Shumica: Miratim urgjent ligjit për vlerësimin

Shqipëria

Shumica: Miratim urgjent ligjit për vlerësimin

Më: 27 korrik 2016 Në ora: 18:49
Xhafaj

Xhafaj kërkon mbledhjen e Komisionit të Posaçëm: Ndërkombëtarët kanë kërkuar miratimin e shpejt të ligjit për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. I hap rrugë fazave të tjera të procesit. Opozita: Dakort, porn ë respejt të Kushtetutës

Në Shqipëri duket se janë rikthyer tensione politike pas kërkesës së shumicës për të miratuar me shpejtësi ligjin për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kryetari i Komisionit të posaçëm parlamentar të Reformës, Fatmir Xhafaj, ka kërkuar mbledhjen e anëtarëve për të bërë përshtatjet e nevojshme në përputhje me ndryshimet që u përfshinë në projektin përfundimtar të Reformës. Zoti Xhafaj shpjegoi se ligji për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve është një prej 7 ligjeve kryesore që do të bëjnë të mundur vënien në jetë të Reformës në Drejtësi. “Ky ligj bën të mundur ngritjen e institucioneve të reja dhe fillimin e realizimit të reformës. Eshtë hapi i parë i të gjithë procesit. Pa nisur ky proces verësimi nuk mund të nis zbatimi i Reformës”, nënvizoi zoti Xhafaj.

Kryetari i Komisionit të posaçëm parlamentar theksoi se “ka një kërkesë nga ndërkombëtarët që ligji të kalojë sa më shpejt, duke qenë se për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ata do të angazhojnë ekspertët e tyre”. Ai shpjegoi se për këtë arsye projektligji ka marrë pëlqimin dhe të institucioneve përkatëse të Komisionit europian dhe të Departamentit amerikan të Drejtësisë. “Ndërsa nga ana tjetër, si BE-ja ashtu dhe SHBA-ja, duhet të realizojnë procesin e rekrutimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve që do përfshihen në fazën e vlerësimit në Shqipëri”, nënvizoi zoti Xhafaj.

Sipas tij, nuk ka pengesa për të shqyrtuar dhe miratuar këtë ligj në parlament në dy ditët e ardhshme. “Të gjithë anëtarët kanë qenë plotësisht në dijeni që në datën 4 korrik. Të vetmet ndryshime janë ato dispozita të ndryshuara në projektin kushtetues që detyrimisht duhen reflektuar”, theksoi zoti Xhafaj, duke shtuar se “ekspertët e OPDAT-it dhe EURALIUS-it kanë përgatitur tanimë projektin e plotë që përmban dhe përshtatjen e ndryshimeve kushtetuese”. Për kryetarin e Komisionit të Posaçëm, edhe fakti që ndryshimet kushtetuese nuk mund të hyjnë në fuqi para datës 10 gusht nuk përbën ndonjë pengesë. “Kushtetuta nga pikëpamja formale ka hyrë në fuqi sepse është bërë shpallja publike. Por për t’u bërë efektive natyrisht kërkon 15 ditë kohë. Megjithatë nga pikëpamja e ekzistencës së normës, ajo tashmë është e pranuar. Do të duhej vetëm thjesht që hyrjen në fuqi të ligjit ta lidhim me hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe asgjë tjetër”.

Zoti Xhafaj tha se ishte në pritje të përgjigjes së opozitës. Dje përfaqësuesi demokrat në Komisionin e Posaçëm, Oerd Bylykbashi, deklaroi në media se kërkesa për miratimin me shpejtësi të ligjeve mbështetëse të reformës “është një provokim”. Ndërsa sot në një përgjigje zyrtare drejtuar zotit Xhafa, përfaqësuesi demokrat shprehej se “opozita dhe ekspertët e saj janë gati të angazhohen në hartimin konsensual të këtyre ligjeve, duke nisur nga ligji për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, sigurisht në përputhje me Kushtetutën dhe procedurat kushtetuese që sigurojnë legjitimitetin e Reformës”, shkruan zoti Bylykbashi duke uruar që “shumica të ndryshojë rrënjësisht qasjen e saj në fazën e re të Reformës” duke i mëshuar nevojës për “transparencë dhe jo fshehtësi, gjithëpërfshirje dhe jo përjashtim, dialog dhe jo arrogancë”.

Shumica megjithatë duket se nuk këmbëngul me forcë për miratimin e ligjit në dy ditët e ardhshme. Zoti Xhafa la të hapur mundësinë dhe të thirrjes së seancës parlamentare në mesin e muajit gusht”. Megjithatë gjithçka mbetet ende e hapur. Kryetari i parlamentit Ilir Meta duket se e ka vlerësuar kritike situatën e krijuar. Zyra e tij e shtypit njoftoi sot se ai ka ndërprerë vizitën në Shtetet e Bashkuara “për t’u kthyer në Shqipëri dhe për të sqaruar konfuzionin e krijuar ditët e fundit që ka për qëllim prishjen e konsensusit historic parlamentar të 21 korrikut për Reformën në Drejtësi”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat