtë proces.

“Nuk është Shqipëria i pari dhe i fundit vend që përballet me korrupsionin në sistemin e drejtësisë. Historia ka treguar se ka pasur vende mbase me sisteme edhe më të rrënuara. Por praktika e tyre ka treguar se ka metoda për t’u përmirësuar, ekziston një sistem “vetting”-u apo skandimi e vlerësimi, si dhe moslejimi përmes klientelave dhe parave i futjes së njerëzve të korruptuar, dhe kjo gjë ka funksionuar në shumë vende. E në këtë moment, pasi ne kemi pranuar gjithçka, jemi përpara një situate absurde. I kam bërë një propozim më shumë sesa serioz opozitës. Kur frika flet dhe zëri i frikës dëgjohet, nuk ka një arsye. Kjo është një reformë që vendos më shumë nga sa mendoni ju, nuk është vetëm për të përcaktuar fatin e një individi, një partie apo një qeverie, por integrimin e Shqipërisë”, shtoi Rama.

Duke thënë se ka një ndarje, ku një pjesë duan ta ndajnë krimin dhe korrupsionin nga roli i prokurorit dhe gjykatësit, ndërsa një pjesë tjetër duan që të ruajnë ‘status quo’-në e krimit dhe korrupsionit si pushtet sovran brenda sistemit të drejtësisë, Rama theksoi se dalja nga kjo situatë e rënduar bëhet përmes shembjes në themel të këtij sistemi të kalbur drejtësie.

“Mbase mund të duken fjalë të rënda, por nuk e di çfarë mund të thuhet për këtë sistem drejtësie, që nëse do të merrnit historitë e njerëzve të këtij vendi në dyert e gjykatave, mund të bëhen një varg librash shumë të gjatë. Por si mund të dalim ne nga kjo situatë e rënduar prej 25 vitesh, që na ka bërë një vend me sistemin më të korruptuar të drejtësisë? Duke bërë ligje më të mira? Nuk na kanë penguar ligjet, por keqzbatimi dhe shkelja e tyre. Duke shembur në themel këtë sistem, duke nisur nga KLD-ja që u mohoi 4 apo 5 studentëve më të mirë të drejtën që ua jep ligji... Nëse do të shembim banesën e rrënuar, ku sot jeton koorporata e prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar dhe do të ngrejmë një godinë të re, ku nuk mund të lejojmë të futen po këta prokurorë e gjykatës. Duke i spostuar nuk bëjmë asgjë veçse një zhvendosje. Ndaj duhet të vendosim në themel të punës garancitë se i gjithë ky proces i konstatuar përmes reformës nuk do të kapet më. Nuk do të shpikim rrotën, por thjesht duhet t’u referohemi praktikave më të mira të ndërkombëtarëve”, deklaroi ndër të tjera kryeministri Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat