Basha: Revolta popullore nëse s’ka qeveri teknike

Shqipëria

Basha: Revolta popullore nëse s’ka qeveri teknike

Më: 12 gusht 2016 Në ora: 23:03
Lulzim Basha

Kreu i opozitës Lulzim Basha deklaroi dje se do t’u prijë revoltave popullore në rast se nuk gjen konsensus për një qeveri teknike, që do përgatisë zgjedhjet e ardhshme. Kreu i selisë blu, në intervistën e dhënë për “ABC news”, thekson se qeveria teknike është e vetmja rrugë për të siguruar zgjedhje të lira.

“Unë kam bërë një ftesë para më pak se një jave për një marrëveshje politike mes gjithë aktorëve politikë, pa përjashtuar e paragjykuar askënd, që ky të jetë një akt politik konsensual. Po kështu jam i bindur që t’i prij me PD-në dhe gjithë opozitën e bashkuar, një lëvizjeje popullore për ta detyruar këtë mazhorancë në numra, por të rënë në legjitimitet, që të pranojë qeverinë teknike, si i vetmi shans për zgjedhje të lira e të ndershme. Qeveria teknike është kushti i patejkalueshëm. Dy rrugë ka meqë më pyetët, njëra është ajo e bashkëpunimit politik, tjetra është e presionit popullor”, tha Basha.

I pyetur nëse gjen te Ilir Meta sigurinë për të vënë kushte të tilla, Basha nuk e pranoi një gjë të tillë por vlerësoi rolin e Metës në konsensusin për reformën në drejtësi. Sipas Bashës: “Meta me rolin e tij dëshmoi një qëndrim parimor në favor të interesave të vendit dhe për këtë e kam përshëndetur”. I pyetur mbi rolin e ish-kryeministrit, Basha thotë: “Z.Berisha ka një rol si deputet e lider historik i PD me të cilin sigurisht edhe unë si kryetar dhe anëtarët të tjerë të grupit parlamentar, këshillohemi e përfitojmë nga përvoja e tij. Vendimmarrja në PD i takon me të gjitha atributet e përgjegjësitë kryetarit të saj Lulzim Basha”.

Për herë të parë kryetari i PD-së tregon se ka një sistem të ri zgjedhor në mendje, jo mazhoritarin me prim, por një sistem që do t’u rikthejë shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur deputetët, një e drejtë që prej 2009-s e kanë kryetarët e partive politike. “Kam problem një parlament që është mbushur me horra kriminelë. Përtej zgjedhjeve të lira, jam i vendosur për t’u dhënë shqiptarëve një sistem përfaqësues”, tha Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat