Berisha: Ka një traditë bashkëpunimi PD-LSI

Shqipëria

Berisha: Ka një traditë bashkëpunimi PD-LSI

Më: 27 korrik 2016 Në ora: 11:49
Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha, nuk ka mohuar një koalicion të mundshëm mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në një intervistë për televizionin “Klan”, Berisha shprehet se mes këtyre dy partive ka një traditë të mirë bashkëpunimi.

Zoti Berisha, kundërshtitë e opozitës për Reformën në Drejtësi ishin në fakt për të mbrojtur një grup njerëzish të Partisë Demokratike, sikundër thotë Kryeministri Rama, apo për të mbrojtur standardet, pasi për të thënë të drejtën, qytetarët e kanë disi të vështirë të kuptojnë gjërat teknike sa i përket Reformës në Drejtësi? 

Qëndrimi ynë kishte vetëm një qëllim, mbrojtjen e standardeve dhe për definicion nuk kishte lidhje për të mbrojtur asnjë person. Nuk kam pranuar dekonstitucionalizimin e Presidentit të Republikës, përsa kohë ai është në detyrë. Dhe të garantoj se këtë do ta bëja për çdo President Republike. I gjithë qëndrimi ynë nuk ka patur asnjë lidhje dhe nuk ka patur parasysh asnjë person. Por ka patur parasysh strikt parimet e një drejtësie të pavarur, të pakapur, transparente, efiçente. Ne nuk mund të pranonim ndërprerjen e mandatit, sepse Komisioni i Venecias, sa herë ka qenë koha për të ndërprerë mandate, qoftë në qeverinë e tyre, qoftë në qeverinë time ka qenë kategorikisht kundër. Kur është miratuar Kushtetuta e re në vitin 1978, ka patur aty një amendament tranzitor, i vendosur nga Komisioni i Venecias: Mandatet ekzistuese vazhdojnë deri në përfundimin e tyre.

Zoti Berisha, ju keni qenë një aktor shumë i rëndësishëm sa i përket Reformës në Drejtësi. Ambasadori amerikan Donald Lu, pasi takohej me kryetarin Basha vinte edhe në zyrën tuaj. A keni folur ndonjëherë mes jush për vija të kuqe që nuk duhet të kaloheshin kryesisht për vetingun. 

Dua t’ju siguroj se udhëheqjen e këtij procesi e ka bërë lidershipi i PD-së, e ka bërë Lulzim Basha dhe grupi që drejton Partinë Demokratike dhe ekspertë të saj. Padiskutim, Sali Berisha ka një eksperiencë shumë të gjatë si president, si kryeministër dhe për kohë të tëra ka qenë Kushtetuta dhe kushtetutat, librat më të lexuar, sepse ma donte detyra. Jam përpjekur qoftë në Partinë Demokratike, por qoftë dhe me partnerët të jap ndihmesën time, të jap mendimet e mia, në mbështetje të një reforme e cila duhet të garantojë një sistem gjyqësor të pavarur, efiçent, transparent dhe përgjegjës para ligjit. Ky ka qenë mendoj i gjithë angazhimi dhe përkushtimi im.

Gjatë negociatave, LSI ka patur një qëndrim të ngjashëm më opozitën, duke i mëshuar miratimit me konsensus të Reformës në Drejtësi dhe sipas rekomandive të Venecias. Madje ka kërcënuar edhe qeveri teknike apo zgjedhje të parakohshme sikundër ka artikuluar opozita dhe ju vetë. A është kjo një premisë për një bashkëpunim të mundshëm mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, përpara apo pas zgjedhjeve? 

Është në interes të shtrohet një pyetje: Kur ka ndryshuar qëndrimi i LSI-së? Pa diskutim që ka ndryshuar. Qëndrimi i Ilir Metës dhe LSI ka ndryshuar thelbësisht pasi erdhi projekti i Venecias, i cili kishte rrëzuar në 38 nene projektin Rama- Xhafa. Ilir Meta, veçanërisht në momentin kur ai dërgoi krahas projektit të dytë Rama-Xhafa në “Venecia”, ai faktikisht e shkatërroi projektin e dytë, bashkë me oponencën tonë, sepse i tha Komisionit që qeveria është e ndarë në dysh.

Një krah i saj do drejtësi të pavarur, një krah do të kapë drejtësinë. A është kjo një prologativë për të bashkëpunuar midis dy partive? Unë mendoj se të dyja partitë kanë një trashëgimi bashkëpunimi. A do të bashkëpunojnë apo jo? Ajo varet nga rezultatet elektorale dhe faktorë të tjerë, por nuk mund të mohoj se ato kanë një traditë bashkëpunimi. Unë absolutisht e kam vlerësuar dhe e vlerësoj si një zhvillim që kontribuoi në mënyrë të qenësishme në konsensusin e datës 22 korrik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat