Basha: Po bëjnë gati vjedhjen e zgjedhjeve, duam qeveri teknike!

Shqipëria

Basha: Po bëjnë gati vjedhjen e zgjedhjeve, duam qeveri teknike!

Më: 2 gusht 2016 Në ora: 14:39
Lulzim Basha

(E plotësuar) - Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një bashkëbisedim me gazetarët deklaroi se “mazhoranca po bën gati vjedhjen dhe shkatërrimin e zgjedhjeve” dhe për të shmangur këtë duhet një qeveri teknike.

Pasi deklaroi se përsa i përket reformës në drejtësi tashmë nuk do të ketë më beteja politike, por vetëm ligjore, Basha tha se “tani nis beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme”. 

“Kemi prezantuar platformën tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme në reformën e posaçme të reformës zgjedhore, por qeverisja e Edi Ramës po shteron mundësinë kohore për implementimin e platformës sonë”, u shpreh Basha.

“Po bëjnë gati vjedhjen dhe shkatërrimin e zgjedhjeve të radhës. Kjo është një vijë ndarëse që nuk kalohet. Nuk do të lejojmë prishjen e procesit të ardhshëm zgjedhor. Kushti ynë për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është dhe mbetet qeveria teknike”, shtoi kreu i PD-së, i cili tha se qeveria teknike duhet ngritur sa më shpejt. "Siguria kombëtare po kompromentohet nga narkotrafiku, rritet papunësia, bizneset mbyllen dhe vendi është në emergjencë. Insistojmë për një qeveri teknike një orë e më parë".

Nuk e përjashton bashkëpunimin me LSI-në

I pyetur nga gazetarët për një bashkëpunim të mundshëm me LSI për qeverinë teknike, Lulzim Basha la të kuptohej se ishte i gatshëm për të bashkuar votat me Ilir Metën.

Kreu i demokratëve tha se për qeverinë teknike, është gati të bashkëpunojë jo vetëm me LSI, por edhe me socialistë. Duke iu përgjigjur gazetarëve, Basha kujtoi se kishte përshëndetur kreun e LSI për rolin e tij për reformën në drejtësi.

“Sa i përket premisës për LSI-në. Unë i kërkoj bashkëpunim me çdo lloj force politike. Si LSI si PS, të cilët duhet të nisën nga përgjegjësia për t’u dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira të ndershme.

Ndaj mirëpres kontributin e çdo force politike në këtë drejtim ashtu sikurse për konsensusin e 22 korrikut. Kam përshëndetur kreun e LSI-së për qëndrimet e tij për konsensusit. Të njëjtën gjë do bëja edhe me Ramën po të mbante të njëjtin qëndrim. Por ai e rrezikoi reformën në drejtësi për hir të manovrave të tij politike. Por ato përfunduan aty ku do të përfundonin, në koshin e plehrave. Për reformën në drejtësi kërkova konsensus që nga fillimi dhe ai u arrit falë kontributit të zotit Meta”.

Basha komentoi edhe lajmin se Romana Vlahutin fshehu pasurinë para autoriteteve kroate. Sipas tij, reagimi i përket Bashkimit Europian.

“Është një çështje që i takon autoriteteve kroate dhe kam besim të plotë që anëtarësimi në BE e kanë merituar duke siguruar respektimin e ligjit. I takon gjithashtu edhe autoriteteve të BE-së. Në të dyja nivelet kjo çështje do të marrë trajtimin e duhur” tha Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat