Drejtësia, Majko: Diskutimet, mbi zbatimin e dispozitave të ndryshuara kushtetuese

Shqipëria

Drejtësia, Majko: Diskutimet, mbi zbatimin e dispozitave të ndryshuara kushtetuese

Më: 17 gusht 2016 Në ora: 13:53
Pandeli Majko

Në përfundim të mbledhjes së sotme të Komisionit për Reformën në Drejtësi, anëtari socialist i tij, Pandeli Majko, tha se diskutimet u mbështetën mbi zbatimin e dispozitave të ndryshuara kushtetuese.

“Ne në komision po diskutojmë mbi një logjikë të re, jo atë të dispozitave kushtetuese, por atë të zbatimit të dispozitave që i kemi ndryshuar në Kushtetutë”, u shpreh Majko për mediat pas mbledhjes, ku do dëgjoheshin opinionet e ekspertëve ndërkombëtarë rreth propozimeve të opozitës për ligjin e vetingut.

I pyetur për rolin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), Majko u përgjigj se do të jetë po ai rol i shkruar në aneksin kushtetues. “Është një rol që përcaktohet qartë në aneksin kushtetues dhe ne nuk do i lëvizim asnjë presje”, tha deputeti socialist.

Sa i takon procesit të verifikimit të pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë, në kuadër të vetingut, Majko tha se ky proces do të bazohet në opinionin e Komisionit Europian dhe atë do ta kryejnë institucione që kanë një eksperiencë kushtetuese, që në këtë rast është Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. "Ne nuk do të përpiqemi të bëjmë shpikje", shtoi Majko.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat