Vlerësimi i gjyqtarëve, opozita: Projektligji antikushtetues

Shqipëria

Vlerësimi i gjyqtarëve, opozita: Projektligji antikushtetues

Më: 23 gusht 2016 Në ora: 16:35
Komisioni

Reforma në Drejtësi, projektligji miratohet në Komisionin e posaçëm vetëm me votat e shumicës. Majko: kaluam tesktin e ndërkombëtarëve. Bylykbashi paralajmëron ankimim në Gjykatën kushtetuese

Në Shqipëri, komisioni i posaçëm i Reformës në Drejtësi miratoi sot pasdite projektligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, vetëm me votat e anëtarëve të shumicës së majtë. Opozita e cila paraqiti sot 47 amendamente për një pjesë të mirë të neneve të këtij projektligji, nuk mori pjesë në votim, në shenjë kundërshtie ndaj mosmarrjes parasysh të vërejtjeve dhe propozimeve të saj, duke deklaruar se teksti i miratuar paraqet “një devijim të rëndë të dispozitave kushtetuese”, nënvizoi në përfundim të mbledhjes përfaqësuesi demokrat Oerd Bylykbashi. Sipas tij “amendamentet e propozuara nga opozita kishin vetëm një qëllim, që projektligji të kthehej në binarët e ndryshimeve kushtetuese” të miratuara me konsensus natën e 21 korrikut. Zotit Bylkbashi paralajmëroi ankimim të opozitës në Gjykatën Kushtetuese kur tha se “nëse nuk bëhen ndryshime, projektligji është antikushtetues dhe jam i sigurt se nuk do t’i qëndrojë testit në Gjykatë”.

Nga ana e tij përfaqësuesi socialist Pandeli Majko, deklaroi se kishin kërkuar mirëkuptim nga opozita që “të pranojmë atë çka do të ofrojnë ekspertët ndërkombëtarë”, shpjegoi ai duke shtuar se “sot janë miratuar të gjitha komentet e EURALIUS-it dhe OPDAT-it”.

Ekspertët ndërkombëtarë paraqitën të mërkurën e shkuar opinionin e tyre rreth vërejtjeve të shumta që opozita kishte dorëzuar në fillim të muajit. EURALIUS bëri të ditur se kishte rënë dakort me disa nga vërejtjet, kryesisht rishikime të disa termave apo riformulime të pikave të neneve të caktuara. Një pjesë tjetër të vërejtjeve ekspertët i konsideruan si të dobishme, por vlerësuan t’i qëndrojnë tekstit ekzistues.

Përfaqësuesi i EURALIUS-it theksoi megjithatë 4 parime bazë të cilat u cilësuan si vendimtare që Bashkimi europian të angazhohej me fonde dhe ekspertizë në procesin e riverësimit, i cili në thelb ka përfshirjen e misionit ndërkombëtar të monitorimit. “Roli i këtij misioni nuk mund të reduktohet. Monitorimi i projektuar ndërkombëtar është një instrument i rëndësishëm për t’i mundësuar publikut të rifitojë besimin në gjyqësor”, nënvizoi përfaqësuesi i EURALIUS-it./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat