Arrihet marrëveshja! Meta: Tani votë unanime në Kuvend

Shqipëria

Arrihet marrëveshja! Meta: Tani votë unanime në Kuvend

Më: 21 korrik 2016 Në ora: 18:49
ilustrim

(E plotësuar) - Pas më shumë se 6 orë negociata, palët kanë arritur konsensusin për reformën në drejtësi. Tashmë, Parlamenti i Shqipërisë pritet të rimblidhet në seancë në orën 21:00 për të miratuar përfundimisht draftin e ndryshimeve kushtetuese, ndryshime këto më të rëndësishmet në Kushtetutën e Shqipërisë që kurse ajo është miratuar.

Marrëveshja e arritur për formulën e përzgjedhjes së anëtarëve të institucioneve të tjera të drejtësisë është e njëjtë me atë të Vettingut.

Kështu, 5 nga 11 anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të përzgjidhen nga një komision prej 5 anëtarësh në Parlament, 3 nga mazhoranca dhe dy nga opozita. Kandidati duhet të marrë 4 vota. Në qoftë se krijohet ngërç, atëherë përzgjedhja bëhet me short.

Kryetari i Kuvendit Meta falënderon kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Partisë Demokratike dhe ambasadorët Lu dhe Vlahutin për konsensusin e arritur. Meta e cilëson marrëveshjes e arritur si shenjë pjekurie, ndërsa shprehet se pret ta formalizojë atë përfundimisht me vota unanime në Parlament.

Meta: Falenderoj Kryeministrin Rama, kryetarin e PD Basha dhe ambasadoret Lu dhe Vlahutin. Marreveshja shenje pjekurie dhe bashkimi. Të formalizojmë procesin me votën unanime në Kuvend. Mirenjohje per SHBA dhe BE.

CFARE PO NDODH ORE PAS ORE

19:12- Pritet mbledhja e komisionit për reformën në drejtësi dhe më pas Kuvendi

Pas arritjes së konsensusit për reformën në drejtësi, pritet tashmë të mblidhet komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi për ta miratuar ligjërisht draftin e ndryshimeve kushtetuese, për ta çuar më pas atë drejt seancës plenare dhe për ta miratuar përfundimisht. Reforma pritet të miratohet brenda ditës së sotme. Seanca e Kuvendit është lajmëruar të rinisë në orën 21:00.

18:55- Lu dhe Vlahutin lënë selinë e Kuvendit

Në orën 18:50 minuta, ambasadorët e Bashkimit Evropian, Romana Vlahutin dhe ai i Shteteve të Bashkuara, Donald Lu, u larguan nga selia e Kuvendit të Shqipërisë pas më shumë se 6 orësh “ngujim”, negociata të cilat kanë përfunduar me sukses.

19:20- Marrëveshja e arritur për institucionet e drejtësisë

Burime nga shumica bëjnë me dije se varianti final parashikon veting përmes Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili do të jetë një organ rekomandues dhe jo vendimmarrës, të paktën sipas marrëveshjes së arritur një ditë më parë. Sipas marrëveshjes së arritur, sistemi vetingu do të ketë për të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Marrëveshja e arritur për formulën e përzgjedhjes së anëtarëve të institucioneve të tjera të drejtësisë është e njëjtë me atë të Vettingut.

Kështu, 5 nga 11 anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të përzgjidhen nga një komision prej 5 anëtarësh në Parlament, 3 nga mazhoranca dhe dy nga opozita. Kandidati duhet të marrë 4 vota. Në qoftë se krijohet ngërç, atëherë përzgjedhja bëhet me short.

16:40- Arrihet konsensusi pas më shumë se 6 orë negociata

Rreth orës 18:40 minuta, në media u publikua se konsensusi për reformën në drejtësi është arritur dhe palët kanë pranuar draftin përfundimtar të propozuar nga ambasadorët Lu dhe Vlahutin. Formula e konsensusit është e njëjtë si për Vettingun ashtu edhe për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe atë të Prokurorisë.

18:25 -Pritet formalizimi i marrëveshjes, burimet: Është pranuar edhe nga Basha

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbërritur në selinë e partisë së tij, i shoqëruar nga deputeti Oerd Bylykbashi. Tashmë, ambasadorët Lu dhe Vlahutin presin përgjigje përfundimtare nga opozita për draftin e propozuar.

Paraprakisht, burimet thonë se palët e kanë pranuar propozimin dhe priten vetëm pjesët procedurale të formalizimit të marrëveshjes. Burimet thanë gjithashtu, se ekspertët e Euralius dhe Opdat po finalizojnë amendamentet kushtetuese.

Burimet thonë se materiali po formalizohet dhe do t’u shpërndahet të gjithë palëve nëpërmjet emaili-t. Më pas do të mblidhet Komisioni i posaçëm për Reformën në Drejtësi, i cili duhet ta miratojë për ta çuar më pas në Kuvend për miratimin përfundimtar.

Çështja e fundit për diskutim, është ajo e 5 anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat