Rriten pensionet për 635 mijë persona, ja shtesa e re

Shqipëria

Rriten pensionet për 635 mijë persona, ja shtesa e re

Më: 28 korrik 2016 Në ora: 07:38
Penionistet

Nga muaji gusht, pensionet për 635 mijë pensionistë në vend do të jenë më të larta. Qeveria ka miratuar dje vendimin për indeksimin e tyre në masën 1.6 për  qind. E thënë ndryshe, një pension në masën 20 mijë lekë do të bëhet 20 320 lekë, pra do të ketë një rritje me 320 lekë. Ndërkohë, një pension  17 mijë lekë, do të rritet me 272 lekë, ndërsa pensioni 14 mijë lekë do të rritet me 224 lekë etj. Krahasuar me vitin e kaluar, por edhe me normën e inflacionit, rritja për këtë vit është miratuar më e lartë, ndërsa vendimi rendit edhe kategoritë e pensionistëve jo vetëm sipas vendbanimit, por edhe profesioneve. Sipas tij, “Rritja e pensioneve do të zbatohet nga data 1 gusht 2016, ndërsa efektet financiare për zbatimi nga data 01.08.2016 deri në 31.12 2016, llogariten në shumën 662 milionë lekë. Edhe pas aplikimit të indeksit, pensionisti, krahas të ardhurave nga pensioni do të vazhdojë të marrë të ardhura të tjera që jepen me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave”, thuhet në vendim.

Kategoritë

Nga rritja e pensioneve e parashikuar në këtë projekt vendim do të përfitojnë rreth 635,000 pensionistë, prej të cilëve, 461 000 janë pensione qyteti, rreth 142 000 janë pensionistë që marrin pensione fshati dhe rreth 32 000 janë pensione të parakohshme suplementare të ish-ushtarakëve, policëve etj.

Sipas pikës 1 të vendimi, indeksimin në masën 1,6 për qind do ta përfitojnë zyrtarisht nga gushti 13 kategori, të cilat gazeta i boton si më poshtë.

a) pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore, të caktuara sipas ligjit datë 29.6.1972,

b) pensionet sociale, të caktuara në përputhje me ligjin nr. 7703,  datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”.

c) shtesa mujore, për invalidët e luftës, të përfituar me vendimin nr. 326, viti 1993.

ç) pensionet e caktuara me dekretin nr. 758, viti 1994,  “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”.

d) pensionet e caktuara dhe të rillogaritura me ligjin nr. 10142/2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”.

dh) trajtimet e veçanta financiare të familjeve të pilotëve fluturues, të caktuara sipas ligjeve nr. 8455, datë 4.2.1999.

e) trajtimet e veçanta financiare, për efektivat, oficerë, nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe polumbarëve, të caktuara sipas ligjit të vitit 2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe polumbarëve të Forcave Detare në pension”.

f) trajtimet e veçanta financiare të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të caktuara sipas ligjit, datë 9.11.2000.

g) pensionet e pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë, të caktuara me ligjin nr. 150/2014.

gj) trajtimet e veçanta financiare për punonjësit që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake, të caktuara sipas ligjit nr. 9179/2004.

h) pensionet suplementare, të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë, të caktuara sipas ligjit nr. 10139/2009.

i) pensionet suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit të caktuara sipas ligjit nr. 8097, datë 21.3.1996.

Po ashtu, indeksimin e përfitojnë edhe pensionet, të cilat caktohen nga data 1 gusht 2016 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri më 31 korrik 2016, përfshirë edhe këtë datë.

Pensionet suplementare

Krahas vendimit për rritjen e pensioneve, qeveria miratoi edhe disa vendime të tjera, siç ishte ai “Për barazimin e masës së shtesës së pensioneve të posaçme shtetërore”. Ky vendim prek figurat e artit, kulturës, sportit e shkencës, që kanë dalë në vite të ndryshme në pension dhe vendimet për pensionet e posaçme për këto personalitete kanë dalë në kohë të ndryshme. Këto pensione kanë qenë jo të barabarta, duke qenë se në vite të ndryshme trajtimet me pensione të veçanta kanë qenë të ndryshme. Për këtë shkak, ata kanë marrë pension jo të barabartë. Përmes vendimit, bëhet një barazim për i pagesave, përmes shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror. Nga vendimi përfitojnë 286 persona, të cilët aktualisht përfitojnë pension pleqërie, ose familjar dhe kanë kontribuar në fushën e shkencës, kulturës, arteve, ekonomisë dhe politikës.

Të ardhurat minimale dhe maksimale, si ndryshon  pragu

Përpos indeksimit, janë përcaktuar edhe pragjet e pensioneve minimale dhe maksimale, sipas llojit të pensionit, nëse është i plotë, i pjesshëm, sociale etj, por edhe të profesioneve. Kështu, për ish-punonjësit e minierave, të gjitha pagesat mujore (pensionet e plota të pleqërisë, invaliditetit, familjare), pas datës 1 gusht 2016 nuk do të jenë më pak se 12 635 lekë në muaj dhe më shumë se 25 270 lekë në muaj. Ndërkohë, pensionet e parakohshme, nuk do të jenë më pak se 12 635 lekë në muaj.  Përfituesit e tyre, edhe pas indeksimit, do të vazhdojnë të marrin kompensimin e çmimeve dhe kompensimin e të ardhurave mujore. Këto kompensime, do t’i marrin edhe ata persona që do të përfitojnë pensione me datë fillimi deri më 31.12.2014, me kusht që shuma e pensionit mujor plus kompensimin e të ardhurave, pas indeksimit të pensioneve të jetë: a) deri në 14 285 lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë; b) deri në 13 785 lekë në muaj, për pensionet e invaliditetit dhe pensionet familjare c) deri në 9 342 lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare, të caktuara sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”.

 Të ardhurat minimale

Pas datës  1 gusht, edhe të ardhurat minimale do të pësojnë rritje, si pasojë e vendimit të miratuar dje. Janë 3 grupime, të cilat do të përfitojnë sipas kritereve dhe ligjeve në fuqi nga rritja.

a) Të ardhurat minimale të personave që përfitojnë pensionet e plota të pleqërisë (përfshirë edhe ato të caktuara me ligjin nr. 150/2014, datë 6.11.2014), përjashtuar ato të caktuara sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe kompensime vetjake, me datë fillimi deri më 31.12.2014, nuk mund të jenë më të ulëta se 14 785 lekë në muaj.

b) Të ardhurat minimale të personave që përfitojnë nga pensionet e caktuara sipas ligjit nr. 4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe kompensime për çmimin e energjisë elektrike e për të ardhurat nuk mund të jenë më të ulëta se 9 542 lekë në muaj dhe më të larta se 12 835 lekë në muaj

c) të ardhurat minimale të personave, që përfitojnë pensione të parakohshme për vjetërsi shërbimi, sipas ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar, dhe kompensime vetjake, nuk mund të jenë më të ulëta se 14 785 lekë në muaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat