PD: Rama ka frikë nga vota, trafikantët dhe tutorët mblidhen në Dibër

Shqipëria

PD: Rama ka frikë nga vota, trafikantët dhe tutorët mblidhen në Dibër

Më: 23 gusht 2016 Në ora: 12:53
Arben Ristani

“Në panik nga humbja e sigurt dhe e thellë në Dibër, Edi Rama ka thirrur banditë dhe mercenarë me shpresën se atë që nuk e merr dot me votë do ta marrë me dajak e me kërbaç”.

Kështu është shprehur në një deklaratë për shtyp nga selia blu nënkryetari i Partisë Demokratike Arben Ristani. Duke iu referuar rastit të Arben Ndokës, i cili është shfaqur në krah të kandidatit socialist për Bashkinë e Dibrës, deputeti demokrat tha se Rama po rikonfirmon se ka aleat vetëm trafikantët dhe kriminelët.

“Përveç bandave të drogës të cilat mbështetjen e Ramës për biznesin kriminal duhet ta shlyejnë me shantazhim të qytetarëve për zgjedhjet e 11 shtatorit, Rama ka thirrur nën armë edhe të tjerë si Arben Noka, i raportuar dje nga media, – u shpreh Ristani. –  Dibra po rikonfirmon se aleanca e vetme e Edi Ramës është ajo me trafikantët e kriminelët. Pasi ka prishur kontratën me qytetarët me mashtrimet e tij, pasi ka shkelur me dy këmbë çdo premtim ndaj dibranëve të cilët i ka zhytur në skamje dhe papunësi sepse nuk bëri asnjë investim, nuk hapi asnjë vend të ri pune, nuk bëri asnjë kilometër rrugë, Rama i kthehet të vetmit pakt që ka mbajtur në këto 3 vite, paktit me krimin”.

Sipas Ristanit, Rama “shpreson se krimi do ta shpëtojë nga gjykimi i popullit me votë. Por ky është gabimi tipik i një sundimtari që i ka ardhur fundi. Asnjë trafikant, kriminel, asnjë bandë nuk do ta shpëtojë Edi Ramën nga gjykimi i popullit me votë. Ai dhe banditët e tij do të përballen me fuqinë e pathyeshme të bashkimit popullor”.

Ristani shtoi se vota e 11 shtatorit do të çlirojë fillimisht Dibrën, më pas gjithë Shqipërinë nga ky sundim: “Fundi i sundimit të Edi Ramës dhe bandës së tij, do të vërtetohet masivisht më 11 shtator. Çlirimi nga banda nis në Dibër, dhe shqiptarët mbarë do t’i hapin rrugën zhvillimit, punësimit, rendit e sigurisë. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat