“Shpërthimi” i Ramës: Reforma do të votohet, vendi është i popullit

Shqipëria

“Shpërthimi” i Ramës: Reforma do të votohet, vendi është i popullit

Më: 20 korrik 2016 Në ora: 12:59
Takimi Rama-Basha

(E plotësuar) - Një ditë para seancës ku pritet të diskutohet për reformën në drejtësi, kryeministri i vendit, Edi Rama, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se votimi është e vetmja alternativë.

Shefi i qeverisë shqiptare gjithashtu shkroi se ky vend është i popullit dhe se populli i përket Europës.

“Reforma o do votohet, o do votohet! Historia nuk ndalet dot me manovra ne xunkth, thirrja e saj shemb çdo mur shurdhërie. Ky vend është i popullit dhe ky popull i përket Europës!”, shkroi Rama në “Facebook”.

Ndërkohë, një ditë më parë, kryeministri u tregua i hapur për të negociuar deri të enjten, por pa hequr dorë nga plani me 94 vota, të cilat arrihen vetëm nëse votojnë deputetët e opozitës.

“Thirrja ime për ndërgjegjen e çdo deputeti opozitar nuk është as blerje dhe as dhunim i konsensusit, por detyra ime si Kryeministër, që nuk mund të mos lërë gur pa lëvizur nga muri shurdh i Partisë Demokratike, jo për hesapin aritmetik të qeverisë që unë drejtoj, por për llogarinë morale të vendit që unë qeveris”, u shpreh kryeministri shqiptar.

Palët shkojnë drejt konsensusit! Rama: Historia nuk ndalet

Ndërkohë që vazhdojnë negociatat për reformën në drejtësi, pak orë përpara se të nisë seanca e shumëpritur, duket se palët po shkojnë drejt konsensusit.

Megjithatë mbeten çështje pezull, teksa palët nuk preferojnë të flasin.

Negociatorët nuk janë takuar më me njëri-tjetrin, por komunikimi mes tyre nuk është ndërprerë.

Burime të Top Channel konfirmojnë se këto janë përpjekjet e fundit përpara arritjes së kompromisit dhe tani po bëhen disa rregullime termash për përfshirjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në Kushtetutë dhe për të vendosur se çfarë kompetencash do të kenë vëzhguesit ndërkombëtarë kur të bëhet seleksionimi i kandidatëve për vetingun dhe të anëtarëve jogjyqtarë dhe joprokurorë në Këshillat e Lartë përkatës.

Paraditen e sotme, kreu i opozitës është takuar me disa nga aleatët dhe ndërkohë po zhvillon një mbledhje me ekspertët dhe anëtarët e opozitës në Komisionin e Reformës në Drejtësi.

Burime brenda Partisë Demokratike konfirmojnë për Top Channel se është shumë afër marrjes së vendimit zyrtar për të miratuar të enjten në Parlament ndryshimet kushtetuese.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka bërë një postim në rrjetet sociale.

“Reforma o do votohet o do votohet! Historia nuk ndalet dot me manovra ne xunkth, thirrja e saj shemb çdo mur shurdherie. Ky vend eshte i popullit dhe ky popull i perket Europes!” shkruan Rama në rrjetet sociale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat