Çarja e koalicionit e qeveria teknike, Pëllumbi: LSI duket e gatshme të ikë

Shqipëria

Çarja e koalicionit e qeveria teknike, Pëllumbi: LSI duket e gatshme të ikë

Më: 22 gusht 2016 Në ora: 08:31
Edi Rama e Ilir Meta

Profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi, në një intervistë për “Panorama” ka komentuar situatën politike dhe zërat për një krisje të koalicionit mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Pëllumbi ka theksuar se LSI-ja duket e gatshme për t’u larguar nga koalicioni qeverisës, duke kërkuar një justifikim për të deklaruar prishjen. Në analizën e tij, profesori i së majtës është shprehur se koalicioni nuk është ndërtuar mirë dhe ndaj është i lëkundur.

“Realisht koalicioni i mirëfilltë qeverisës PS-LSI u ndërtua jo mirë dhe here pas here është lëkundur ndjeshëm, aq sa sot duket se LSI-ja është në kërkim të një modus vivendi për ta deklaruar të prishur koalicionin qeverisës me PS-në. Kjo, realisht, nuk është në interesin imediat të LSI-së, por duket se presioni që po ushtrohet mbi lidershipin e saj është shumë më i madh nga ç’mund të mendohet…! “Ngushëlluese”, mbase, mbetet vetëm deklarata e liderit të saj se “ende s’kanë lindur burra, as vendës e as ndërkombëtarë, që ta shantazhojnë atë!”, ka thënë ish-kryetari i Parlamentit.

Duke folur për qeverinë e majtë, ish-kreu i Parlamentit, Servet Pëllumbi, ka theksuar se qeverisja ka shtuar pa kënaqësinë te shtresat e varfra të shoqërisë, për shkak të mungesës së transparencës dhe mungesës së ndershmërisë. Për Pëllumbin problem janë dhe sjellja e ministrave, që, sipas tij, është shoqëruar me një eufori.

“Në të vërtetë ka rritje të pakënaqësive, veçanërisht në shtresat më vulnerabël të shoqërisë sonë. Dhe këtu qeveria meriton të kritikohet, sidomos për mungesë ndershmërie e transparence, për një lloj euforie “ministrash” në raport me reformat që jo gjithmonë kanë mbajtur parasysh prioritetet dhe amortizimin e plagëve sociale të shkaktuara prej tyre…”, ka thënë Pëllumbi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat