Zjarrvënia në spital/ Bashkëshorti i viktimës: Mjekët thanë se gruaja ishte gjallë. Videoja, e tmerrshme

Shqipëria

Zjarrvënia në spital/ Bashkëshorti i viktimës: Mjekët thanë se gruaja ishte gjallë. Videoja, e tmerrshme

Më: 29 korrik 2016 Në ora: 11:08
Ilustrim

Vdekja tragjike në spi tal e 65-vjeçares Sanije Sulaj ka lënë dhimbje e lot te familjarë e të afërmit e saj.

Në tronditje të thellë, bashkëshorti i Sanijes, Muharrem Sulaj rrëfen momentet e tmerrit që ka kaluar nga e gjithë kjo ngjarje e pazakontë. spitali-amerikan-zjarr1“Pasi u informuam nga mediat për ngjarjen, dy fëmijët e mi kanë shkuar në spital dhe mjekët u thoshin nuk kemi të vdekur këtu. Nëna juaj ka ikur për në shtëpi me këmbët e veta. Ndërkohë, që në lajme emri i bashkëshortes sime përmendej si viktima e parë”, thotë 73-vjeçari. Më tej, ai shton se edhe pse kanë kaluar disa ditë nga ngjarja e rëndë, asnjëri prej zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë nuk u ka dhënë një shpjegim për atë se çfarë ndodhi. Janë të shumta pikëpyetjet e tij e ndërkohë thekson se video e ngjarjes i ka tmerruar ata. 

“Bëjmë thirrje që të mos nxirret më ajo video që ka dalë. Ajo skenë ishte shumë e llahtarshme dhe tronditëse për ne, për familjen dhe për këdo. E kanë parë fëmijët, të afërmit dhe janë tmerruar nga ajo skenë e rëndë”, thekson Muharrem Sulaj. Ai sqaron se do ta ndjekë këtë çështje në rrugë ligjoje, madje do të kërkojnë edhe dëmshpërblim ndaj institucioneve. Familja Sulaj, e cila banon në qytetin e Mamurrasit kishte hapur dyert e mortit. 

Miq e familjarë që hynë e dalin për ngushëllim. Ndërsa, vetëm disa metra larg banesës, një banore e zonën thotë se ngjarja tragjike nuk ka prekur vetëm të afërmit e Sanijes, por edhe banorët e zonës. 

E njihja Sanijen nga afër. Ishte grua e mrekullueshme. Nuk e meritonte t’i ndodhte diçka e tillë. Janë familje e nderuar”, thotë një grua, e cila nga sytë i rrjedhin disa pika lot. 65-vjeçarja humbi jetën këtë të martë si pasojë e zjarrvënies së qëllimshme që Lefter Canaj i vuri me benzinë Dashamir Saraçit për arsye ende të pazbardhura nga policia e Tiranës. 

Si e morët vesh ngjarjen? Kush ju lajmëroi, spitali?

Ngjarjen e rëndë e kemi marrë vesh nga mediat. Kurse nga spitali nuk morëm asnjë reagim. Madje edhe sot nuk kemi një reagim prej tyre. 

Çfarë bëtë më pas, shkuat në spital?

Unë nuk munda të shkoja, por menjëherë pas ngjarjes, në spital shkoi djali edhe vajza ime. Atje i kanë gënjyer dhe i kanë mashtruar disa herë. U kanë thënë se nëna juaj ka ikur vetëm në shtëpi. 

Për çfarë e kanë bërë këtë? Mos kanë pasur gjë ndonjë tentativë zhdukjeje kufomash apo çfarë? Apo për t’ju larguar përgjegjësisë?

Nuk di se çfarë përgjigje t’u jap këtyre pyetjeve. 

Kush ua ka thënë këtë gjë fëmijëve tuaj?

Mjekët e urgjencës. Nuk u kishin dhënë emër të bashkëshortes, por u kishin thënë grua dhe i kishin përshkruar karakteristikat e gruas sime, i kishin dhënë ndihmën e parë dhe kishin dashur ta vendosnin në karrocë, por nuk kishte pranuar dhe kishte ikur me këmbët e veta. Fëmijët kishin dalë deri në fund të rrugës së Laprakës se mos kishte hyrë gjëkund. Kishin marrë në telefon edhe Spitalin Ushtarak, tek kirurgjia, tek pavioni i zemrës, tek reanimacioni e kudo dhe nuk e kishin gjetur. 

A do ta ndiqni këtë çështje në rrugë ligjore?

Sigurisht që do ta ndjekim, sepse të shkosh për t’u shëruar ose për t’u trajtuar dhe të të ndodhë kjo gjë, është një tragjedi e vërtetë. Ky gjë që na ndodhi është një rast tragjik. Nuk ishte aksidental që mund të ishte prishur ndonjë pajiste, por u bë nga dora e një personi. Është një incident i jashtëzakonshëm. Ne si familje kërkojmë diçka dhe bëjmë thirrje që të mos nxirret më ajo video që ka dalë. Nuk e di nëse është spitali ai që e ka dhënë apo ka dalë nga policia a prokuroria, por është diçka shumë e rëndë për të gjithë. Ajo skenë ishte shumë e llahtarshme dhe tronditëse për ne, për familjen dhe për këdo. E kanë parë fëmijët, të afërmit dhe janë tmerruar nga ajo skenë e rëndë. I gjithë komuniteti këtu përreth nesh është i indinjuar dhe stresuar vetëm prej asaj që ndodhi. Të gjithë e kishin parë videon dhe të gjithë njerëzit që kanë ardhur këtu në shtëpinë tonë thoshin “Bobo si ka mundësi”. 

Do të kërkoni dëmshpërblim dhe ndaj kujt?

Sigurisht që do të kërkojmë. Do të kërkojmë edhe dëmin moral që na kanë shkaktuar. Do të kërkojmë dëmshpërblim ndaj spitalit, ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, ndaj kujtdo. 

Po vetë ministri i Shëndetësisë, a ju ka kontaktuar pas asaj që çfarë ndodhi?

Absolutisht jo. As ai dhe askush tjetër. Në momentin që ka ndodhur ngjarja dhe fëmijët e mi ishin atje për të kërkuar nënë e tyre, Beqaj u kishte hedhur një sy dritareve dhe kishte ikur. Nuk e di, por atë ditë mediat nxirrnin emrin se Sanije Sulaj është viktima e parë, vetë personeli i shëndetësisë thoshte se nuk dinte gjë për të. Nuk u kishin dhënë asnjë informacion fëmijëve. Më shumë na vrau heshtja e institucioneve. 

A ju ka ardhur në shtëpi njeri nga ministria apo ndonjë zyrtar tjetër pas tragjedisë për t’ju dhënë ndonjë shpjegim?

Askush nuk ka ardhur. Nuk na kanë thënë as ngushëllime. Për ngushëllim si njeri i afërt me bashkëshorten time ka ardhur vetëm doktoresha e saj personale dhe dy infermierë. Kurse në telefon na kanë marrë shumë persona që ne nuk i njohim. Ua di shumë për faleminderit, edhe për një fjalë të mirë e ngushëlluese që ata na kanë thënë. Na kanë ofruar mbështetjen e tyre. Na kanë marrë në telefon shqiptarë të organizatave që jetojnë në Australi, Nju Jork, Itali, Gjermani, Francë e ngado jashtë vendit. Na kanë thënë se sapo kishin parë videon se si kishte ndodhur ngjarja, janë interesuar për numrin dhe na kanë telefonuar. Kurse përgjegjësit e tragjedisë nuk na kanë thënë asnjë fjalë ngushëllimi. 

Sa vite kishte bashkëshortja juaj që kurohej?

Kishte 10 vite. 

Me kë ka shkuar në spital atë ditë zonja Sanije?

Ka shkuar e vetme. Ne paguajmë një furgon që i çon në spital dhe i sjell sërish në shtëpi. Është nisur që në mëngjes si zakonisht. Marrja e dializës zgjat 4 orë. Shkoi për të mos u kthyer më.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat