Blerjet në internet dhe dërgesat nga jashtë, ulet kufiri pa taksa

Shqipëria

Blerjet në internet dhe dërgesat nga jashtë, ulet kufiri pa taksa

Më: 27 korrik 2016 Në ora: 21:00
Ilustrim

Qeveria ka vendosur të ulë kufirin e përjashtimit nga taksat për blerjet në internet dhe dërgesat e mallrave nga jashtë. Këshilli i Ministrave ka miratuar sot ndryshimet në Kodin Doganor, duke vendosur kufijtë e rinj të lejuar për blerje dhe dërgesa të pataksuar. Ata janë ndjeshëm më të ulët se më parë, duke e bërë më të vështirë blerjen në internet.

“Çdo dërgesë mallrash me karakter jotregtar, e përbërë nga mallra me vlerë të papërfillshme, të dërguara drejtpërdrejt nga një vend tjetër te një marrës në Republikën e Shqipërisë, përjashtohet nga detyrimet e importit”, thuhet në ndryshimet e Kodit. Mallra me vlerë të papërfillshme janë vlerësuar “mallrat e blera nëpërmjet porosisë nga interneti, që importohen nëpërmjet dërgesave postare, vlera e të cilave nuk kalon vlerën ekuivalente në lekë të shumës 22 euro dhe dërgesat e mallrave nga një individ jashtë Republikës së Shqipërisë për një individ në Republikën e Shqipërisë, të një natyre rastësore, pa pagesë dhe që përmbajnë vetëm mallrat e destinuara për përdorim personal ose familjar prej marrësit, vlera e të cilave nuk e kalon vlerën ekuivalente në lekë të shumës 45 euro”.

Si u vendos kufiri në 2014-n

Më parë kufiri i pataksueshëm për blerjet në internet ishte rreth 150 euro. Me propozim të ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, Këshilli i Ministrave miratoi më 7 maj 2014, rritjen e kufirit të shpenzimeve për blerjet online, nga 10.000 lekë, në 20.000 lekë. Kjo do të thotë se për blerjet me vlerë deri në 20 000 lekë nuk do të aplikoheshin taksa, që janë taksa doganore (varion 2-15% sipas mallit) dhe TVSH 20%. "Ky lehtësim fiskal vjen pas trendit në rritje të blerjeve online dhe nevojës për rishikimin e kufirit vendosur më 1999-n, kur ky fenomen ishte gati i panjohur. Ky vendim i përjashtimit nga taksat për blerjet online deri në 20.000 lekë do t’i sjellë arkës së shtetit një efekt negativ prej afro 30 milionë lekë", argumentoi atëherë Ministria e Financave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat