Javën e ardhshme drafti final për ligjin e Vetingut

Shqipëria

Javën e ardhshme drafti final për ligjin e Vetingut

Më: 18 gusht 2016 Në ora: 12:09
Ilustrim

Pas prezantimit një ditë më parë në komisionin e posaçëm të opinioneve të ekspertëve ndërkombëtarë lidhur me propozimet e opozitës për ligjin e Vetingut, brenda javës së ardhshme pritet të përfundojë përshtatja e tyre me versionin përfundimtar të draftit në fjalë.

Mazhoranca dhe opozita, pas mbledhjes së djeshme u shprehën të angazhuara për hartimin e një projektligji të pakontestuar, i cili do të bëjë  rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë, ndërsa miratimi i tij shpresohet të finalizohet brenda këtij muaji.

Komentet e paraqitura të mërkurën në komision nga përfaqësuesi i misionit të Bashkimit Evropian, EURALIUS, lidhur me vërejtjet e shprehura nga opozita, ishin qëndrime të Komisionit Evropian.

Megjithëse nuk janë dhënë hollësi për opinionet që zyrtarët e BE-së i paraqitën dje komisionit, në një njoftim pas mbledhjes, misioni EURALIUS në Tiranë thekson se ndryshe nga idetë e propozuara nga opozita, për të, katër janë parimet kryesore për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Misioni thekson se roli i monitoruesve ndërkombëtarë nuk duhet të reduktohet për sa i përket Vetingut dhe se bazë për vlerësimin e gjyqtarëve duhet të jenë dosjet e ILDKP-së.

Në reagimin në Facebook, EURALIUS liston katër parimet e veta:

a) Nuk mund të ekzistojnë afate kohore ose kalendar për çdo çështje individuale;

b) Procesi i rivlerësimit përdor informacionet, dosje si dhe struktura administrative ekzistuese veçanërisht të ILDKP-së;

c) Roli i misionit ndërkombëtar të monitorimit nuk duhet të reduktohet;

d) Bashkëpunëtorët e drejtësisë konsiderohen si një mjet i rëndësishëm për të hyrë në praktika korruptive për marrjen e provave.

Nga ana tjetër, OPDAT-i shpjegoi kontrollin e figurës, bazuar në standardet e SHBA-ve, BE dhe NATO-s, sipas të cilave një institucion mbledh informacionin dhe komisioni i rivlerësimit merr vendimin, thuhet në reagimin e misionit EURALIUS.

Në varësi të ecurisë së mëtejshme të këtij procesi, do të përcaktohet edhe thirrja e seancës për të votuar ligjin “Për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, qe sipas kryeparlamentarit Ilir Meta, duhet të bëhet sa më shpejt. Krahas ligjit të vetingut, kryetari i Kuvendit tha dje se duhet të intensifikohen përpjekjet edhe për dy ligjet e tjera: “Per organet e qeverisjes se gjyqësorit” dhe “”Për prokurorinë speciale antikorrupsion”, për të cilat, tha ai, është rënë dakord që të diskutohen dhe miratohen brenda 30 gushtit.

Tre ligjet e mësipërme janë pjesë e paketës me 7 ligje mbështetëse, në funksion të zbatimit të reformës në drejtësi.

 Projektligjet, e përgatitura me mbështetjen e misioneve ndërkombëtare, EURALIUS dhe OPDAT, parashikojnë organizimin dhe funksionimin e disa prej organeve kryesore të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, pas miratimit të reformës kushtetuese, me 21 korrik.

Shtatë projektligjet:

1. “Për Gjykatën Kushtetuese”

2.“Për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” (Vetingu)

3. “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë”

4. “Për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë”

5.“Për organizimin e pushtetit gjyqësor”

6. “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”

7. “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat