Ristani: S’ka koalicion me LSI, bashkëpërgjegjëse për keqqeverisje

Shqipëria

Ristani: S’ka koalicion me LSI, bashkëpërgjegjëse për keqqeverisje

Më: 23 korrik 2016 Në ora: 12:08
Ristani

Qëndrimi për reformën në drejtësi e afroi PD me LSI, të cilat bashkëqeverisën nga viti 2009-2013. Por, sekretari i përgjithshëm i PD, Arben Ristani hodhi poshtë çdo mundësi bashkëpunimi me partinë e dytë në kualicionin qeveritar, duke njoftuar se qëllimi i opozitës mbeten zgjedhjet e parakohshme.

Ristani: Nuk mund të ketë një aleancë me dy partitë që janë në pushtet, ne jemi kundërshtarë të tyre dhe mendojmë se janë të dy përgjegjës për gjendjen e Shqipërisë dhe nuk mund të kemi një aleancë.

Në studion e Ora News, Ristani tha se beteja e radhës e opozitës do të jenë zgjedhjet e parakohshme, proces që sipas tij do të përgatitet nga një qeveri teknike.

Ristani: Për PD, qeveria teknike është zgjidhja e vetme që ne në Shqipëri të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në rast se ne nuk arrijmë të shkojmë pa Ramën në zgjedhjet e ardhshme, garancia që do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme shkon drejt niveleve më të ulëta.

Deklaratat publike të disa deputetëve demokratë se do të votojnë reformën në drejtësi pavarësisht vendimit të PD, Ristani i vlerësoi si shenjë e demokracisë së brendshme.

Ristani: Së pari reforma të tilla po jo vetëm të tilla, por për cdo gjë që diskutohet në grupin e PD janë pjesë e punës. Nuk mund të jemi të gjithë në një mendje dhe kjo është fare normale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat