Rruga e Kombit me pagesë nga janari! PD: Do e anulojmë

Shqipëria

Rruga e Kombit me pagesë nga janari! PD: Do e anulojmë

Më: 27 korrik 2016 Në ora: 14:48
Jorida Tabaku

Nga fillimi i vitit tjetër, të gjitha veturat që do të kalojnë në rrugën e Kombit do të paguajnë 5 euro, ndërsa banorët e Kukësit do të përjashtohen nga kjo tarifë.

Pas miratimit të ofertës fituese së “Vendeka Bilgi” për dhënien me koncesion të ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes së autostradës Milot–Morinë, burimet nga Ministria e Transporteve pohojnë se në periudhën shtator-tetor do të nënshkruhet kontrata dhe do të diskutohen tarifat dhe brenda gjashtë muajve do të fillojë zbatimi në terren.

Kjo nënkupton që në muajt e parë të vitit të ardhshëm, të gjitha automjetet që e kalojnë këtë rrugë do të paguajnë para se të hyjnë në të.

Tarifa për përdorimin e rrugës do të jetë 4.16 euro pa TVSh, pra 3.63 euro cent për kilometër, meqenëse rruga është 114.5 kilometra e gjatë.

Tarifa për rrugën Milot-Morinë është miratuar në korrik 2014, bazuar mbi rekomandimin e konsulentit “IFC”.

Ndërsa për tetë rrugët e tjera, për të cilat një studim i BERZH ka rekomanduar që të bëhen me pagesë, burime zyrtare të Ministrisë së Transporteve thanë se edhe të paktën për dy vjet do të jenë pa pagesë.

Brenda këtij mandati qeverisës nuk ka plan tjetër për rrugë me pagesë përveç rrugës së Kombit, raporton Monitor.

Për më tepër që një pjesë e këtyre rrugëve nuk kanë përfunduar ende ndërtimin, si p.sh. ajo Tiranë-Elbasan.

BERZH-i rekomandon dy kategori tarifash që duhet të paguajnë qytetarët: tarifa minimale 0,005 cent euro dhe maksimalja 0,035 cent euro.

Institucioni ndërkombëtar ka kërkuar zbatim të menjëhershëm për rrugën Tiranë-Durrës, Tiranë- Elbasan dhe Rruga e Arbrit (e papërfunduar).

Ndërsa Partia Demokratike thotë se do ta anulojë një vendim të tillë, nëse vjen në pushtet.

“Edi Rama ka vendosur një taksë të re e të rëndë mbi shqiptarët, duke u marrë 10 euro për çdo udhëtim në Rrugën e Kombit.

10 euro, para që do të merren nga xhepat e lodhur e të varfër të qytetarëve të vendit.

5 euro në vajtje e 5 euro në kthim.

Ky skandal thellohet edhe më shumë, kur del në pah se qeveria ka vendosur këtë nivel takse, 33 përqind më të lartë se niveli maksimal që kanë sugjeruar ekspertët.

Sipas strategjisë, pagesa për rrugën e Kombit duhet të varionte nga 0,5-3.5 cent/km. Për 114 km nga Miloti në Morinë pagesa e përballueshme për veturat duhet të ishte nga 0.57-3,99 Euro për të gjithë gjatësinë e rrugës. Në rast se pagesa do të zhvendoset në Rrëshen atëherë totali nuk duhet të kalojë 2,8 Euro për të gjithë distancën.

Mirëpo Edi Rama e caktoi 5 Euro! Të paktën 33% më shumë se cmimi i maksimal sugjeruar nga ekspertët!

Një aferë e pastër me miliona euro cdo vit, një barrë e re e vendosur në kurrizin e shqiptarëve, sipas skemës së qeverisë për 30 vite me radhë, në emër të mirëmbajtjes së rrugës, kjo, shtuar subvencionit prej 5,6 milionë euro cdo vit që do të japë shteti.

Po taksa e qarkullimit që është rritur në dy vjet me 240 lekë, për cfarë përdoret në një kohë që mirëmbajtja e rrugëve është në minimumin historik?!

Përpara se të merrej ky vendim duhej bërë një analizë e plotë, shterruese dhe shumë serioze e kosto-përfitimeve, një analizë e plotë e impaktit ekonomik, një analizë e plotë e impaktit në turizëm, kur dihet se turistët nga Kosova mbizotërojnë në plazhet Shqiptare.

Partia Demokratike i siguron qytetarët shqiptarë se do ta anullojë këtë koncesion të dyshimtë, këtë taksë të papërballueshme për jetën e tyre,” tha deputetja e PD, Jorida Tabaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat