Familja Bregu dhe Miruku ndërpresin hasmërinë shumëvjeçare

Shqipëria

Familja Bregu dhe Miruku ndërpresin hasmërinë shumëvjeçare

Më: 18 gusht 2016 Në ora: 10:22
Familjet Bregu dhe Miruku

Dy familje në hasmëri prej shumë vitesh kanë shtrirë dorën e pajtimit njëra-tjetrës, duke i dhënë fund hasmërisë mes tyre. Familjet Bregu dhe Miruku, përkatësisht banuese në lagjet “Mark Lula” dhe “Perash”, i kanë dhënë fund hasmërisë shumëvjeçare. Ka qenë ndërmjetësimi i misionit të paqes e pajtimit dhe kryesisht i pajtimtarit Nikollë Shullani, ai që ka bërë të mundur që familja Bregu të falë gjakun. Ka qenë djali i viktimës, shtetasi Erjon Bregu që ka falur gjakun e babait të tij të vrarë para shumë vitesh nga një pjesëtar i familjes Miruku. Familja Miruku ka qenë e ngujuar prej shumë vitesh, duke iu dhënë besë për të lëvizur lirshëm herë pas here por pa u falur, veçanërisht autori i ngjarjes. Por ka qenë djali i viktimës, tashmë në moshë madhore i cili ka vendosur t’i japë fund hasmërisë dhe të falë familjen Miruku.

Në ceremoninë e zhvilluar me pjesëmarrjen e dy palëve dhe të misionarëve të paqes, Nikollë Shullani ka theksuar se ky veprim duhet të shërbejë si shembull edhe për familje të tjera që janë në gjak. “Shpresoj që ky veprim të ketë efekt pozitiv në të gjithë shoqërinë tonë ku kanuni keqinterpretohet dhe opinioni fryhet nga e keqja. Por ato që kanë problem të tilla duhet t’i thërrasin logjikës. Të ngujuarit për shkak të gjakmarrjes janë shtresa më e rënduar se kur je i varfër del e kërkon punë e diçka gjen, por i ngujuari nuk mundet ta bëjë këtë. Kanuni ka ligje shumë të mira por spekulohet me to. Ne këtu në Shkodër kemi patur raste që janë vrarë për gjak, fëmijë e vajza , të cilat kanuni i përjashton kategorikisht. Kështu ka ndodhur në Bushat, Barbullush, qytetin e Shkodrës dhe në Dukagjin, ku për gjakmarrje janë vrarë të mitur dhe vajza”, ka thënë Shullani. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat