Investitorët po ikin nga Lindja e Mesme dhe Afrika, sytë nga Shqipëria

Shqipëria

Investitorët po ikin nga Lindja e Mesme dhe Afrika, sytë nga Shqipëria

Më: 20 gusht 2016 Në ora: 17:32
ilustrim

Investitorët që deri më tani kanë prodhuar tekstile dhe këpucë në Indokinë, Lindjen e Mesme dhe në Afrikë po largohen nga këto vendet për shkak të destabilitetit dhe rirtjes së kostove dhe po hedhin sytë drejt Shqipërisë. Kreu i Dhomës së Fasonistëve, Gjergji Gjika, deklaron se porositë nga këta investitorë por edhe nga vendet tradicionale, si Italia dhe Greqia për mallra cilësorë janë rritur. Por industria fasone në Shqipëri është gjendur e papërgatitur. Problem kryesor është mungesa e kualifikimit të fuqisë punëtore.

Industria fasone po përballet me një fazë të re të zhvillimit të saj.Porosi po vijnë nga investitorë që deri më tani kishin prodhuar në Indokinë, në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e largët.

Kjo për shkak të rritjes së kostove të prodhimit atje, por edhe destabilitetit politik.

Gjergji Gjika: Kemi dy grupe investitorësh, grupet nga vendet tradicionale si Italinë, Gjermaninë, Greqinë. Grupi i dytë që kërkojnë janë biznesmenët e rinj që deri dje kanë prodhuar dhe zhvilluar aktivitetin e tyre me vite të tëra në Indokinë, në Lindjen e largët, Afrikën veriore, por për arsyet që dimë qoftë rritjen e kostos në vendet e Indokinës, qoftë për largësinë që ato kanë, situatën jo stabile politike që është në Afrikën e veriut, kërkojnë që të prodhojnë në Shqipëri.

Fasonistët shqiptarë po përballen me sfida të reja edhe nga vendet tradicionale që iu kanë siguruar deri më tani punë, si Italia, Greqia dhe Gjermania.

Kompanitë nga këto vende po bëjnë porosi për produkte më cilësore, çka e ka gjetur të papërgatitur industrinë fasone në Shqipëri.

Gjergji Gjika: Ne kemi qenë të papërgatitur për këtë produkt kualitativ pasi produkti le të themi me një cilësi normale që ne punonim në fashën europiane.

Fasonistët evidentojnë mugesën e punëtorëve të kualifikuar si pengesën kryesore për t’iu bërë ballë kërkesave të tregut.

Ata shprehen se deri më tani i kanë kualifikuar vetë punonjësit e tyre, por ky është një proçes që duhet të bëhet nga shteti.

Gjergji Gjika: Punësimi numër një në Shqipëri nga privatët është tek industria përpunuese e tekstileve dhe e këpucëve dhe nga ana tjetër ne nuk kemi një shkollë që të prodhojë punonjës për këtë industri. Kjo është kontradita më e madhe e jona.

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se fasonët kanë qenë ato që kanë mbajtur në këmbë eksportet shqiptare këtë vit, duke shënuar në qershor një rritje vjetore prej 5.3%.

Në 6 mujorin e parë, eksportet e këtij grupi arritën në 39.4 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 7 miliardë kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Industria fasone qarkullon rreth 1.5 miliardë euro në vit, ndërsa ka të punësuar mbi 100 mijë persona.

Norma e fitimit në këtë industri vlerësohet në rreth 8%.

ECURIA E EKSPORTEVE

Janar-qershor 2016 39.4 mld lekë
Janar- qershor 2015 32.4 mld lekë
Rritja vjetore 7.0 mld lekë/oranews

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat