Mbledhja e grupit të PD-së, Bregu e Selami kërkojnë votimin e reformës

Shqipëria

Mbledhja e grupit të PD-së, Bregu e Selami kërkojnë votimin e reformës

Më: 19 korrik 2016 Në ora: 20:13
Lulzim Basha

Deputetët e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu dhe Eduard Selami kanë kërkuar gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, votimin e reformës në drejtësi gjatë seancës së të enjtes.

"Duhet të dalim me një zgjidhje. Duhet të votojmë reformën në drejtësi. Ne sot jemi nevojtarë edhe për të vendosur veten në kahun ku kësaj partie i takon të jetë. Nuk mund të fshihemi pas detajeve. Ne nuk mund t’i shpallim luftë ambasadës. Le t’i lëmë përrallat me diversantë. Ne duhet të votojmë. Ne nuk mund të presim deklaratat e Metës për të vendosur çdo bëjë PD-ja”, ka thënë Bregu.

Ndërkohë që Selami i është drejtuar Bashës me fjalët: “Na keni futur në kurthin e sherrit me ndërkombëtarët. Premtove që pas nenit 88 do e votoje. Nuk e kuptoj pse nuk e jepni zgjidhjen?”

(18:45) "Drejtësia", PD mbledh grupin, i pranishëm edhe Berisha 

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike është mbledhur sërish pasditen e sotme për të diskutuar rreth reformës në drejtësi, dy ditë para datës së paracaktuar për votimin e saj në Kuvend.

Mësohet se mbledhja nisi rreth orës 18:20 dhe në përfundim të saj pritet të kemi një qëndrim të qartë të selisë blu sa i takon draftit përfundimtar të reformës.

Në mbledhjen e sotme të deputetëve demokratë ishte i pranishëm edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Deri në orët e para të mëngjesit të sotëm kanë zgjatur negociatat mes ekspertëve të mazhorancës dhe opozitës. Ngërçi mes palëve qëndron në 2 çështje, për të cilat ende nuk është dakordësuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat