Naftëtarët kërkojnë statusin që meritojnë

Shqipëria

Naftëtarët kërkojnë statusin që meritojnë

Më: 20 gusht 2016 Në ora: 08:07
Naftëtarët

Nga nafta dhe gazi sigurohen të ardhura të larta për ata që e kanë në zotërim (përdorim) vendburimet. Dhe për ata që e kanë zbuluar dhe e kanë vënë në shfrytëzim s’paskan të drejtë të gëzojnë mundin dhe djersën e tyre prej shume vitesh që kanë zbuluar pasurinë më të madhe të vendit tonë siç është nafta. Puna e rëndë dhe e vështirë e naftëtarëve asnjëherë nuk është  shpërblyer realisht.  Këtë peshë të rëndë të punës nuk ka familje naftëtarësh të mos ta këtë  ndjerë gjatë gjithë jetës. Naftëtarët shkonin në punë me turne dhe çdo familje e priste me merak  kthimin e tyre në familje. Ashtu siç ndodhte kur shkoje në luftë,  do të ktheheshe apo do të qëndroje  në frontin e luftës. Punohej në grykat e puseve në lartësira të ndryshme të kullave në ambjente të  ndotura me gazra helmuese në kushte të vështira të motit në shi në baltë në errësirat e natës  etj…Janë me dhjetra raste të humbjes së jetës nga naftëtarët, me qindra e qindra të sëmurë nga  sëmundjet profesionale dhe gjymtime të ndryshme. Nuk ka naftëtar e familje në zonat naftëmbajtëse  që nuk ka përjetuar fontanat e papritura e të fuqishme që në mjaft raste kanë qenë zjarre të pa kontrolluara, duke dëmtuar shëndetin e njerëzve dhe bimëve përreth.

Aroma e naftës dhe gazit  shoqëruese ka qenë bashkudhëtarë e jetës së naftëtarëve nga fëmija deri tek i moshuari. Nuk  ka  zona nafte e gazi ku të mos ketë ndodhur viktima (vdekje)  apo  plagosje të shkallëve të ndryshme. Po  të rënda kanë qenë përndjekjet, burgosjet deri në pushkatim të shumë specialistëve dhe  drejtuesve  të sektorit të naftës dhe të gazit. Shumë punonjës naftëtarë janë përballur me organet  hetuese të gjykatave. Pra krahas punës së rëndë dhe të vështirë dhe me përgjegjësi qëndronte  presioni sepse nga çasti në çast mund të përfundojë prapa hekurave të burgut. Edhe sot pas 25 vitesh  demokraci si dhe dje janë të harruar. Askush nuk e vlerëson punën e tyre të madhe heroizmin, sakrificat e tyre pa mbarim, që kanë  bërë shkencëtarët tanë mendjendritur bashkë dhe me qindra  mijëra naftëtare të profesioneve të ndryshme që bënë të mundur zbulimin e naftës shqiptare, që qëndronte prej shekujsh në thellësi të tokës tonë. Këta janë naftëtarët që i dhanë thesarin më  të madh të vendit tonë. Ne naftetarët nga vendburimet e naftës nga Kuçova, Patosi, Vlora, Marinza, Fieri, Visoka, Drenova e shumë vende të tjera, duam vleresimin e djersës së ballit që na takon gjatë  viteve për  punën e madhe që kemi bërë prej shumë vitesh, për sasinë e madhe të naftës që i  kemi dhënë vendit dhe vazhdojmë t’i  japim edhe sot, pavarësisht se kanë kaluar mbi 80 vjet.

 *Nënshkruar nga një grup naftëtarësh të vjetër, drejtues dhe krijues të shoqatës së naftëtarëve të Shqipërisë. Veis Siqeca, specialist nga ana elektrike. Ixh. Prof.  Dhimitër  Gjini në shkencat  e  naftës dhe të gazit, Nazmi Naska, mjeshtër i shpimeve të puseve të naftës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat