Meta: Jo reformë pa konsensus

Shqipëria

Meta: Jo reformë pa konsensus

Më: 21 korrik 2016 Në ora: 09:27

(E plotësuar) - Megjithëse Konferenca e Kryetarëve dështoi në gjetjen e një marrëveshjeje për të shqyrtuar në seancë plenare reformën në drejtësi, Kuvendi nisi punimet dhe ai që mori fjalën i pari ishte kryetari Ilir Meta.

“Konsensusi është i rëndësishëm sepse kjo është Kushtetutë e re e Shqipërisë, që nuk duhet të votohet në mënyrë të njëanshme, sepse ka të bëjë me Shqipërinë në 30 vitet që vijnë. Është bërë një punë e jashtëzakonshme dhe duhet të përmbyllet me sukses”, tha Meta.

Kreu i Kuvendit tha se kjo reformë nuk mund të miratohet pa opozitën dhe shtoi se për këtë Lulzim Basha është në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën Amerikane.

Megjithatë, kjo seancë nuk do të mbyllet pa miratimin e reformës në drejtësi, tha Meta.

Ndërkohë, kjo seancë plenare po ndiqet nga afër nga dy aktorët kryesorë ndërkombëtarë të reformës në drejtësi, ambasadori amerikan Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së, Romana Vllahutin, ndërsa jashtë sallës një grup qytetarësh protestojnë për miratimin e reformës.

 Meta: Kam kërkuar transparencë dhe standarde sipas Venecias

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta deklaroi sot gjatë mbledhjes së kryetarëve se “i ka kërkuar Xhafaj që të mbledhë Komsionin e Posaçëm të Refomës në drejtësi, ku të reflektojë marrëveshjen e arritur mes palëve.

“Ka pasur një insinuatë kur ka dalë pas kësaj mbledhjeje dhe të vijë këtu z. Xhafaj dhe ekspertët që nuk kanë kurajon të dalin publikisht kur i ftova të sqarojnë këtë çështje sepse telefoni prishur me reformën në drejtësi ka mbaruar. Kam kerkuar transparencë që në fillim dhe standarde sipas Venecias”, tha Meta.

“Në çfarë situate jemi sot. Të thirret z. Xhafaj të vijë këtu sepse boll janë dëmtuar procedurat parlamentare për këtë reformë sepse kemi te bëjmë për ndryshime Kushtetuese që do t’u shërbejë shqiptarëve për dekadat që vijnë”, tha Xhafaj.

Kreu i grupit parlamentar te PD, Edi Paloka u shpreh ne Konferencën e Kryetarëve se, “pas një nate të gjatë jemi këtu sot në një situatë absurde”.

“Ju bëtë pak kronoligjinë e u ra dakort të kemi një seancë solemne për të mos u futur në këto përplasje, kush do kush nuk e do. Kur po negociohej një telefonatë e cojë deri këtu. Ka një marrëveshje të sjellë nga zoti Hahn që u përshëndet nga të gjithë dhe z. Xhafa nuk pranoj të vij në komision për të realizuar një rresht në draft. Ne kerkojmë qe ajo marrëveshje të implementohet”, tha Paloka.

Kryetari i Komisionit të posaçëm parlamentar Fatmir Xhafaj u shpreh se, komisioni do të mblidhej në rast se do të kishte një çështje për të diskutuar. Mesazhi i Hahn nuk ishte marrëveshje, por një letër. Letra kthehet në marrëveshje dhe marrëveshja nene. Komisioni nuk mblidhet për të shqyrtuar letra, por ligje.

“Unë nuk marr urdhra, dëgjoj me vëmendje cilindo që është në atë karrige. Unë komisionin e kam mbledhur rregullisht konform rregullores së Kuvendit, rregullisht e ka bojkotuar opozita. Do kisha dëshiruar që gjatë gjithë kësaj kohe të shtronit këto pyetjet e mësipërme në gjithë ato ditë. Do të duhet të vinit këtu ta zgjidhnit me opozitën. Zoti kryetar nuk mblidhet komisioni për të lexuar letrën e Hahn, unë nuk kam 2 qëndrime, një kam, në respekt të Kushtetues dhe ligjeve dhe partnerëve. Nuk po bëja peticion apo rezolutë. Po bëhet fjalë për të diskutuar nene dhe kush kishte marrë përsipër ta bënte nenin. Me dakordësi u mblodh një tryezë dhe ky grup negociatorësh u mblodh dhe prodhuan këtë dokument. Negociatorët nuk mund tu themi se ku jemi në mëngjes, në dreke, dhe më pas tu themi se nuk ju duam më në darkë. Kam frikë se ky amendament, i cili ka ngërç kushtetues”, tha Xhafaj.

Kreu i grupit parlamentar te LSI, Petrit Vasili u shpreh gjate Konferences se Kryetareve se “jemi në një moment delikat të refomës”. Sipas tij, deklaratat që jemi në drejtimin e gabuar janë keqardhje. Vasili theksoi se drafti ishte i hapur për negocim, nuk ishte përfundimtar.

“Jemi në një moment delikat të reformës. Kemi bërë një mbledhje në datën 18 me një dakordësi xhentëlmenësh ku mbledhja do të kishte një karakter procedurial për të mos penguar seancën, por për të ecur përpara në pikëpamjen formale. Kjo marrëveshje xhentëlmenësh politik bëri që marrëveshja të ecte përpara. Kryetari ka mbajtur këtë qëndrim dhe në mbledhje”, tha Vasili.

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili u shpreh se mbledhja një ditë më parë duhet të ishte mbajtur për të mos penguar seancën e sotme në Kuvend.  “Mbledhja duhet të kishte një karakter të mirëfilltë procedural” , theksoi ai.

Vasili tha se ne nuk mund të shkojmë në seancë të përçarë.Drafti i partnerëve duhet të miratohet në komision.

“Ne në këtë negocim politik së paku për një çështje të mbetur pezull siç ishte Vetingu ne patëm një material të formës perfundimtare”, theksoi Vasili.

Në perfundim te seances kreu i Kuvendit, Ilir Meta tha se “ky është një moment historik për vendin, por ndodhemi në këtë situatë të paqartë për arsye të ndryshme. Në orët në vijim të bëjmë përpjekje për të arritur konsensusin. Sepse duhet të jetë një seancë solemne ku të jetë një moment konsesnsusi, jo përcarjeje. Prandaj do të përpiqemi ta arrijmë sepse mendoj se palët janë shumë afër”.

Votimi i reformës në drejtësi, mblidhet Konferenca e Kryetarëve

Ka nisur i vrullshëm me zhvillime politike mëngjesi i ditës së sotme në Shqipëri, ku pritet të fillojë seanca e Kuvendit, në të cilën është rënë dakord që të votohet për reformën në drejtësi.    

Pas gëzimit të konsensusit të arritur mesditën e djeshme, në mbrëmje politika shqiptare iu rikthye avazit të vjetër dhe reforma duket se nuk ka konsensus.

Para nisjes së seancës në Kuvend, është mbledhur Konferenca e Kryetarëve në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

Mësohet se palët do të kërkojnë që të mblidhet komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi. Në fjalët e tij kreu i Kuvendit tha se kishte kërkuar mbledhjen e Komisionit për të reflektuar mbi marrëveshjen. Seanca e sotme e Kuvendit duhet të ishte solemne, tha Meta. Kreu i Kuvendit i bëri thirrje të gjitha palëve të jenë të pranishëm në këtë marrëveshje.

Meta kërkoi sqarime nga kreu i komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj për mosmbledhjen e Komisionit një ditë më parë.

Por Xhafaj tha se Komisioni është mbledhur dy ditë përpara në detyrim të përgatitjes së seancës.

“Komisioni nuk mblidhet për të lexuar letrën e komisionerit Hahn. Komisioneri Hahn nuk është marrëveshje, është letër dhe letra duhet të kthehej në marrëveshje. Projekti kushtetues që ne kemi ka aktorë dhe ndërkombëtarët. Duhet të hyjmë në organizata ku rregullat e lojës i përcaktojnë ndërkombëtarët”, tha Xhafaj, i cili shtoi se ajo që e ka bojkotuar rregullisht këtë komision ka qenë opozita.

Ilir Meta mbledh urgjentisht Konferencën e Kryetarëve

Pas zhvillimeve të fundit dhe mosdakordësisë së PD-së me socialistët për të votuar në seancën e sotme reformën në drejtësi Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka thirrur të enjten në orën 09:00 Konferencën e Kryetarëve.

PD ja tashmë ka deklaruar se se nuk e voton draftin pa u pasqyruar aty ndryshimet e fundit që ajo ka kërkuar ndërsa socialistët kanë thënë se janë të gatshëm të votojnë draftin e vjetër.

Por Konferenca e Kryetarëve që diskuton dhe vendos programin e punës dhe kalendarin e punimeve do të duhet të marë vendim se këtyre dy qëndrimeve të kundërta. Nëse mirekuptimin nuk arrihet atëherë Kryetari i Kuvendit i paraqet për miratim në seancë plenare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat