Pensionet shtetërore, llogaritjet e reja për përfitimet

Shqipëria

Pensionet shtetërore, llogaritjet e reja për përfitimet

Më: 29 korrik 2016 Në ora: 07:51
Solida Dibra

Qeveria ka miratuar këtë javë një vendim me kritere dhe rregulla të reja për përfitimin e pensioneve suplementare të punonjësve të shtetit dhe atyre që kryejnë funksione kushtetuese. Bëhet fjalë për institucione dhe punonjës, të cilëve u rregullohen pagesat kalimtare dhe pensionet shtetërore suplementare, pasi me vendimin e fundit të para 10 viteve ishte krijuar një ngërç ligjor që bllokonte procesin për llogaritjen e tyre. Por, tashmë me rigjenerimin e listave të reja, duhet theksuar se, personave të punësuar në institucionet qendrore buxhetore, të cilët kanë paguar kontribute suplementare, pavarësisht ndryshimit të emërtimit të institucionit, e gjithë periudha për të cilën janë derdhur këto kontribute do t’u njihet si vjetërsi shërbimi.

Drejtoresha e Përfitimeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Solida Dibra shpjegon për “Shekulli”-n,  rregullimet që bëhen me ndërhyrjen e re. “Pasi u bënë disa ndryshime ligjore, janë bërë edhe disa ndryshime në VKM. Është një vendim që rregullon pagesat, pasi është ndryshuar dhe lista e punonjësve të shtetit që do të përfitojnë, dhe lista e institucioneve shtetërore. Ka pasur edhe një vendim të mëhershëm në vitin 1996, por tashmë është ndryshuar disa pjesë të ligjit, sepse listën duhet të përditësoheshin sepse nuk kishte asnjë ndërhyrje që nga viti 2009. Kishte institucione të reja që nuk ishin përfshirë në listën ekzistuese”, thotë Dibra. Ndërkohë, ajo jep edhe vendimin e plotë për përfituesit, si dhe rastet specifike. “Në rastet kur në momentin e lindjes së të drejtës për përfitime shtetërore suplementare në aktin ligjor apo nënligjor përkatës mungon funksioni, pozicioni, a detyra dhe paga referuese, përcaktimi i saj bëhet nga Departamenti i Administratës Publike, duke u njehsuar me funksione apo pozicione të ngjashme”, thekson ajo.

Kush preket

Njehsimi i pagës referuese nga DAP-i bëhet duke marrë parasysh njehsimin e institucioneve për efekt page, do të bëhet sipas grupimeve dhe llogaritjeve të mëposhtme.

a) “Deputetët e legjislaturës 1991-1992”, të cilët, në të njëjtën kohë, punonin në funksione dhe detyra të tjera, si pagë referuese do të kenë pagën referuese të deputetit, në momentin e daljes së tyre në pension.

b) “Sekretarët e Shtetit”, në Kryeministri apo në ministritë e linjës, të cilët kanë qenë dekretuar si anëtarë të Këshillit të Ministrave, do të kenë pagën referuese të anëtarit të Këshillit të Ministrave.

c) Pozicionet e punës në prokuroritë ushtarake të apelit, pa përfshirë punonjësit administrativë, për efekt të pagës referuese njehsohen me pozicionet homologe në gjykatën e rrethit gjyqësor.

ç) Funksioni/pozicioni “Kryetar i Këshillit të Rrethit” dhe “Kryetar i Komitetit Ekzekutiv Pluralist”, njehsohen me funksionin e “Kryetarit të Bashkisë”.

d) Pozicionet e punës në drejtoritë e përgjithshme të bankave të nivelit të dytë, nga “titullar institucioni” deri te “specialist”, njehsohen me pozicionet homologe të punës në drejtoritë e përgjithshme në varësi të ministrave të linjës të grupit të parë.

dh) Pozicioni “Inspektor në Këshillin e Ministrave”, pavarësisht klasifikimit në pagë, njehsohet me pozicionin “inspektor” në Kryeministri.

e) Pozicionet nga “titullar institucioni” deri te “specialist”, në ish-Arbitrazhin e Shtetit, njehsohen me pozicionet homologe të institucioneve të pavarura.

Ndërkohë, personat e interesuar duhet të paraqesin pranë DAP-it kërkesën për përcaktimin e pagës referuese të detyrës, që do të shërbejë si bazë për përfitimin nga skema e sigurimeve shtetërore suplementare.  Masa e pensionit suplementar për personat që kanë kryer funksione kushtetuese nuk duhet të jetë më e madhe se 60 për qind e pagës referuese të funksionit më të lartë. “Në rastet kur personi, në varësi të periudhave të ushtrimit të funksioneve, përfiton pension suplementar nga të dyja grupet e sipërpërmendura, atëherë masa e përgjithshme e pensionit suplementar që do të marrë nuk mund të kalojë 60 për qind të pagës referuese të funksionit më të lartë”, citon vendimi.

Dokumentet

Personat e interesuar për të përfituar pagesë kalimtare apo pensione shtetërore suplementare duhet të paraqesin pranë organeve të sigurimeve shoqërore, ku kanë qendrën e tyre të banimit, kërkesën për përfitim, të shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm për këtë qëllim, si më poshtë vijon

a) Për të përfituar pagesën kalimtare:


vërtetim nga qendra e punës për largimin nga funksioni a detyra;
vërtetim për vitet e shërbimit në funksion apo detyrë;


iii. vërtetim për pagën referuese;


deklaratë nëse është i punësuar dhe pagën që merr ose deklaratë që nuk është i punësuar;
vërtetim të gjendjes gjyqësore.
b) Për pensionet shtetërore suplementare:
vërtetim nga qendra e punës për funksionet a detyrat e kryera, për të cilat i lind e drejta për pension, dhe vitet e shërbimit për funksionin a detyrën.
vërtetimin e pagës për funksionin apo detyrën;


iii. vërtetim të gjendjes gjyqësore.

Pensionet e posaçme, ndryshime për periudhën 1993-2014

Me miratimin e ndryshimeve të fundit, paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve suplementare të detyrueshme do të jetë nga 22 000 lekë deri në shumën e pagës bruto, sipas listëpagesës. Paga referuese është paga bazë për titullin në institucionet publike. Paga bazë për titullin do të jetë paga mujore korresponduese, e përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, në të cilin pasqyrohet trajtimi me pagë dhe shtesa mbi pagë i personelit të  institucioneve publike të arsimit të lartë në momentin e derdhjes së kontributeve. Vendimi parashikon tashmë se,

personat që kanë titullin shkencor “Profesor”, “Drejtues kërkimesh”, “Profesor i asociuar”, “Mjeshtër kërkimesh”, kur punojnë në universitetet, shkollat e larta dhe Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë, në masën 5 për qind të pagës referuese të titullit për të punësuarit në sektorin publik dhe 7 për qind të pagës referuese të titullit për të punësuarit në sektorin jopublik.

Ndërkohë, sipas kësaj  skeme, të gjitha shtesat e pensioneve të posaçme shtetërore, të caktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, në masën e pensionit maksimal, në harkun kohor 1 tetor 1993-31 dhjetor 2014, të cilat vazhdojnë të paguhen edhe sot, do të bëhen 24 872 lekë në muaj, me kusht që shuma e kësaj shtese, bashkë me masën e pensionit të caktuar sipas ligjit të mos kalojë vlerën 49 744 lekë në muaj. “Në të njëjtën masë do të kalojnë edhe shtesat e pensioneve të posaçme shtetërore, të caktuara me vendim të Këshillit të Ministrave në harkun kohor 1 tetor 1993-31 dhjetor 2014, për familjarët e personit të vdekur, që merrte ose i takonte të merrte pension të posaçëm shtetëror ose shtesë pensioni të posaçëm”, përkufizon vendimi, ndërsa pas këtij ndryshimi, të gjitha pensionet e posaçme dhe shtesat e pensioneve të posaçme shtetërore, do të indeksohen me 1, 6 për qind.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat