Shqipëria bëhet gati për të nderuar shenjtërimin e Nënë Terezës

Shqipëria

Shqipëria bëhet gati për të nderuar shenjtërimin e Nënë Terezës

Më: 25 gusht 2016 Në ora: 23:58
Ilustrim

Kishat katolike të Shqipërisë dhe Kosovës po organizojnë aktivitete përkujtimore për të festuar shpalljen e Nënë Terezës shenjtore nga Papa javën e ardhshme.

Kishat katolike të Shqipërisë dhe Kosovës po punojnë së bashku për organizimin e aktiviteteve, para dhe pas ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës, e cila do të zhvillohet më 4 shtator në Vatikan.

“Kjo është një ngjarje e madhe dhe e rëndësishme fetare, kështu që ne [Kisha Katolike e Shqipërisë] dhe kisha e Kosovës kemi krijuar një komision të përbashkët për të organizuar punën,” i tha BIRN George Frendo, arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit.

Personalitete të sportit nga të dy vendet si fituesja e medaljes së artë në Lojërat Olimpike të Rios, Majlinda Kelmendi dhe kapiteni i skuadrës shqiptare të futbollit, Lorik Cana pritet të luajnë një rol në këto ceremoni.

Një ndër aktivitetet më të rëndësishme kulturore do të mbahet në Romë-një koncert i

3 shtatorit, ku sopranot e famshme shqiptare, Ermonela Jaho dhe Inva Mula si dhe Sajmir Pirgu do të performojnë në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Rita Ora, një yll i muzikës Pop e lindur në Kosovë do të shfaqet në koncertin ku do të zërë një vend edhe muzika tradicionale instrumentale e Shqipërisë.

Personalitete të shumtë shqiptarë do të lexojnë citate të Nënë Terezës, ndërsa të tjerët do të ndajnë histori personale nga takimet me murgeshën katolike.

Arqipeshkvi Frendo tha se politikanë të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës janë ftuar nga ambasada e Vatikanit në Tiranë.

Dioqeza e Tivarit të Malit të Zi dhe muzikantë dhe orkestra të shqiptarëve të Maqedonisë do të jenë gjithashtu të përfshirë në aktivitete.

Papa Françesk njoftoi më 15 Mars të këtij viti se Nënë Tereza, e cila vdiq më 1997 do të shpallej shenjtore. Murgesha katolike i kushtoi jetën ndihmesës së të varfërve në qytetin e varfër të Kalkutës në Indi. Ajo lindi në gusht 1910 në Shkup të Maqedonisë në një familje shqiptare nga Kosova. Për shkak të origjinës së saj, shqiptarët në vendet e Ballkanit e konsiderojnë Nënë Terezën një figurë simbolike dhe ndjehen krenarë për punën e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat