Arben Frroku në Gjykatën e Amsterdamit: Në Shqipëri mund të më eliminojnë

Shqipëria

Arben Frroku në Gjykatën e Amsterdamit: Në Shqipëri mund të më eliminojnë

Më: 28 korrik 2016 Në ora: 18:36
Arben Frroku

Arben Frroku, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisar Dritan Lamajt është paraqitur sot përpara Gjykatës së Amsterdamit në Holandë, pasi u kap me dokumente false në aeroport. Frroku, në gjykatë ka pretenduar se është viktimë e një loje politike në Shqipëri, duke shtuar se është i pafajshëm.

Ai deklaroi se nuk duhet të ekstradohet drejt Shqipërisë, pasi është i kërcënuar nga hakmarrja. Frroku madje ka pretenduar se nuk mbrohet në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi avokatin ia ka caktuar shteti, raporton “ABC News”. Avokati i tij ka thënë në gjyq se Frroku nuk mund të kthehet në Shqipëri, pasi rrezikohet nga hakmarrja e se mund të eliminohet fizikisht.  Arben Frroku është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, në vitin 2013.

Frroku fillimisht u shpall i pafajshëm nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda dhe më pas u arratis nga Shqipëria, para se Apeli të ndryshonte vendimin. Ai u kap në Holandë me dokumente të falsifikuara, gjë për të cilën janë njoftuar autoritetet shqiptare.

Organet përkatëse në Tiranë kanë kërkuar ekstradimin e Frrokut nga Holanda, me qëllim që të vuajë dënimin me burg të përjetshëm. Vendimi përfundimtar për ekstradim të tij ose jo, do të merret pas dy javësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat