Investimet në bregdet, qeveria miraton 2 leje në Gjirin e Lalzit dhe Himarë

Shqipëria

Investimet në bregdet, qeveria miraton 2 leje në Gjirin e Lalzit dhe Himarë

Më: 27 korrik 2016 Në ora: 21:26
Këshilli i Ministrave

Këshilli i Ministrave miratoi sot lejimin e përdorimit të bregdetit dhe zonave përkatëse për dy projekte investimi në Hamallaj (Gjiri i Lalzit) dhe Palasë (Himarë). Qeveria vendosi lejimin e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse në funksion të realizimit të projektit investues strategjik “New Born”, Hamallaj, gjiri i Lalëzit, i cili ka përfituar statusin e investimit strategjik, procedurë e asistuar, me vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike.

“Afati për përdorimin e brigjeve, sipas këtij vendimi, të jetë 20 vite”, thuhet në vendim. Aty përcaktohet se, “përdorimi i brigjeve do të kryhet përgjatë periudhës së sezonit veror 15 maj - 30 shtator të çdo viti, përkundrejt pagesës së tarifës 100 lekë/m2 në muaj nga ana e investitorit strategjik, përgjatë periudhës së përmendur në këtë pikë”. Të ardhurat e mbledhura nga tarifa për dhënien e së drejtës së përdorimit të brigjeve administrohen dhe bëjnë pjesë në buxhetin e Bashkisë Durrës. “E drejta e përdorimit të brigjeve nga ana e investitorit strategjik “Mane TCI”, koordinatat, sipërfaqja e lejuar për përdorim afatgjatë dhe kushtet e përdorimit bazohen në përcaktimet e bëra në vendimin nr.1/15, datë 14.7.2016, të Komitetit të Investimeve Strategjike, dhe në përcaktimet e kontratës përkatëse që investitori strategjik duhet të lidhë me Bashkinë Durrës”, thuhet në vendim.

Gjithashtu, qeveria vendosi lejimin e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse në funksion të realizimit të projektit investues strategjik “Green Coast”, në Palasë (Himarë), i cili ka përfituar statusin e investimit strategjik, procedurë e veçantë, me vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike. Afati për përdorimin e brigjeve sipas këtij vendimi do të jetë 20 vite. “Përdorimi i brigjeve do të kryhet përgjatë periudhës së sezonit veror 15 maj - 30  shtator të çdo viti, përkundrejt pagesës së tarifës 100 lekë/m² në muaj nga ana e investitorit strategjik”, thekson vendimi.

Të ardhurat e mbledhura nga tarifa për dhënien e së drejtës së përdorimit të brigjeve administrohen dhe bëjnë pjesë në buxhetin e Bashkisë Himarë. “E drejta e përdorimit të brigjeve nga ana e investitorit strategjik “Green Coast”, koordinatat, sipërfaqja e lejuar për përdorim afatgjatë dhe kushtet e përdorimit bazohen në përcaktimet e bëra në vendimin nr.2/13, datë 14.7.2016, të Komitetit të Investimeve Strategjike, dhe në përcaktimet e kontratës përkatëse që investitori strategjik duhet të lidhë me Bashkinë Himarë”, thuhet në vendim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat