Vlahutin vizitë në Tropojë dhe Kukës, projekte mbështetëse nga BE

Shqipëria

Vlahutin vizitë në Tropojë dhe Kukës, projekte mbështetëse nga BE

Më: 28 korrik 2016 Në ora: 16:57
Vlahutin vizitë në Tropojë dhe Kukës

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri,  Romana Vlahutin zhvilloi një vizitë në Tropojë dhe në Kukës.

Në fotot e publikuara në facebook nga qendra e Informimit të BE-së, spikat veçanërisht lundrimi në liqenin Komanit dhe mbresat që la ky peizazh përrallor.

Gjatë vizitës, diplomatja evropiane u prit në takim edhe kryebashkiaku  Kukësit Bashkim Shehu dhe ai i Tropojës, Besnik Dushaj.

Vlahutin vlerësoi  dhe ndikimin e dy projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian, konkretisht “EcoNord” dhe “Living on the Border” të cilët zbatohen në veri të vendit. Diskutimet me të rinjtë dhe shoqërinë civile u fokusuan mbi nevojat dhe mundësitë lidhur me mjedisin, turizmin, kulturën, infrastrukturën, bujqësinë, arsimimin dhe bashkëpunimin ndërkufitar. 

Në Tropojë, Ambasadorja Vlahutin  vizitoi  muzeun e qytetit, ku rindërtimi i strukturave dhe pajisjet janë financuar nga Bashkimi Evropian, si dhe shkollën “Ali Prodrimja” në qytetin e Bajram Currit ku janë zhvilluar disa aktivitete për ndërgjegjësimin e publikut mbi çështjet mjedisore në kuadër të “Rrjetit të Eko-shkollave të Rajonit të Kukësit “.

Aktivitetet në fjalë organizohen në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Rritja e kapaciteteve të OSHC-ve në veri të Shqipërisë për përmirësimin e mbrojtjes së biodiversitetit dhe mjedisit – EcoNord”.

Projekti EcoNord ka për qëllim përforcimin e kapaciteteve teknike, administrative dhe financiare të organizatave mjedisore të shoqërisë civile në qarqet Dibër, Kukës, Lezhë dhe Shkodër. Me qëllim përmbushjen e këtij objektivi, ky projekt 3 vjeçar synon të krijojë struktura të zhvillimit të kapaciteteve në një platformë njohurish, monitorimi dhe rrjeti.

Po aq të rëndësishme në kuadër të këtyre objektivave janë nën-grantet për projektet e vogla që u adresohen mbrojtjes dhe rritjes së biodiversitetit, menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe luftës kundër ndryshmeve klimaterike, nëpërmjet një “Fondi të Nismave Vendore”.

Ditën në vijim, në Kukës, Shefja e Delegacionit të BE vizitoi ekspozitën fotografike me titull “Mbro & Promovo – trashëgimia natyrore e Shqipërisë” si dhe një panair të vogël me prodhimet artizanale tradicionale nga artizanët e Lumës. Në krahinën shqiptare të Lumës, Mane Cahani dhe familja e saj punojnë në një qendër të vogël artizanale të prodhimit të qilimave, tapetet tipike shqiptare të punuara me lesh. Këto aktivitete janë të vendosura në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Living on the Border”, i cili ka për qëllim identifikimin dhe prodhimin e shembujve të praktikave më të mira lidhur me mobilizimin e burimeve vendore nga sektorët jo-qeveritar, qeveritar dhe të sipërmarrjes së vogël si instrumente të rëndësishme për zhvillimin social dhe ekonomik të qëndrueshëm në rajonin ndërkufitar Shqipëri-Kosovë. 

Ky projekt dyvjeçar përpiqet të angazhojë dhe të sjellë më pranë në mënyrë efikase banorët e kësaj zone, komunitetet vendore dhe shoqërinë civile. Me promovimin e nismave dhe aktiviteteve të përbashkëta lidhur me kërkimin dhe arsimimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit, si dhe zhvillimin e sektorit të organizatave jo-qeveritare, ky projekt ofron mbështetje ndaj valorizimit të trashëgimisë historike dhe kulturore duke nxitur integrimin social në rajonet e Kukësit, Prizrenit dhe Gjakovës.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat