Vdekja e Marnikollajt, të burgosurit shqiptarë shpallin tri ditë grevë

Shqipëria

Vdekja e Marnikollajt, të burgosurit shqiptarë shpallin tri ditë grevë

Më: 21 gusht 2016 Në ora: 08:45
Pëllumb Marnikollaj

Vdekja e dyshimtë  e ndodhur në ambientet e komisariatit të policisë greke të emigrantit Pëllumb Marnikollaj ka shkaktuar reagime të ashpra nga ana e shqiptarëve. Kështu mësohet se emigrantët që vuajnë dënimet në tetë burgjet e shtetit grek janë bashkuar, duke shpallur një grevë treditore, me qëllim për ti bërë thirrje organeve të policisë dhe të prokurorisë që të mos ndikojnë në gjetjen e arsyeve dhe shkaqeve që sollën humbjen e jetës në mënyrë të papritur Marnikollajt, si dhe për ndëshkimin e autorëve të kësaj vdekjeje të mistershme. Mësohet se kjo grevë po bëhet nga rreth 2000 të burgosur shqiptarë, të cilët ndodhen të mbyllur në tetë burgje greke. Letra e shkruar nga të burgosurit shqiptarë i është drejtuar Ministrisë së Rendit Publik dhe Drejtësisë në Greqi, duke kërkuar që të mos ndërhyhet në hetimet për vdekjen e shqiptarit Pëllumb Manikollaj. Të burgosurit shqiptarë nuk pranojnë që të futen  Zbardhet letra dërguar ministrisë së Rendit Publik dhe Drejtësisë në Greqi. Kërkohet të mos ndërhyhet në hetimet për vdekjen e shqiptarit. Vdekja misterioze e Marnikollajt, të burgosurit shqiptarë shpallin tre ditë grevë nëpër qelitë e tyre në orarin e caktuar, ndërsa e kryejnë këtë veprim një orë me vonesë.

Letra e plotë

“Ne nuk jemi ata që mund të gjykojmë hetimet. Megjithatë, numri i arsyeve, të cilat ne kemi, për të mos besuar versionin e policisë greke është i barabartë me mijëra të burgosur që gjenden në këto burgje. Jemi të qartë se mënyra se si kanë rrjedhur ngjarjet nuk është thjesht ngathtësi në rrugën e policisë në tentativë për të mbuluar incidentin, as fakti që shpjegimet e tyre shkojnë kundër çdo sensi logjik dhe praktik. Kush mund ta besojë se, jo vetëm një të burgosur, por edhe një qytetar, i cili është në lirim me kusht dhe shkon për të lëshuar firmë në stacionin policor i lejohet të bredhë nëpër zyrat e policisë, të hapë dhe të mbyllë dritaret i pa shqetësuar. Ne kemi çdo arsye për të besuar versionin e familjes për vrasjen, sepse secili prej nesh ka duruar mizoritë që ndodhin brenda zyrave të marrjes në pyetje në komisariatet e policisë. Tortura në këto zyra hetimore prej vitesh është kthyer në metodë pune dhe shumë prej nesh e kanë provuar në kurriz. Fakti se ne po hartojmë dhe bëjmë publike këtë letër, nuk do të thotë aspak se kemi shprese sado të vogël për hetim të drejtë dhe që përgjegjësit në fund të ndëshkohen për atë që kanë bërë. Tashmë është e qartë se ne të varfrit, të papunët, emigrantët kemi mbushur burgjet tuaja dhe nuk po paguajmë mëkatet tona. Në të kundërt ata që na sollën këtu me anë të bastisjes së shkopinjve dhe qytave të armëve, gjithmonë do të gëzojnë imunitet pasi drejtësia përkëdhel këta persona duke ndjekur standarde të dyfishta, ndërsa për të paguar jemi ne. Së fundi, ne kemi bërë të qartë se të gjithë se ne, të burgosurit e burgjeve greke, nuk kemi ndërmend të bëhemi pjesë e lojës që ambasadat shqiptare dhe greke po luajnë. Ne vetëm duam një përgjigje. Nëse do ta marrim seriozisht versionin e gënjeshtërt që na serviret atëherë për ju zotëri ministra, vlera e jetës së një qenie  njerëzore është e njëjtë me atë të një objekti çfarëdo. Si një aksion proteste, ne do të shtyjmë kthimin tonë të darkës në qeli nga një orë për tre ditë”, shkruhet në letrën e të burgosurve shqiptarë, drejtuar Ministrisë së Rendit Publik dhe Drejtësisë në Greqi.

Vdekja e Marnikollajt

29-vjeçari nga Lezha humbi jetën më datë 3 gusht të këtij viti, teksa po shkonte drejt komisariatit e policisë në Athinë për të kryer procedurën e firmosjes, pasi ndodhej në masë sigurie “Detyrim paraqitje”. Pëllumb Marnikollaj hyri në komisariat, për mos të dalë më i gjallë prej aty. Zhdukjen e të riut lezhjan e kanë denoncuar shokët e tij të cilët ndodheshin në Greqi, pasi Pëllumbi nuk i është përgjigjur më në telefon kur gjendej brenda në komisariat. Trupin e pajetë të të riut e kanë zbuluar familjarët e tij, teksa ishte bërë gati për tu varrosur. Trupi i tij është mbajtur për nëntë ditë me radhë në morg, ndërsa është cilësuar si një person pa identitet. Kur vëllai i tij ka shkuar në varreza për të shikuar trupin nëse ishte Pëllumbi apo jo, ruajtësit e varrezave nuk e kanë lejuar. Policia greke është shprehur për vdekjen e të riut, si ai është hedhur nga kati i katërt i komisariatit pasi ka kuptuar që do të arrestohej. Por, ky fakt nuk është pranuar nga shokët, familjarët e 29-vjeçarit, pasi në trupin e tij janë vënë re shenja të forta dhune, madje dhe shenja djegieje të shkaktuara nga cigaret.

Familjarët

Familjarët e Pëllumb Marnikollajt bëjnë fajtorë për vdekjen e tij policinë greke. Sipas tyre, 29-vjeçari nuk kishte asnjë arsye që të hidhej nga kati i katërt i komisariatit pasi ishte me detyrim paraqitje, masë kjo e caktuar nga gjykata. Ata janë shprehur disa ditë më parë se Pëllumbi është dhunuar deri në vdekje nga punonjës të policisë, pasi janë vënë re shenja dhune në trup. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, Prokuroria e Lezhës ka filluar hetimet për të zbardhur edhe shkaqet që kanë shkaktuar vdekjen e të riut nga Lezha. Po ashtu, ambasada shqiptare në Greqi ka deklaruar se një kamera ka filmuar të gjithë ngjarjen, e cila do të shërbejë në zbardhjen e të vërtetës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat