Drafti i ri/ Buroja e Hetimit, kush ndikon mbi SPAK dënohet 3 vjet burg

Shqipëria

Drafti i ri/ Buroja e Hetimit, kush ndikon mbi SPAK dënohet 3 vjet burg

Më: 16 gusht 2016 Në ora: 09:18
Nje nga mbledhjet e Komisionit te Reformes

Çdo lloj ndikimi mbi Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) do të dënohet me 3 vite burg. Sipas ndryshimeve të reja, në ligjin për Byronë Kombëtare të Hetimit, të rishikuar nga EURALIUS dhe OPDAT, të gjithë drejtuesit e medias apo funksionarët publikë, që në një formë ose tjetër ushtrojnë influencë mbi prokurorët e SPAK, tashmë përbëjnë vepër penale.

Sipas ndryshimeve, publike dje nga “Report TV”, kriminalizohen me ligj ndërhyrjet politike e mediatike në punën e Prokurorisë së Posaçme, që do të krijohet në kuadër të Reformës në Drejtësi.

Sipas nenit 16, që ka të bëjë me pavarësinë e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme thuhet shprehimisht:

“1-Në ushtrimin e funksioneve të tyre, prokurorët veprojnë dhe marrin vendime në mënyrë të pavarur, bazuar në parimet e ligjshmërisë, objektivitetit dhe paanshmërisë.

2-Prokurorët e posaçëm zbatojnë udhëzimet e përgjithshme me shkrim të një prokurori më të lartë sipas këtij ligji. Një prokuror më i lartë nuk i jep udhëzime një prokurori të posaçëm lidhur me thelbin e hetimit apo çështjes.

3-Çdo lloj influence e papërshtatshme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështjen konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre personi tjetër, që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre ndalohet dhe dënohet me ligj”.

Ndërsa, sipas nenit 245 të Kodit Penal, kjo vepër penale e quajtur “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” ndëshkohet me burg nga 6 muaj deri 3 vite.

Në draftin për Byronë saktësohet varësia e kësaj strukture të re, e cila nuk ishte parashikuar në draftin e vjetër, që u miratua gjatë korrikut vetëm nga mazhoranca. Hetuesit do drejtohen nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme.

Sipas nenit 17, që ka të bëjë me përgjegjshmërinë thuhet: “Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme hetojnë dhe ndjekin penalisht prokurorët e tjerë të Prokurorisë së Posaçme apo gjyqtarët e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nëse ka prova se prokurori apo gjyqtari është i korruptuar, apo mbështet një organizatë kriminale, apo ka kryer një vepër penale që është në kompetencë të kësaj prokurorie”.

Neni 18 lidhet me Byronë Kombëtare të Hetimit, e drejtuar nga prokurorët e posaçëm.

Në të bëhet e qartë: “1-Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme drejtojnë prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, atë të Byrosë Kombëtare të Hetimit si dhe shërbimet e përgjithshme të Policisë Gjyqësore, lidhur me hetimin e çështjeve dhe çështjet e ndjekura prej tyre”. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat