Rikthehet fuqishëm - Euro brenda dy javëve fiton 2 pikë, duke arritur në 137.3 lekë

Shqipëria

Rikthehet fuqishëm - Euro brenda dy javëve fiton 2 pikë, duke arritur në 137.3 lekë

Më: 27 gusht 2016 Në ora: 19:00
Euro/Lekë

Monedha europiane ka nisur trendin rritës kundrejt monedhës shqiptare. Vetëm në dy javë euro ka fituar mbi 2 pikë kundrejt lekut shqiptar, ndërkohë që tendenca është për një forcim të mëtejshëm të saj. Ekspertët e lidhin këtë situatë me largimin e emigrantëve drejt vendeve të punës, duke ulur në këtë mënyrë sasinë e euros që është në qarkullim në vend.

Euro ka vijuar të fitojë terren kundrejt lekut shqiptar.Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro po këmbehet aktualisht me 137.3 lekë kundrejt 135.9 lekë që këmbehej dy javë më parë.

Agjentët e këmbimit valuator shpjegojnë se faktori që po ndikon në forcimin e euros është sezonal, pasi turistët dhe emigrantët që erdhën në Shqipëri për të kaluar pushimet e verës tashmë janë larguar duke ulur sasinë e eurove në qarkullim.

Ndërkohë ekspertët parashikojnë një rritje të mëtejshme të monedhës europiane në javët në vazhdim.

Kjo pritet të ndikohet edhe nga nisja e sezonit të ri, kur shtohet edhe kërkesa nga importuesit dhe tregtarët për mallra.

Por çfarë efektesh sjellë për qytetarët një euro e fortë? Forcimi i monedhës europiane kundrejt lekut shqiptar është i dëmshëm për ekonominë tonë për disa faktorë.

Bankat e nivelit të dytë në vend japin kredi në monedhën europiane, duke bërë që qytetarët të paguajnë më shumë interesa.

Gjithashtu edhe Qeveria dëmtohet pasi paguan më shumë për borxhin e jashtëm.

Forcimi i euros prek edhe xhepat e qytetarëve të thjeshtë, pasi në tregjet tona mbizotëron mall i importit.

Kjo pasi importuesit do t’i blejnë më shtrenjtë mallrat dhe produktet, çka paralajmëron rritje të çmimeve në treg.

Të vetmit që përfitojnë nga vlerësimi i euros janë eksportuesit, pasi e blejnë mallin me lekë dhe e shesin me euro.

KURSI I KËMBIMIT

Monedha Sot               Dy javë më parë
Euro 137.3 lekë          135.9 lekë
USD 121.59 lekë        121.7 lekë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat