Skandal në SHISH/ Del dokumenti, zbulon agjentët në 7 ambasada

Shqipëria

Skandal në SHISH/ Del dokumenti, zbulon agjentët në 7 ambasada

Më: 23 gusht 2016 Në ora: 09:44
Kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika

Pakujdesia e Shërbimit Informativ Shtetëror në hartimin e procedurës për shërbimin “Blerje e sigurim shëndetësor”, të dorëzuar pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, ka nxjerrë zbuluar punonjësit e saj në disa vende të botës.

Kështu, në kërkesën e dorëzuar nga SHISH-i pranë Agjencisë së Prokurimit Publik është i listuar edhe numri i agjentëve, gjinia dhe anëtarët e tyre të familjes.

Fondi limit i përcaktuar është 2 milionë lekë të rinj për një kohëzgjatje të kontratës 1-vjeçare. Agjentët e SHISH në njësitë tona diplomatike i zbulon numri i pjesëtarëve që secili ka në shtetin ku është rezident. Të vetmit shtete ku këta agjentë nuk mund të zbulohen janë Greqia dhe Franca, ku asnjëri prej tyre nuk ka familjarë me vete. Sipas të dhënave të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, rezulton se shteti shqiptar ka gjithsej 7 koordinatorë, të cilët në vendet ku qëndrojnë dhe janë rezidentë kanë edhe familjet e tyre.

Në total, kërkesa e SHISH-it, e cila përfshin numrin e koordinatorëve bashkëngjitur edhe pjesëtarët e tyre të familjes, është hartuar për 18 persona. Sipas këtyre të dhënave nga dokumentet e SHISH-it, bëhet e ditur edhe shpërndarja e agjentëve të SHISHit në njësitë diplomatike jashtë vendit.

VENDNDODHJA

Nga dokumentet e publikuara, rezulton se SHISH ka një koordinator të sajin në Kosovë, të cilin e shoqërojnë edhe 3 anëtarë të familjes së tij. SHISH ka një koordinator edhe në Serbi, i cili shoqërohet atje edhe nga një pjesëtar tjetër i familjes.

Në Belgjikë, SHISH ka dy koordinatorë të saj, nga të cilët njëri ka edhe një anëtar të familjes, ndërsa tjetri dy. Një tjetër agjent i SHISH gjendet në Maqedoni, i cili shoqërohet edhe nga katër anëtarë të familjes. Listën e koordinatorëve të SHISH-it e plotësojnë punonjësit në Itali e Greqi, të cilët gjenden të vetëm, pa shoqërimin e pjesëtarëve të familjes.

PËRFITUESIT

Nga të dhënat e publikuara në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik sqarohen edhe përfitimet që koordinatorët e SHISH-it kanë nga shërbimi shëndetësor i kërkuar. Fondi maksimal që ata mund të përfitojnë në vit është 100 mijë euro. Në rasti shtrimi në spital, ata përfitojnë dhomë dyshe, shpenzime mjekësore, kirurgjikale, anestezistët, kujdes intensiv, ilaçet e këshilluara nga mjeku dhe fashat, shpenzimet për materialet dhe qiraja e dhomës së operimit, trajtimi mjekësor ambulator (pa shtrim në spital) 4000 euro, shpenzime për mjekun e përgjithshëm, shpenzime për mjekun specialist etj.

PAGESAT

Në muajin nëntor të vitit 2014, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushti, gjatë diskutimit të buxhetit për vitin e 2015 u shpreh se agjentet e Shërbimit Informativ Shtetëror, që punojnë në ambasadat jashtë vendit, nuk do të paguheshin më nga fondet e Ministrisë së Jashtme. Kjo lëvizje, sipas Bushatit, bëhej për të reduktuar shpenzimet e MPJ-së, duke ua kaluar barrën e pagesave dhe të shpenzimeve të tjera SHISH-it.

“Në shpërndarjen e fondit të parashikuar në buxhet, Ministria e Punëve të Jashtme ka marrë në konsideratë dhe nivelin e aktivitetit të dendur diplomatik të përfaqësive tona. Një fond i krijohet Ministrisë së Punëve të Jashtme nga ndryshimi që është parashikuar në buxhet për punonjësit e SHISH-it, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme, të cilët ushtrojnë veprimtari në ambasada dhe paguheshin nga fondi i pagave të Ministrisë së Punëve të Jashtme, në vitin 2015 e në vazhdim, ky personel do të paguhet nga institucionet përkatëse”, ka thënë Bushati gjatë një mbledhjeje në Komisionin e Jashtëm Parlamentar.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat