Meta: Shqipëria nuk bën asnjë hap para pa konsensus

Shqipëria

Meta: Shqipëria nuk bën asnjë hap para pa konsensus

Më: 26 korrik 2016 Në ora: 19:11
Ilir Meta

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, duke folur sot në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se, qëndrimi i tij për reformën në drejtësi nuk ka ndryshuar asnjëherë, duke qenë në favor vetëm të konsensusit sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Kryeparlamentari Meta theksoi se do ta votonte reformën edhe në rast se opozita nuk do të ishte dakord.

Megjithatë, ai pranoi se opozita kishte plotësisht të drejtë për rekomandimin 88, për zbatimin e të cilit këmbënguli vazhdimisht. Basha, sipas tij, e mbajti fjalën kur tha se nëse do të zbatohej rekomandimi 88, ai do ta votonte reformën. Ai madje përsëriti edhe njëherë atë çfarë deklaroi në daljet zyrtare nga Kryesia e Kuvendit përpara seancës së 21 korrikut, kur shprehej se “reforma nuk bëhet duke i thënë kundërshtarit se do të shkojë në burg”.

Sot ai ka kërkuar që me frymën e konsensusit palët të vijojnë edhe më tej, “duke vazhduar tashmë me ligjin për ‘vetting’-un”, pasi siç tha ai, “Shqipëria nuk mund të mbetet peng i konfliktit politik”. Meta deklaroi gjithashtu se do të bëjë çdo gjë që fryma e konsensusit të vazhdojë edhe për aspekte të tjera, ndërsa tha se Parlamenti do të mblidhej në çdo moment që do të vlerësohej i rëndësishëm. Meta ftoi tashmë anëtarët e Komisionit të posaçëm të Reformës në Drejtësi të vijojnë punën me ligjin për “vetting”-un.

Ndërkohë, sa i përket të ardhmes së koalicionit qeverisës, Meta tha se, “është njeri që u qëndron marrëveshjeve dhe se koalicioni i ka të gjitha mundësitë ta mbyllë me sukses këtë mandat qeverisës”. Meta e mbylli intervistën e tij duke thënë se “jemi të angazhuar për të përmbushur pritshmëritë e shqiptarëve”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat